Një lexim i detajuar i politikës së re të jashtme turke
Me aleancën e saj me Iranin dhe mbështetjen për Hamasin, Turqia tash e sheh veten duke nxituar turr e vrap drejt një serie të konflikteve - me Europën, me SHBA-në, me Izraelin, dhe me regjimet e moderuara arabe që e kanë mbijetuar fundamentalizmin iranian shiit, por aktualisht mund të ndihen të kërcënuara nga një politikë e jashtme sunite neo-otomane.
Disa muaj para se të bëhej Ministër i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, asokohe këshilltari kryesor i Kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan, u takua me një grup të akademikëve dhe politologëve nga Lindja e Mesme, ku përfshiheshin edhe arabë e izraelitë. Me kapitalin e tij akademik dhe erudicionin gjigant, ai ia doli që në një pëlhurë t’i përvijonte drejtimet e reja të politikave të Turqisë nën udhëheqjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Në atë kohë dihej se rruga e Turqisë drejt Bashkimit Europian ishte e mbyllur, disi në mënyrë të vrazhdë, kryesisht për shkak të presionit të kombinuar të Gjermanisë dhe Francës. Por, ata që kishin pritur tym e flakë islamike nga Davutoglu - u zhgënjyen thellësisht.
Tema që u artikulua në ekspozenë racionale dhe të sofistikuar, rrallë dëgjohet nga politikëbërësit: ishte e menduar mirë, e ndershme, dhe të linte pa frymë. Gjithashtu, ajo shënonte edhe largim të qartë nga metoda konvencionale e politikës së jashtme që ishte hartuar nga Kemal Ataturku, i cili për dekada e kishte detyruar diplomacinë turke të shtrihej në Shtratin e Prokrustit të nacionalizmit integral të viteve 1920. Davutoglu e filloi ekspozenë në mënyrë të zakonshme, duke deklaruar se pozita gjeopolitike e Turqisë gjithmonë do t’ia diktojë politikën e jashtme të vendit. Pastaj erdhi bomba: në kundërshtim me pikëpamjen konvencionale Kemaliste, e cila kombin turk e sheh si Një dhe të Pandarë, Davutoglu iu referua gjërave që dihen prej kohës së krijimit të Turqisë moderne: Turqia ka më shumë azerë se Azerbajxhani; më shumë qytetarë me origjinë shqiptare sesa ka popullsi të Shqipërisë; më shumë qytetarë me origjinë boshnjake se boshnjakë në Bosnje, dhe më shumë kurdë se Kurdistani i Irakut. Sipas Davutoglut, ky realitet do të thotë se dhuna dhe paqëndrueshmëria në kojshillakun e Turqisë kërcënon të kalojë në Turqi, kurse konfliktet e jashtme rajonale lehtë mund të shkaktojnë trazira të brendshme. Prandaj, kredoja e politikës së jashtme turke duhet të jetë: "Zero konflikte me fqinjët tanë dhe në fqinjësinë tanë". Ai shpjegoi se kjo ishte arsyeja që Turqia po përpiqej të gjente një marrëveshje me Armeninë. Kjo logjikë e arsyetonte politikën e Turqisë përballë Qeverisë Rajonale Kurde në Irakun Verior, përfshirjen e saj në Kosovë dhe Bosnje, afrimin e sërishëm me Sirinë, dhe përpjekja për të ndërmjetësuar midis Sirisë dhe Izraelit. Sipas tij, Turqia nuk është as pro-izraelite, as pro-siriane: ajo kërkon një marrëveshje midis Izraelit dhe Sirisë në mënyrë që ta shtojë edhe një tullë tjetër në stabilitetin e rajonit. Të gjithë këta hapa janë ndërmarrë nga Qeveria e AKP-së, sepse kjo është në interes të Turqisë, jo vetëm duke e pasur parasysh pozitën e saj gjeopolitike, por edhe strukturën e saj unike multietnike (ai nuk e përdori këtë terminologji, edhe pse implikimi ishte i qartë). Që nga ajo kohë (Davutoglu u bë Ministër i Jashtëm në maj të vitit 2009), shumë nga veprimet që i ka bërë Turqia mund të shpjegohen në përputhje me teorinë e "zero konflikteve", përfshirë një politikë paksa më të nuancuar rreth çështjes së Qipros. Megjithatë, zhvillimet e fundit flasin për atë se nëse kjo politikë mbështetet për muri, ajo do të zë në thua nga pështjellimi i saj i brendshëm.
