Një meshë për nder të imzot Zef Simonit
Imzot Zef Simoi përcillet me një meshë të mbajtur dje në nder të tij në katedralen "Shën Shtjefni" të qytetit të Shkodrës, i ndarë nga jeta ditën e djeshme në moshën 81-vjeçare. Në meshën Pontifikale të Salikimit, të organizuar për nder të imzot Zef Simonit, i persekutuar dhe i dënuar me 12 vite burg nga regjimi komunist, dom Gjovalin Sukaj, famulltar i Shkodrës, ka bërë të ditur edhe mesazhin që ka përcjellë përmes telegramit Ati i Shenjtë Benedikti XVI nga Vatikani. Në telegramin e dërguar nga Ati i Shenjtë, Benedikti XVI, thuhet se "duke ndjekur shembullin e mësuesit të tij, edhe i ndjeri ipeshkëv Dom Zef i ka kërkuar Atit t‘i falë ata që e kishin dënuar dhe e kishin bërë të vuante aq shumë, duke treguar kështu në mënyrë shprehëse bujarinë dhe zemërgjerësinë e vet". Kryeministri Berisha dhe Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, të cilët kanë marrë pjesë në meshë, i kanë shprehur ngushëllimet familjes së imzot Zef Simonit dhe gjithë Ipeshkvisë, duke vlerësuar se humbja e imzot Zef Simonit është një humbje e madhe për gjithë qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë.