Messi ‘injoron’ rekordet

Lionel Messi ka mohuar sugjerimet e ndjekjes së rekordeve pas dy golave që shënoi në fitoren 5-0 ndaj BATE Borisovit në Ligën e Kampionëve të mërkurën, me të cilët barazoi Ladislau Kubalan si golashënuesi i dytë më i mirë në histori të Barcelonës me 194 gola.
Derisa kampioni i Spanjës dhe i Evropës përgatitet të ndeshet me Sporting Gijonin në La Liga të dielën, Messi ka thënë se nuk është i përqendruar në arritjen e Cesar Rodriguezit, i cili realizoi 235 herë për gjigantin katalan. “Cesar nuk është synim i imi”, tha 24 vjeçari Messi, fitues i Topit të Artë nga edicioni i kaluar, i cili ka arritur kuotën e 194 shënimeve në vetëm 280 paraqitje për gjigantin katalan.
“Është me rëndësi të luaj mirë në çdo ndeshje. E di se jam duke krijuar histori dhe shpresoj të bëj edhe më tepër”, shtoi argjentinasi për ueb faqen zyrtare të Barcelonës (www.fcbarcelona.cat). Messi tashmë ka shënuar tetë gola në pesë ndeshje të La Ligas këtë sezon, përfshirë dy het-trika, derisa Barcelona synon të barazojë rekordin e saj prej katër titujve të njëpasnjëshëm në ligë. Pas dy barazimeve si mysafire, Barcelona gjendet e dyta me 11 pikë, një më pak se lideri i befasishëm Real Betis që pret Levanten dhe ka po ashtu 11 pikë.
Messi debutoi për ekipin e parë të Barcelonës në tetor 2004 dhe u bë golashënuesi më i ri i skuadrës në ligë, kur realizoi kundër Albacetes në maj 2005 në moshën 17 vjeç, 10 muaj dhe shtatë ditë. Një seri e paraqitjeve të jashtëzakonshme i ka sjellë atij çmimin e futbollistit më të mirë në botë në dy vitet e fundit, ndërsa ka qenë golashënuesi më i mirë në Ligën e Kampionëve, garën elite të klubeve evropiane në tri sezonet e fundit, kur Barcelona dy herë fitoi titullin dhe një herë arriti në gjysmëfinale.
“Ajo çfarë është duke bërë Messi është e jashtëzakonshme, arritja e shifrave dhe loja ekipore”, tha mesfushori spanjoll Xavi, njëri prej kapitenëve të Barcelonës pas ndeshjes kundër BATE.
“Të kemi në skuadër futbollistin më të mirë në botë nuk ka të paguar”, shtoi ai. Sulmuesi David Villa, tjetër bashkëlojtar i Messit nga Barcelona, u shpreh: “Messi është i jashtëzakonshëm. Ai do të vazhdojë të tejkalojë veten, ne jemi të lumtur që i ndihmojmë në këtë”.
Edhe trajneri Pep Guardiola nuk i ka rezistuar lavdeve për arritjet e Messit.
“Nëse Messi e ka arritur këtë shifër në moshën 24 vjeç (duke barazuar Kubalan), paramendoni se çka i ka mbetur për të arritur ? Kur ai të tejkalojë Cesar Rodriguezin, shpresoj të mos e konsiderojë pensionimin”, deklaroi Guardiola.