Kartëmonedhat 2000-lekëshe me numrin ZC345897, të falsifikuara
Policia e Durrësit ka vënë në pranga në orët e mbrëmjes 32-vjeçarin Shpëtim Mata pas një denoncimi
DURRËS - Paratë e falsifikuara kanë filluar të hyjnë në treg. Kartëmonedhat e reja 2000-lekëshe tashmë janë një synim. Numri i serisë ZC 345897 duket se ka qenë edhe një faktor që ka çuar në verifikimin e dyshimeve. Rreth orës 21:30 të mbrëmjes së të enjtes policia ka vënë në pranga 32-vjeçarin Shpëtim Mata, i lindur në Kukës dhe banues në Shkozet të Durrësit. Shkak për këtë ka qenë denoncimi i një shtetaseje se ai ishte përpjekur që t'i jepte kartëmonedha 2 000-lekëshe të falsifikuara. Pas kallëzimit penal të kryer nga Limane Sokoli, policia ka kryer verifikimet dhe në mbrëmje është vënë në pranga edhe 32-vjeçari. Burime zyrtare të bluve bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 16:00 të së enjtes. Në këtë kohë Shpëtim Mata i ka dhënë Limane Sokolit 12 copë kartëmonedha 2000-lekëshe dhe i ka kërkuar që t'ia thyejë. Por ka rezultuar se të gjitha këto para ishin të falsifikuara. Kartëmonedhat mbanin të gjitha numrin e serisë ZC 345897.