Durrës, nis puna për portin e qymyreve
Banka Botërore dhe organizmat e tjera financiare ndërkombëtare si Banka Evropiane e Investimeve, kanë vënë kushtet e tyre lidhur me zgjerimin e aktiviteteve portuale në rajonin e Durrësit. Kështu prej disa ditësh ka nisur nga puna zbatimi i një projekti mjaft ambicioz për ngritjen e një porti gjigand për qymyret. Një pajisje gjigande e quajtur Batipal Lundrues (çekiç lundrues) është atashuar kësaj jave në territorin bregdetar, duke nisur të punonte rreth 1.5 milje larg bregut të detit në veriperëndim të Durrësit, fare pranë Porto-Romanos. Pa dyshim që zbatimi i projektit për ngritjen e një porti qymyresh, mbetet një ide ambicioze dhe largpamëse e investitorëve dhe donatorëve të huaj që operojnë në Shqipëri. Këtë javë atje janë ngulur piketat e portit të nesërm të përpunimit të qymyreve. Puna është kryer nga kompania italiane, e cila ka marrë përsipër ndërtimin e kësaj vepre. Madje, sipas burimeve portuale, ka pasur edhe solidaritet ndërmjet kësaj kompanie me kompanitë e tjera shqiptare. Batipali lundrues është në pronësi të koncesionarit dhe është përgatitur që të lundrojë në drejtim të portit të Vlorës, pasi të përfundojë punën e nisur. Hilë Priska, kreu i Komunës së Katundit të Ri, i cili ka në juridiksion këtë truall në bregdet, tha dje për “standard” se “jemi në kuadrin e diskutimeve sensibilizuese për impaktet që do të ketë ndërtimi i portit të qymyreve në zonën tone, gjë e cila do të sjellë rritjen e vendeve të reja të punës”. Për të filluar ndërtimin e veprave të tilla, të cilat zënë qindra hektarë tokë dhe det kërkohet edhe leja nga KRRTRSH. Ndërkohë po bëhet publikisht njohja e komunitetit me studimin e Ministrisë së Energjetikës për projektet e dy parqeve, atij energjetik, si dhe atij industrial, që është vendosur të ndërtohen në këtë qarkun e Durrësit.
A. Ajazi
A. Ajazi