E Diel, 1 Nëntor 2026

Një mision i pamundur diplomatik i Serbisë

Kronika diplomatike ballkanike e nisi vitin me një nismë të re të presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, për të ndërmjetësuar në konfliktin mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit. Në fjalën e mbajtur më 5 janar, në konferencën vjetore të ambasadorëve serbë, presidenti deklaroi: "Ne jemi gati të marrim rolin e mediatorit në debatin për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë. Ne dëshirojmë të jemi pjesë e zgjidhjes". Oferta e presidentit serb shkaktoi një ngacmim në disa qarqe diplomatike në rajon dhe jashtë tij, të interesuara për zgjidhjen sa më parë të një konflikti pothuaj 20-vjeçar dhe i cili ka bllokuar rrugën e Shkupit për të hyrë në NATO dhe në BE. Ajo që e bëri më interesante këtë ofertë, ishte fakti se u shpall në një kohë kur kryeministri i Greqisë, Jorgos Papandreu ndodhej si i ftuar i posaçëm në konferencën e ambasadorëve serbë në Beograd, dhe në bisedimet kokë më kokë me presidentin Tadiç kishte diskutuar edhe çështjen e emrit. Kjo krijoi një përshtypje sikur udhëheqësi i Serbisë dhe ai i Greqisë ishin konsultuar me njeri-tjetrin për këtë ofertë serbe, mirëpo vetë Papandreu e shmangu që të bënte ndonjë koment publik për propozimin serb të ndërmjetësimit. Parimisht, çdo lloj nisme për të ndihmuar në zgjidhjen apo në lehtësimin e një konflikti apo një tensioni në rajonin tonë, është e mirëpritur si gjest i vullnetit të mirë. Por në planin diplomatik dhe real të çështjeve dhe të proceseve gjërat kërkohet të shihen përtej këtij vullneti të mirë, sidomos lidhur me shanset reale dhe konkrete të kësaj apo asaj nisme ndihmuese. Kështu që edhe oferta e presidentit të Serbisë për ndërmjetësim u vlerësua si qëllimmirë nga ana e kryeministrit maqedonas, Nikolla Gruevski, por ai shtoi se Tadiç "nuk është as politikani i parë dhe as i fundit, që ofrohet për një hap ndërmjetësimi". Duke analizuar karakterin e mprehtë të konfliktit mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen emrit, një veçori e rëndësishme është se ai konflikt nuk paraqitet me efekte thjesht dhe vetëm dypalëshe, po të kemi parasysh se bllokimi i anëtarësimit të Shkupit në NATO dhe në BE është një situatë e palumtur, si për popullin maqedonas, ashtu dhe për popullin shqiptar në Maqedoni. Ai ka efekte edhe në politikën atlantike në Ballkan, sepse ka bllokuar shtrirjen e NATO-s në Ballkanin Qendror dhe e ka kthyer Maqedoninë në një lloj grope të zezë në planin strategjik atlantik. Ka efekte edhe në politikën e Bashkimit Europian në Ballkan, sepse ka bllokuar procesin e integrimit të një shteti kandidat në BE. Konflikti mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin është një konflikt i komplikuar, i vështirë dhe me efekte të gjëra rajonale dhe ndërkombëtare. Si i tillë, ai përfaqëson një barrë tepër të rëndë për çdo shtet apo personalitet me staturë ndërkombëtare, që do të guxonte të ndërmerrte hapin e ofertës për ndërmjetësim. Por, a i kanë presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, dhe Serbia, fuqitë, shanset dhe peshat për të qenë ndërmjetësues në këtë konflikt nga më të ndërlikuarit e rajonit tonë? Duhet pranuar qysh në fillim se karakteri dhe dimensionet e konfliktit janë të tilla, që nuk i mbajnë dot supet e presidentit serb dhe as të Serbisë. Boris Tadiç zgjodhi të bëjë "ofertën për ndërmjetësim" dhe ky ishte termi që ai përdori vetë në fjalimin e tij. Por, për konfliktin mes Greqisë dhe Maqedonisë për emrin ka 15 vjet, që po ndërmjetëson Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe nuk ka arritur të ngjisë në majën e zgjidhjes gurin e Sizifit të këtij konflikti. Bisedimet mes Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit, që zhvillohen nën patronazhin e OKB-së, kanë pasur dhe kanë për ndërmjetësues diplomatë të niveleve shumë të larta nga SHBA. Pra kanë qenë dhe janë diplomatë amerikanë, që kanë mbështetjen e SHBA, dhe nuk kanë mundur deri tani të bindin të dy palët që të gjejnë rrugën e kompromisit dhe të zgjidhjes së konfliktit. Për të ndihmuar dy shtetet që të gjejnë rrugën e kompromisit, kanë ndërhyrë dhe janë angazhuar qarqet diplomatike të Aleancës Atlantike, të cilat ishin të interesuara që edhe Maqedonia, bashkë me Kroacinë dhe Shqipërinë, të bëhej anëtare me të drejta të plota në NATO. Samiti atlantik i Bukureshtit, në prill të vitit 2008, kur Shkupi nuk mori dot ftesën e anëtarësimit, demonstroi në një farë mënyre edhe mossuksesin e diplomacisë atlantike për të bërë të dy palët të binin dakord. Për gjetjen e rrugës së zgjidhjes ka qenë e angazhuar edhe diplomacia e Bashkimit Europian, e cila me kapërcimin e kësaj pengese do ta kishte rrugën e hapur për t'i ofruar një datë Shkupit për hapjen e bisedimeve të pranimit. A mundet tani presidenti i Serbisë të arrijë atë që nuk po e bën ende OKB-ja, që nuk po e bëjnë ende SHBA, NATO dhe Bashkimi Europian? Vështirë të gjesh në qarqet serioze diplomatike ndonjë, që të besojë se ndërmjetësimi i tij ka kapacitetet, ndikimet dhe mundësitë, që të realizojë këtë mision të pamundur për të. Presidentit të Serbisë dhe shtetit të Serbisë nuk është se i mungojnë vetëm kapacitetet, potencialet dhe instrumentet e duhura. Kushti i parë sine qua non që një ndërmjetës të jetë i suksesshëm, është besueshmëria, gjë e cila vështirë të thuhet se e gëzon Serbia të paktën te njëra palë, Maqedonia. Analisti i njohur maqedonas, Dimitar çulev, shkruante në "Utrinski Vesnik", më 9 janar, se "Serbia, edhe po të dojë, nuk mund të jetë një ndërmjetës real. Beogradi s'mund të jetë mediator i paanshëm". -Serbia është shteti, që në Maqedoni gjykohet se është aleat dhe palë me Greqinë. Kujtimet historike që kanë maqedonasit për Serbinë, nuk janë aq të ëmbla, dhe mediat maqedonase, me rastin e ofertës, rikujtuan se 17 vjet më parë presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç i pat bërë ofertë kryeministrit të Greqisë, Kostantin Micotaqis, që ta ndanin së bashku Maqedoninë. -Serbia është shteti, që në çështjen e emrit ka mbajtur një qëndrim zyrtar të lëkundshëm. Muajin e kaluar, ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiç deklaroi se Serbia mbështet pozicionin e Greqisë për emrin dhe ajo do të përdorë akronimin FYROM në vend të emrit, që Maqedonia ka në Kushtetutën e vet. Qeveria e Maqedonisë bëri një protestë të fortë dhe kjo e detyroi qeverinë e Beogradit të korrigjonte ministrin e Jashtëm dhe të deklaronte se i përmbahej përdorimit të emrit kushtetues. Mirëpo, një nismë diplomatike nuk mund të tingëllojë shumë bindëse, kur vetë shefi i diplomacisë serbe e ka prononcuar me zë publik anshmërinë e tij në favor të një pale. -Serbia ka probleme të hapura me Maqedoninë. Vetë Beogradi e quan të hapur problemin e kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë, në një kohë që dy shtetet, Kosova dhe Maqedonia, e kanë mbyllur këtë çështje me marrëveshje shtetërore, të ratifikuar edhe nga parlamentet. -Serbia ka problemin e kishës me Maqedoninë, sepse Kisha ortodokse serbe nuk e njeh Kishën ortodokse maqedonase. Presidenti Boris Tadiç ka ofruar më parë ndërmjetësimin e tij mes dy kishave, por konflikti nuk është zgjidhur. Pra presidenti ka mundur të zgjidhë një konflikt, ku është palë me Maqedoninë vetë vendi i tij. Jo për t'u anashkaluar është dhe kuota emotive në shoqërinë maqedonase lidhur me rolin e Serbisë në këtë ndërmjetësim, siç dëshmon përkufizimi, që i bëri ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Sllobodan çashule, ofertës së presidentit serb, duke e quajtur "jo serioze, hipokrite dhe qesharake". Këto dhe shumë faktorë të tjerë e bëjnë misionin diplomatik të ndërmjetësimit, të shpallur nga presidenti i Serbisë, një mision të pamundur. Duket se Beogradi e ndërmori këtë nismë më shumë i nisur nga interesat e tij për të forcuar pozitat në rajonin e Ballkanit. Ai synon t'i demonstrojë BE-së dhe SHBA-së, se është një lojtar i rëndësishëm në rajon, aq i fuqishëm sa mund edhe të ndërmjetësojë për zgjidhjen e konflikteve mes shteteve. Në fund të fundit, kjo nismë rezulton si një lëvizje diplomatike, që, më shumë se konfliktin për emrin, ka objektiv forcimin e pozitës politike dhe diplomatike të vetë presidentit të Serbisë. është një taktikë e njohur ballkanike e politikës lokale, e cila historikisht ka dështuar të fitojë një reputacion më të madh rajonal apo ndërkombëtar, me ambicien për gara të mëdha dhe globale. Ndaj në diplomaci, lojtarët lokalë bëjnë mirë t'u qëndrojnë larg lojërave globale, që kërkojnë aktorë të mëdhenj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›