E Diel, 1 Nëntor 2026

Mukja, historia e shkurtër e një dështimiNga Çelo Hoxha Parantezë Nga lufta e Parë Botërore Shqipëria s’ka shumë gjëra për t’u krenuar. Ajo sa ishte krijuar si shtet dhe situata gjatë gjithë luftës, 1914-1918, mund të përfshihet në një fjalë:

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Mukja, historia e shkurtër e një dështimiNga Çelo Hoxha

Parantezë

Nga lufta e Parë Botërore Shqipëria s’ka shumë gjëra për t’u krenuar.

Ajo sa ishte krijuar si shtet dhe situata gjatë gjithë luftës, 1914-1918, mund të përfshihet në një fjalë: kaos.

Në dy vitet që pasuan kanë rëndësi vetëm përpjekjet diplomatike dhe propagandistike në Evropë për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve, por edhe kjo zhvillohej nga individë dhe grupime patriotësh jo fort të koordinuar në punën e tyre.

Shteti shqiptar filloi të funksionojë pas Kongresit të Lushnjës, 1920, çlirimi i Vlorës ishte suksesi më i madh i saj.

Pastaj nisi lufta për pushtet, e cila e destabilizoi shumë herë shtetin shqiptar, të cilin e shpëtoi vetëm regjimi autokratik i mbretit, ngritja e të cilit ishte domosdoshmëri.

Por edhe kjo zgjidhje nuk zgjati shumë.

Shenja organizimi

Nga Kongresi i Lushnjës e deri në Luftën e Dytë Botërore Shqipëria kishte dy dekada përvojë shtetërore dhe, megjithëse pas pushtimit italian dhe me largimin e mbretit Zog shteti u fut në kaos, mentaliteti i organizmit kishte hedhur rrënjë.

Nacionalistët u grupuan menjëherë pas pushtimit, 1939, në një organizatë të fshehtë politike të kryesuar nga Midhat Frashëri. Kundërshtarët e tyre politikë, komunistët, vazhduan deri në 1941 të ekzistonin të përçarë, derisa emisarët e Partisë Komuniste Jugosllave i mblodhën të gjithë së bashku në Partinë Komuniste Shqiptare.

Më 1 dhe 2 gusht 1943, pak ditë pas rrëzimit të Musolinit nga pushteti, të dyja palët u mblodhën në Mukje për të krijuar një front të përbashkët. Bashkimi ishte i përkohshëm. Marrëveshja e Mukjes, e cila nuk u pëlqeu jugosllavëve pranë PKSH, u bë shkak i përçarjes më të thellë ndër shqiptarët, plagët e së cilës nuk janë mbyllur edhe sot.

Marrëveshja dhe mosmarrëveshja

Të gjithë librat e historisë që u shkruan në mbarim të luftës pranojnë njëlloj vetëm qëllimin e marrëveshjes - bashkimin e forcave të Ballit dhe Komunistëve në një front të përbashkët - dhe autorët e prishjes së saj. Shpjegimet për shkaqet e prishjes janë të ndryshme.

Historianët pro komunistë, një pjesë e tyre kishin edhe teserën e PKSH, mbrojtën pikëpamjen se Enver Hoxha e prishi marrëveshjen, sepse Balli Kombëtar, “jo vetëm që s’kishte shkrehur asnjë pushkë kundër armikut, por kishte bashkëpunuar me të.” (“Historia e Shqipërisë”, 1965). Ky është varianti zyrtar që u paraqit edhe në botimet e tjera në Shqipëri për gjysmë shekulli.

Botimet jashtë ndikimit akademik, arkivat dhe dëshmitarët flasin ndryshe.

M. Himçi, komandat i çetës partizane të Ishmit, 1943: “Lidhjen e Mukjes e prishi qendra e Partisë Komuniste Jugosllave.”

Xhelal Staravecka, asokohe drejtues i rëndësishëm i Nacionalçlirimtares: “A e dini pse u prish bashkimi i Kongresit të Mukajt? Ja pse: Në atë kongres ishte shënuar fjala “Shqipëri etnike”, domosdo për Kosovën. Mirëpo Dushani e Miladini nuk duronin që Kosova t’i hiqej Jugosllavisë.”

Miladin Popoviçi, themeluesi i PKSH: “Nuk pranohet ky bashkim.”

Miladini i shkruan Titos: “Kemi ndikuar në PKSH dhe në LNÇL që gjithsesi ta prishim Marrëveshjen e Mukjes”.

Ka një pafundësi pohimesh të tilla. Dhe këta janë përfaqësues të PKSH, ndërsa për nacionalistët, sigurisht, s’ka patur dyshim që marrëveshjen e prishën jugosllavët dhe veglat e tyre.

Konsultime historike

Tekstet zyrtare të historisë, duke filluar me botimin e vitit 1965 e më pas, paraqesin variantin e deformuar të saj.

Edhe botimet e mëvonshme të Akademisë së Shkencave, siç është botimi i vitit 2008, nuk janë treguar të hapur për dokumentet që gjenden në arkiva apo punimet e historianëve të tjerë jashtë Akademisë.

Për marrëveshjen e Mukjes ka një sërë botimesh të tjera që mund të konsultohen: “Mukja - shans i bashkimit, peng i tradhtisë” dhe “Lufta Civile në Shqipëri” - nga Uran Butka; “Hasan Dosti - një jetë për çështjen shqiptare” - përmbledhje kujtimesh, letrash, referatesh e dokumente të tjera të Hasan Dostit.

