E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një monument për Ali Podrimjën

Kryeqyteti i Kosovës nuk ka monument që i kushtohet ndonjë poeti. Edhe pse ka shumë shkrimtarë që e meritojnë një gjë të tillë, asnjë prej tyre nuk do ta meritonte më shumë sesa Ali Podrimja, i cili ndërroi jetë para pak ditësh. Komuna e Prishtinës shprehet e gatshme që ta nderojë poetin, qoftë me monument, qoftë me emërtimin e një rruge. Edhe Ministria e Kulturës shpreh gatishmërinë e saj për të ndihmuar në këtë çështje.

Në shumë vende të botës shkrimtarët që kanë dhënë një kontribut të madh për shoqërinë, kulturën apo artin nderohen në mënyra të ndryshme. Pas vdekjes, përpos tjerash, atyre u ngrihen monumente të ndryshme. Kryeqyteti i Kosovës, Prishtina, nuk ka ndonjë monument që i kushtohet ndonjë shkrimtari apo ndonjë njeriu që ka kontribuuar në shkencë, kulturë apo art. Dominojnë luftëtarët. Në mbledhjen komemorative që u mbajt nga Akademia e Shkencave dhe Arteve për nder të poetit të ndjerë Ali Podrimja, kryetari i akademisë propozoi që emri i poetit t’i vihet ndonjë rruge apo edhe të ndërtohet ndonjë monument apo bust i Ali Podrimjës, i cili do të vihej në ndonjë shesh apo bulevard të Prishtinës. Megjithatë, në Komunën e Prishtinës nuk ka mbërritur ndonjë kërkesë e tillë. Zëdhënësi i komunës, Asdren Osaj, tha për Express se komuna nuk ka marrë ndonjë kërkesë me shkrim prej akademisë apo prej ndonjë institucioni tjetër për një gjë të tillë. Ai shtoi se Komuna e Prishtinës do ta shqyrtojë mundësinë që poeti Ali Podrimja të kujtohet ashtu siç e meriton ai.

“Ne i qëndrojmë asaj çka ka thënë kryetari në Akademi se do të bëjmë gjithçka si komunë që Ali Podrimjën ta kemi dhe ta kujtojmë ashtu siç është më së miri dhe ashtu siç e meriton ai. Kur e themi këtë kemi parasysh ndërtimin e një busti apo emërtimin e ndonjë rruge me emrin e poetit”, tha Osaj. Ai shtoi se ekzistojnë rrethana të ndryshme në të cilat komuna e bën një gjë të tillë. Njëra, sipas tij, është që komuna e krijon një komision për emërimin e rrugëve, shesheve, bulevardeve dhe gjërave tjera dhe një proces të tillë komuna e bën vet. Tjetra është kur në komunë bëhet një kërkesë nga ndonjë organizatë, OJQ, ministri apo qoftë edhe nga një qytetar i thjeshtë. Osaj theksoi se komuna do të vendosë se çka është më e dinjitetshme për poetin.

“Varësisht se si vlerësohet se çka është më e mirë dhe çka është më e dinjitetshme për poetin dhe vendosim. A është më e dinjitetshme një statujë, një bust, apo emri i një rrugë apo bulevardi apo diçka tjetër? Jemi në atë parim që atë ta kujtojmë ashtu siç e meriton ai më së miri”, tha Osaj.

Edhe në Ministrinë e Kulturës ekziston gatishmëria që poetit Ali Podrimja t’i ndërtohet një monument apo shtatore. Shasivar Haxhijaj, këshilltar i lartë i ministrit të kulturës, Memli Krasniqi, u shpreh për Express se parimisht MKRS nuk merret drejtpërdrejt me ndërtimin e shtatoreve apo monumenteve, por në raste të caktuara i mbështet kërkesat specifike të autoriteteve komunale apo instancave të tjera.

“Në këtë drejtim, ne mendojmë se është e rëndësishme që figurave më relevante të historisë sonë, por gjithsesi edhe të kulturës sonë kombëtare ku, pa dyshim, Ali Podrimja zë një vend të veçantë, t’u ngrihen monumente që shprehin respektin për punën, kontributin apo sakrificën e tyre”, tha Haxhijaj.

