Rama, me Tadiçin, kundër vizave të shqiptarëve
S’heq dorë Edi Rama nga lobingu për të ndalur integrimin e shqiptarëve. Ai ka nisur dje për në Evropë dërgatën antieuropiane Balla-Ahmetaj-Veliaj, e cila duhet të ndalë projektin e heqjes së vizave, i cili u miratua unanimisht në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian. Paralelisht, në median e Tiranës tentohet që sherri vendas të marrë pamje ndërkombëtare, njëlloj siç u përpoq dje të bënte Boris Tadiçi në Nju-Jork
Në një kohë kur pretendimet e opozitës për një transparencë të mundshme të zgjedhjeve të 28 qershorit, po harrohen gjithnjë e më shumë dhe se askush s’po i përmend më nëpër daljet për mediat, Edvini duket se ka gjetur zgjidhjen për të qenë në vëmendje të ndërkombëtarëve. Dërgata e Ramës, e përbërë nga Taulant Balla, Arben Ahmetaj dhe Erjon Veliaj, ka marrë mbi supe misionin e përbaltjes së vendit dhe përligjien e pretendimeve të pabaza të opozitës, pretendimeve që jo vetëm janë të destinuara të sorraksen, por aktualisht askush s’po merret më me to.
Shuarja e debatit për zgjedhjet e kaluara, ka sjellë tmerrin e Ramës, teksa në kushtet e zbehjes së zakontë të qëndrimit kundër zgjedhjeve dhe institucioneve të dala prej tyre, gjithçka po harrohet.
Balla dhe Ahmetaj në shoqërinë e veçantë të velinave, do mbrojnë fort qëndrimin eunuk se në Shqipëri ka një krizë të rrezikshme politiko-ekonomike dhe se asgjë s’mund ta nxjerrë vendin prej saj. Duke nisur nga axhenda e Parlamentit Evropian, i cili diskuton sot për Shqipërinë dhe perspektivën evropiane të saj, duke cekur dhe situatën politike, Edvini i përcjell 3 dëshmitarë Martin Shulzit, i cili do t’i trajtojë këta si mercenarë sherrmbajtës, për të futur europarlamentarët dhe institucionet e Bashkimit Evropian në një ngërç mosmarrëveshjesh të tipit “Rama”.
Qëllim i Ramës dhe mikut të tij, Shulz, është të aleancojë një bllok lobues kundër grupit të popullorëve evropianë, të cilët dirigjojnë politikën e Brukselit dhe përcaktojnë direktivat e kursit të Unionit drejt zgjerimit.
Në kushtet e aktuale, dërgata e Ramës do merret fillimisht me eksportimin e krizës nga selia e PS-së drejt Parlamentit Evropian, për të iniciuar një lëvizje të brendshme, e cila do të fokusohet te interesat politike të Ramës dhe miqve të tij të ngushtë, duke nëpërkëmbur kështu interesin madhor të vendit, për plotësimin e standardeve të integrimit. Dërgata Balla-Ahmetaj-Veliaj, do informojë gjithashtu Shulzin se opozita s’ka ndërmend të marrë pjesë në komisionin për reformën zgjedhore, me argumentin e veçantë se s’është kryer transparenca e zgjedhjeve parlamente. Ideja nuk është nëse do i besojë këto broçkulla Martin Shulzi, pasi ky i fundit është pjesë e artikulimeve dhe dirigjimit të veprimeve të Edvinit në Tiranë, por sa impakt do kenë te europarlamentarët, në një kohë kur Shqipëria pret prej institucioneve të BE-së vendimin e vizave dhe marrjen e statusit kandidat. Pikërisht në prag të këtyre momenteve madhore për Shqipërinë dhe shqiptarët, Edvini ka menduar eksportimin e krizës drejt institucioneve të BE-së për të synuar një tjetër “akt kamikaz”, me mercenarët e dërguar nga Tirana.
L. Q.