Grinden, qëllon me armë drejt shtëpisë së armikut
ELBASAN - Ka qëlluar me armë drejt shtëpisë së personit me të cilin kishte konflikt, fatmirësisht pa plagosur askënd. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40 të mëngjesit të djeshëm në lagjen "Dyli Haxhire" në qytetin e Elbasanit. Taulant Beti, 23 vjeç, me banim në lagjen "Vullnetari" ka qëlluar me armë në drejtim të banesës së shtetasit Gentian Myrtezai, 28 vjeç, banor i po kësaj lagjeje. Më pas ai ka braktisur armën dhe automjetin dhe është larguar në drejtim të paditur. Fatmirësisht nga të shtënat nuk ka pasur të lënduar, megjithëse paniku i familjes dhe të banorëve përreth ka qenë i madh. Banorët kanë njoftuar sallën operative të policisë dhe një grup agjentësh kanë mbërritur me shpejtësi në vendin e ngjarjes.
Grupi hetimor përcaktoi se autori ka qëlluar në drejtim të banesës së shtetasit Gentian Myrtezai, por pa shkaktuar të lënduar. Në banesë janë identifikuar shenja të të shtënave. Policia gjeti në vendngjarje armën automatike, disa gëzhoja dhe automjetin me të cilin udhëtonte autori. Policisë i është dashur vetëm pak kohë që të identifikojë autorin. Shkak për sulmin me armë ka qenë një grindje e mëparshme mes këtyre personave. Ndaj 23-vjeçarit janë ngritur akuzat e tentativës së vrasjes, prishjes së rendit dhe qetësisë publike, si dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak. I riu është shpallur në kërkim nga policia.