Në anën tjetër, Naime Beqiraj, poete dhe mike e Ali Podrimjës, shprehet skeptike lidhur me këtë gjë. Ajo përmend raste të shumë poetëve tjerë, emrat e të cilëve nuk i janë vënë asnjë institucioni apo rruge. Ndërsa, për shtatore apo monumente as që bëhet fjalë.

“15 vjet e tre muaj pas vdekjes, ende asnjë institucioni apo rruge nuk i është vënë emri i poetit Azem Shkreli. E vetmja kujtesë për njërin nga poetët më të mëdhenj shqiptar është çmimi letrar ‘Azem Shkreli’, i cili është krijuar para disa vitesh, me atë se çfarë po ndodh me këtë çmim dhe letërsinë që po vlerësohet (më shumë se formë lobingjesh se sa vlerash), nga viti në vit nuk e ka peshën që e kishte në fillim. Bartës i këtij çmimi për vepër jetësore ka qenë edhe vet Podrimja, me të cilin disa herë kemi biseduar se si nuk e kujtojmë Azemin ashtu siç e meriton. Dinjitetshëm”, u shpreh Beqiraj. Ajo shtoi se as emër rruge, as skulpturë e as emër institucioni nuk ka me emrat e poetëve: Mirko Gashi, Rrahman Dedaj, Rifat Kukaj, Teki Dervishi, as Fahredin Gunga.

“Madje edhe manifestimi ‘Kepi i Shpresës së Mirë’, që mbahej në Mitrovicë me emrin e këtij të fundit, u ndalua së vepruari për ç’gjë Podrimja kishte reaguar qoftë verbalisht, qoftë më shkrimet e tij. Ç’është më e keqja, kujtoj se para 12 vitesh, kur në Pejë, një komision kishte vendosur që ta emërtonte një rrugë me emrin e Azem Shkrelit, ishte ngritur pikërisht një poet mediokër dhe kishte reaguar me një arsyetim banal. Sot e atë ditë asnjë rrugë e Pejës nuk e mban emrin e Shkrelit, ndërsa më pas bibliotekën komunale e patën emërtuar me emrin e këtij poeti”, theksoi Beqiraj.

Sipas saj, nëse ASHAK organizohet seriozisht, një vepër skulpturale me emrin e Podrimjës do të realizohet dhe ajo nuk do të vonojë. Por, shtoi ajo, kriter duhet të jetë cilësia e jo thjesht përmendore e stilit socrealist të cilat si të tilla, në dekadën e fundit vetëm se i kanë shëmtuar figurat e heronjve, në vend se t’u bënte nder.

“Mos u realizoftë kurrë nëse do t’u përngjante të tillave (secila më e shëmtuar se tjetra)”, tha Beqiraj. Ajo mori si shembull rrugët e Oslos, të cilat janë të mbushura me vargje të poetëve. Sipas saj, do të kishte qenë mirë që në hapësirën para Ministrisë së Kulturës të skalitën vargje të poetëve tanë si Podrimja, Shkreli e të tjerë.

“Unë kam parë rrugët e Oslos se sa të dinjitetshme dukeshin ku në betonet dhe kalldrëmet e tyre ishin të skalitura vargjet e dramaturgut Ibzen, por edhe të poetëve të njohur norvegjez. Një varg i Ali Podrimjes dhe i Azem Shkrelit në betonin përpara Ministrisë së Kulturës, them se do të kishte peshë dhe do të ishte nder për qytetarët e Prishtinës, ndërsa sa i përket lokacionit ku do të vendosej një vepër skulpturale e Luan Mulliqit, Veli Blakçorit apo Adem Rusinovcit, mendoj se do t’i jepte hijeshi parkut të Gërmisë, në hapësirën e gjelbëruar në ASHAK apo përpara Bibliotekës Kombëtare”, tha Beqiraj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›