Rilindja e nevojshme dhe pluralizmi i mendimeve Nga Mentor Tahiri Kombi shqiptar në tërësi në atdheun e tij të fragmentuar, mes amullive dhe mjegullave të rrethanave politike, ka ditur dhe ia ka dalë të rilindë e të rishfaqet edhe në kohërat më të v
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Rilindja e nevojshme dhe pluralizmi i mendimeve Nga Mentor TahiriKombi shqiptar në tërësi në atdheun e tij të fragmentuar, mes amullive dhe mjegullave të rrethanave politike, ka ditur dhe ia ka dalë të rilindë e të rishfaqet edhe në kohërat më të vështira, kur për shumë kë drita e shpresës ka qenë shumë e largët. Rrethanat ndryshojnë, por nevoja permanente e kohëpaskohshme për rilindje paraqitet.
Te ne, si tek asnjë komb tjetër, nocioni i rilindjes ka pozitën e posaçme në memorien kolektive dhe shpreh me shumë saktësi atë forcë që buron nga ky komb, atë vullnet të pakrahasueshëm shqiptar që shpesh ka ditur të prishë plane dhe vizatime hartash. E tillë ishte edhe Rilindja Kombëtare që solli te vetëdijesimi kombëtar shqiptar, atëherë kur na konsideronin vetëm si një emër gjeografik brenda një perandorie, e tillë ishte edhe Rilindja Demokratike në Kosovë që sfidoi armikun e dyfishtë ideologjinë pan-sllaviste dhe komunizmin apo ajo që rrëzoi enverizmin në vitet e hershme ‘90, pa harruar këtu edhe përpjekjet mes këtyre periudhave.
Rilindja si fenomen i ecejakeve historike paraqitet edhe si një motor lëvizës kundrejt stanjimit të kohëpaskohshëm dhe shtypjes. Në të gjitha rastet e kësaj përvoje shqiptare, rezistenca civile, shpirtërore, intelektuale, lëvizjet studentore apo rezistenca e çfarëdo forme të ketë qenë, përfshirë edhe mekanizmat e armatosur, është pjesë integrale e rilindjes si një proces të përgjithshëm të evoluimit qytetar dhe emancipimit politik. Mënyra e artikulimit të kërkesave ka gjetur modalitetet e saj, padyshim kanalizimi i përpjekjeve ka dalluar dhe kjo jo rrallë ka ditur të jetë objekt i paragjykimeve. Një gjë është e pamohueshme, në të gjitha rilindjet tona, synimi ishte i njëjtë, liria për kombin shqiptar, pavarësia e tij dhe demokratizimi i shtetit dhe shoqërisë në mënyrë që më tutje të mundësohen lirshëm proceset e tjera.
Por të pyetemi. A ishte qëllim i përpjekjeve shqiptare edhe mundësimi i proceseve që sot i mundësojnë individëve të përvetësojnë këto përpjekje apo edhe të atyre individëve që pretendojnë të kenë filluar historinë nga e para ? Sigurisht që jo dhe kjo na bën të rishikohet shumëçka. Ky komb nuk dha kaq shumë dëshmorë dhe nuk përjetoi kaq shumë vuajtje që sot vuajtjet dhe pakënaqësitë të vazhdojnë. Aq më tepër këto sakrifica nuk janë bërë që sot t’i mundësohet dikujt ta diferencoj veten si elitë, e cila bën jetën paralele, por krejtësisht të ndryshme me qytetarët. Kësaj elite nuk i ndalet rryma në shtëpi, nuk i ndalet furnizimi me ujë dhe u mjafton që qëllimet e tyre personale t’i realizojnë me një telefonatë të shkurtër. Por aspak nuk është kaq me elemente idilike jeta e qytetarit të rëndomtë.
Atëherë kur përfundon çdo probabilitet për suksesin e përrallave që na servilen, si dhe kur të veniten edhe shpresat e optimistëve më të mëdhenj për përmbushjen e premtimeve që politikanët transitorë me aq shumë zemërgjerësi i japin gjatë fushatave zgjedhore apo synimeve të tyre karrieriste njëdrejtimëshe, ku ata si pasojë e egocentrizmit të tyre e konsiderojnë vetën të pazëvendësueshëm, piqen kushtet që ngadalë, por vendosmërisht të paraqitet një spontanitet kolektiv, i cili fillon të japë sinjalet e shpresës. Mund të quhet llojllojshëm madje edhe të deformohet nga emrat e etiketuar, pakënaqësi, rebelim i pamatur i një rinie, projeksion armik e deri te mundësitë e pafundme që lejon terminologjia politike dhe përtej saj. Gjithsesi mbetet një fenomen pozitiv i nxitur nga koha dhe i cili patjetër sjell ndryshime deri tek ato rrënjësore.
Sot në rrethanat ku jemi, me një pluralizëm pavarësisht çfarë është, një rilindje si fenomen shqiptar mund të arrihet edhe me ndryshime thelbësore në partitë politike si mjet i artikulimit të kërkesave të qytetarëve dhe përfaqësimit të tyre, bëhet fjalë për ato subjekte politike vërtet të vlerave demokratike, në të cilat, duke i lejuar energjive të reja të japin kontributin e tyre, pamundësohet rreziku nga shkurt-pamësia e vizionit.
Gjithsesi në këtë valle vështirë do të jetë të hyjnë ato subjekte ku ngulfaten iniciativat e reja, të tillët karshi ngritjes së vetëdijes qytetare, e kanë trenin e fundit që iu mundëson rilindjen e tyre dhe rrjedhimisht me këtë rilindjen e shoqërisë e që shpesh ndoshta edhe në mënyrë jo-adekuate e hasim me termin reformë. Shoqëria jonë ka nevojë për një rilindje të vlerave dhe energjive që realisht do të mundësojnë përjetësimin e trinomit liri-pavarësi-demokraci, kjo arrihet atëherë kur egocentrizmi tërhiqet dhe i lëshon vendin vizioneve të freskuara dhe atdhedashurisë.