E Diel, 1 Nëntor 2026

Një muaj paraburgim, të dyshuarve për vrasjen në Malishevë

Nga Express më 05 janar 2011 në ora 12:24

Gjykata e Qarkut në Prizren ua ka caktuar nga 30 ditë paraburgim 12 të arrestuarve, në mesin e të cilëve janë edhe tre djemtë e Gani Krasniqit, ish-kryetarit të Malishevës, i cili në zgjedhjet e 12 dhjetorit të vitit të kaluar ka konkurruar në listën e lëvizjes “Vetëvendosje” për deputet.

Arrestimi i 12 meshkujve, kryesisht të rinj, nga fshati Carrallukë, është kryer nën dyshimin se kanë organizuar dhe kryer sulmin në familjen Limaj natën e 1 janarit derisa kjo familje po festonte ndërrimin e moteve në restorantin e tyre “Kështjella” në Banjë.

Koha Ditore shkruar se policia nuk ka hezituar të publikojë identitetin e personave të arrestuar, madje edhe emrat e baballarëve të tyre, për dallim nga shumë raste të tjera kur mezi publikon inicialet e të arrestuarve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Prizrenit, Hazir Berisha, ka thënë se publikimi i emrave nuk ka ndonjë prapavijë.

“Interesi i publikut ka qenë shumë, shumë i madh. Ka pasur shumë kërkesa që njerëzit të heqin ankthin dhe të dinë se kush është, tek është. Nuk ka pasur ndonjë prapavijë apo diçka tjetër. Nuk e di ndoshta kam gabuar nuk e di. Ndonjë shpjegim tjetër nuk kam”, ka thënë Berisha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›