Ka edhe shumë të tjerë, mjafton të vazhdohet leximi duke ndjekur referencat e librave.

Për ata që u pëlqen të njohin historinë e vërtetë të Shqipërisë, këshilla më e mirë është: Lexoni gjithçka të shkruar për Shqipërinë, sidomos kujtimet e dëshmitarëve të ngjarjeve dhe historianët shqiptarë pa grada shkencore.

Letër e Enver Hoxhës dërguar Ymer Dishnicës

Shafingo,

Për traktin që na dërgon Hyseni t’i nuk na kishe vënë në dijeni më parë dhe kurdoherë na vë përpara një “fait accopli” duke mos na lajmëruar përpara për hedhjen e traktit, për përmbajtjen e tij dhe të na kërkoje mendimin tonë për një gjë të tillë me kaq rëndësi historike. Në Labinot të ishte thënë si ty si Tafarit që kompetenca juaj nuk shkonte deri në këtë pikë (nuk zgjatem në këtë pikë, pse ju e dini fare mirë deri ku ishit kompetentë dhe s’u ishte pengue iniciativa, por një iniciativë në favor të Partisë dhe jo në dëm të saj). Juve vetëm duhet të bisedojshit me Ballin, ta shtyjshit për një bashkim konkret me neve, por ky bashkim nuk kryhet në tryezë, por në terren, në luftë. Ju ishin caktuar gjithashtu pikat mbi të cilat duhet të bisedonit dhe të konkludonit (shif edhe letrën 6/8/43). Ti ke ra këmbë e krye në pozitat e Ballit me këtë trakt, ku flitet për Shqipëri Etnike dhe ku nuk flitet aspak për luftën kundër fashizmit dhe për luftën tonë. Asnjë fjalë nuk ka në trakt për Partinë Komuniste. Bashkimin e keni ba në kondita paritetike në mes Ballit që është një organizatë dhe KNÇ që është një front. Me këtë trakt juve pranoni që të hidhet një perde në të tërë të kaluarën dhe të tashmen e fëlliqur të Ballit dhe i hapni dyert Ballit që të hyjë triumfalisht në histori. Prandaj: ky trakt, i cili shkel kryekëput vijën tonë politike, dënohet nga Komiteti Qendror.

Duhet të kuptosh se si edhe të gjithë oportunistët e tjerë kanë sot nevojë të madhe për të kapërxyer me marifet të kalumen, duhet të kuptosh se ata janë vërsul me tërë forcat e tyre për të trashëguar fashizmin që po vdes (po që nuk ka vdekur akoma i thuaj Tafarit); për të marrë pushtetin dhe për të na larguar neve nga radha e parë ku jemi sot dhe për të na dhënë shqelmin nesër; veçanërisht kur konditat politike të jashtme po rrokullisen, juve nuk deklaroni luftën kundër fashizmit, por proklamoni independencën, kur okupatori është edhe brenda, gjithashtu Shqipnin Etnike, tezë që e mbron vetëm fashizmi dhe reaksioni.

Për sa thamë më nalt, në qoftë se trakti nuk është shpërndarë, të mos shpërndahet në asnjë mënyrë, sepse ky trakt është një kapitullim komplet përpara Ballit. Me këtë trakt ju keni fshirë KNÇ, shtabin dhe ushtrinë që i ngritëm me aq gjak e sakrifica; ju çduktë parullat që dy vjet me radhë udhëhoqnë dhe frymëzuan luftën e popullit tonë.

Emri i Këshillit për Shpëtimin e Shqipërisë është krejt i gabuar si në fond dhe në formë. Dhe letrat e tua për sa i përket të katër pikave janë kontradiksion me pikat e traktit. Luftën tonë e futët në pellgun e Ballit përpara atij Këshilli, i ndërtuar me kufomat e shokëve tanë të vrarë nga fashizmi dhe nga Balli. Me hedhjen e traktit ju keni krijuar një situatë të vështirë, prandaj mos u shtyni më tutje në biseda dhe sidomos mos konkludoni asnjë marrëveshje tjetër. Së shpejti Partia dërgon një delegat tjetër.

Shënim: Tafari - pseudonim i Mustafa Gjinishit. Hyseni - pseudonim i Gogo Nushit.

Marrë nga libri “Hasan Dosti - një jetë për çështjen shqiptare”, faqe 100-1001.

ǒna duhet Kosova

Fragmente nga debati në Mukje për çështjen e Kosovës:

Gogo Nushi, përfaqësues i PKSH: - ǒna duhet Kosova, ne kemi hallin e Shqipërisë!

Besnik Çano, përfaqësues i rinisë nacionaliste: - S’ka shqiptar që nuk e do Kosovën, përveç atyre që i shërbejnë serbit.

Myslym Peza: - Kosovën na e ka falë fashizmi. Ne nuk pranojmë dhurata nga fashizmi.

Nexhat Peshkëpia: - Kur të humbet ora dhe një i huaj e gjen dhe ta kthen, ajo nuk duhet pranuar, kur është jotja?!

Marrë nga libri “Mukja - shans i bashkimit, peng i tradhtisë”, Uran Butka, faqe 60.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›