Politika turke që tenton t’i zbusë tensionet me Iranin rreth programit të tij bërthamor mund të kuptohet. Sidoqoftë, iniciativa e përbashkët e Iranit, Brazilit dhe Turqisë shkon përtej një politike të tillë. Presidenti i Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva, mund të ketë shkelur mbi një zgjua bletësh për shkak të mosnjohjes së politikave rajonale dhe sentimenteve të përgjithshme antiamerikane. Erdogani duhet ta ketë ditur këtë, sepse me përpjekjen që ta mbrojë Iranin, ai është duke hapur një hendek të gjerë me BE-në - dhe padyshim, edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kundërshtimi në Këshillin e Sigurimit i sanksioneve të reja kundër Iranit e largoi Turqinë edhe më shumë nga BE-ja dhe SHBA-ja. Kjo nuk i përshtatet politikës “zero konflikt". E njëjta gjë mund të thuhet edhe për tonin e ashpër që Turqia, dhe Erdogani vetë, e ka aplikuar kohëve të fundit në raport me Izraelin. Duke u larguar gjatë debatit në tryezën rrumbullakët me Presidentin e Izraelit Shimon Peres, në Davos, Erdogan mund të ketë fituar poenë në botën arabe, e cila historikisht e ka shikuar Turqinë me një dyshim që vjen nga sundimi i vjetër perandorak. Por, furia me të cilën ai e sulmoi Izraelin gjatë krizës së anijeve të vogla në Gaza, padyshim shkoi përtej mbështetjes (së justifikuar) për palestinezët e rrethuar dhe kritikave (po ashtu të justifikuara) për mënyrën e pështjelluar me të cilën Izraeli reagoi ndaj një situate të vështirë. Derisa fitoi mbështetje në të ashtuquajturën “rrugë arabe”, ndoshta duke e graduar Presidentin e Iranit Mahmoud Ahmedinejad në trajtë moderne të Komandantit të Besimtarëve, politikat dhe sjelljet e Erdoganit i kanë shokuar jo vetëm izraelitët, por edhe liderët e moderuar arabë në Egjipt, Arabi Saudite, Jordani, dhe disa nga vende të Gjirit.
Për shumë vite, AKP-ja u konsiderua në rajon dhe gjetiu si një model për një parti demokratike me rrënjë islamike. Por, duke mbështetur Hamasin, Erdogan e ka bërë Turqinë aleate me fuqinë më shkatërruese dhe më ekstremiste fundamentaliste në botën arabo-muslimane; organizatë e cila origjinën e saj e ka në Vëllazërinë Myslimane, armikun historik të të gjitha regjimeve arabe në rajon (natyrisht, duke përfshirë edhe Sirinë). Pasi Erdogani është kritik i Izraelit, sundimtarët arabë nuk mund ta pohojnë këtë haptazi. Por, qeveritë arabe - dhe shërbimet e tyre të sigurisë - kanë filluar ta pyesin veten nëse politikat e Turqisë do ta minojnë stabilitetin e brendshëm - çfarëdo qoftë ai - të shteteve të tyre. Kjo është pikërisht e kundërta e një politike të vërtetë "zero konflikt", që ka për qëllim t’i minimizojë tensionet dhe ta përmirësojë stabilitetin. Me aleancën e saj me Iranin dhe mbështetjen për Hamasin, Turqia tash e sheh veten duke nxituar turr e vrap drejt një serie të konflikteve - me Europën, me SHBA’në, me Izraelin, dhe me regjimet e moderuara arabe që e kanë mbijetuar fundamentalizmin iranian shiit, por aktualisht mund të ndihen të kërcënuara nga një politikë e jashtme sunite neo-otomane. Kësisoj, Turqia është duke u shndërruar jo në një ndërmjetësuese rajonale, e baraslarguar nga lojtarët pretendues vendorë, por në një fuqi rajonale imponuese, nëse jo edhe agresive, e cila synon hegjemoninë. Larg nga të shmangurit e konflikteve dhe ndërmjetësimi i tensioneve ekzistuese, Turqia nën udhëheqjen e AKP’së duket se synon t’i japë flakë konflikteve të reja dhe të krijojë vija të reja ndarëse.
(projectsyndicate.com)