E Diel, 1 Nëntor 2026

Imazhe krize dhe fotografi ballkanike

05-01-2012 / Nga Ilirian Dahri

Një lajm që pushtoi pothuajse të gjitha mediat e rajonit por edhe më gjerë. Faqja e internetit të BBC e dha direkt pas televizionit Skai. “Greqia do të dalë nga Eurozona nëse marrëveshja e dytë e shpëtimit prej 130 miliardë eurosh do të falimentonte”. Flet zëdhënësi i qeverisë së vendit fqinj të Greqisë, Pantelis Kapsis i cili më pas ka shtuar se: “Marrëveshja e shpëtimit duhet firmosur në të kundërt do të jemi jashtë tregjeve, jashtë Euros”. Një lajm tronditës për vetë vendet e eurozonës dhe është dashur ndërhyrja e zëdhënësit të komisionit të Bashkimit Europian Oliver Bailly, i cili ka theksuar se “Nuk kemi asnjë plan për të nxjerrë një shtet anëtar nga eurozona as në vitin 2012 dhe as më pas”.  Por çfarë mund të ndodhë më pas me Greqinë dhe vetë Bashkimin Europian? Nuk duhej të ishin bërë favorizime me traktaktin e Maastrihtit? Askush nuk mund të parashikojë më. Tashmë komentohen vetëm ngjarjet që kanë ndodhur, për të tjerat, ato që do të vijnë, ka veçse hamendësime. Komentohet Greqia në prag të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri 2012. Dyqanet që kërkojnë të shesin mallrat e tyre me çmime të ulëta. Njerëz që nuk blejnë gjithsesi. Sepse nuk është koha e përshtatshme për dhurata. Greqia është në krizë. Shteti fqinj ka punë me kreditë, me shkurtimet, me taksat dhe me Trojkën. Televizionet e ndryshme të vendeve të Bashkimit Europian fotografojnë hera – herës realitetin.  Një fëmijë që ka veshur një xhup që duket i madh për moshën e tij.  Që  bën me dorë nga vitrinat ndërsa nëna i përkëdhel flokët dhe shikon gjetkë. Në qendrat e qyteteve janë vendosur  pemët festive, pemë të varfra festive.  Ka vërtet drita festive, por në dyqanet e luksit nuk hyn më askush. Uljet e çmimeve janë të favorshme madje arrijnë deri në 70%. Ndonjë komentator do të shtonte se gjithçka duket si një film që tregon një jetë që nuk është egzsiton më. Ku mungon buzëqeshja madje njerëzit as nuk ndalojnë më nëpër vitrina. Nuk ështe kohë dhuratash. Blerjet bëhen nëpër pazare, jo më në boutique. Pastaj vijnë shifrat.  Krahasuar me 2009, kostoja e jetesës është dyfishuar dhe sikur mos të mjaftonte kjo ka gjithmonë taksa për të paguar dhe rritje  çmimesh. Në pjesën më të madhe të pallateve janë fikur sistemet e ngrohjes sepse shumë prej banorëve nuk paguajnë më dhe tashmë ndezin stufat dhe furnelat. Ai që nuk paguan, i hiqet energjia elektrike. Ndërsa grekët pohojnë më kot se kjo është antikushtetuese. Por ndërkaq tragjedia e vërtetë ka të bëjë me të rinjtë, 40% e të rinjve, nga 18 – 30 vjeç, janë të papunë, shumë prej tyre punojnë gratis, të tjerë ikin nga Greqia drejt Gjermanisë, Danimarkës apo Suedisë. Po rishfaqen dyndjet ballkanike drejt ambasadave perëndimore për të marrë një vizë? – Kërkohen mjekë për në Australi dhe disa mjekë grekë kanë filluar aplikimet. “Do të braktisja gjithçka por babai im është i sëmurë. Edhe pse nuk kam një punë, familja më ka kërkuar të qëndroj. Kam mbaruar Fakultetin e Mjeksisë por jam i papunë. Do të punoja kudo, edhe duke dërguar pakot nëpër shtëpi por tani pakot nuk dërgohen më askund”. Flitet se 30 mijë dyqane janë mbyllur në qendër.  Një në tre e ka mbyllur. Vetëvrasjet janë rritur me 40%,  ndërsa 20% e njerëzve kanë humbur punën që kishin. Fotografi që duket se përcjellin një plojë sociale. Banda që mbretërojnë në rrugët e qyteteve më kryesore të Greqisë. Shpërndarës droge dhe prostitucion. Dhe në mbrëmje askush nuk guxon të dalë më prej shtëpisë. Kriminaliteti është dyfishuar tani arrin në 18%. Turistët gjithaq nuk lëvizin të sigurtë. Shumë kompani kanë mbyllur zyrat e tyre në qendër të Athinës, mjaft hotele të qendrës gjithashtu.  Të gjithë kanë kthyer sytë nga turizmi. Një vit i vështirë. “Të kthehemi tek dhrahmia” – pëshpërit dikush - “Jemi kthyer si në vitet 1965, nuk kemi qenë kurrë kaq keq”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›