E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një libër për Princ Vidin

Nga Express më 30 shtator 2011 në ora 09:03

Një libër dhe një ekspozitë kushtuar Princ Vidit, princit më jetëshkurtër të Shqipërisë. Titulluar “Princi i shqiptarëve”, libri i botuar nga “Toena” që ka për autor Artan Lamen dhe Petraq Gramon, nuk përqendrohet thjesht te figura e Princ Vidit, por jep në mënyrë të zgjeruar gjithë situatën kaotike të Shqipërisë së sapokrijuar, intrigat e brendshme dhe të jashtme, rrymat e ndryshme që vepronin, përplasjen e qytetërimeve, protagonistët e kohës, pamje intriguese nga Shqipëria dhe vetë qyteti i Durrësit që u bë kryeqytet i Shqipërisë, përpjekjet e princit dhe të patriotëve shqiptarë për të shpëtuar vendin nga kolapsi etj.

Libri ka një parathënie nga Nikolaus Roth, kryetar i Bashkisë të Neuwied, qytet në Gjermani që ka qenë kryeqyteti i Principatës mesjetare të qeverisur nga familja e Princ Vidit që nga shekulli XII.

Pjesë e këtij libri është edhe materiali fotografik, një pjesë e të cilave të marra nga familja e sotme e Princ Vidit, kontakt i mundësuar nga sipërmarrësi shqiptar Petraq Gramo, i cili ka kontributin e tij në libër dhe në ekspozitën “Trashëgimia e një Princi” që do të çelet sot, në orën 18.00 në Muzeun Historik Kombëtar, ku do të promovohet edhe libri. Sipas Lames, janë 270 fotografi, skica, dokumente, kartolina e karikatura, midis të cilave rreth 80 botohen për herë të parë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›