E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tash duan shtëpi

Gjashtë familje rome në Plemetin, afër Obiliqit, kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Banesat e tyre janë djegur në natën e Vitit të Ri. Ata tash kanë kërkesa të reja. Nuk duan më banesa, por kërkojnë t’u ndërtohen shtëpi individuale. Ende nuk dihet shkaktari i vërtetë i djegies së katit të gjashtë të objektit të ndërtuar vetëm para gjashtë vjetësh. Nga Nebih Maxhuni më 05 janar 2011 në ora 12:21

Enver Fazliu bashkë me gruan dhe pesë fëmijët e tij është në hall të madh. Ai kërkon strehë për ta futur kokën bashkë më familjen e tij.

Kryefamiljarit nga komuniteti rom, në natën e Vitit të Ri, zjarri i ka djegur tërësisht banesën në Plemetin. Zjarri i shpejtë që ka shpërthyer atë natë, ka përfshirë katin e gjashtë të banesave kolektive në të cilën gjenden romë dhe ashkalinjë.

Enverit, nga ajo natë, kush ka mundur nga të afërmit e tij i ka bërë konak herë pas here.

Ai rrëfen tmerrin që kanë përjetuar në natën e 31 dhjetorit kur zjarri përfshiu katin e sipërm të banesës kolektive, në të cilën në vitin 2003 - 2004 ishin strehuar romë të hequr nga kampi i tmerrshëm në Plemetin.

“Unë nuk di çka të bëj tash. Kam gruan dhe pesë fëmijë, gruan e kam shtatzënë. Banesa si po e shihni, është djegur e tëra. Nuk di se ku shkoj...”, thotë Enveri për Express.

Ai thotë se derisa disa të rinj romë kanë qenë duke festuar natën e Vitit të Ri, rreth orës 21 e 30 minuta, kanë parë zjarr në katin e gjashtë të banesës ku edhe Enveri banon.

“ Kemi evakuuar fëmijët dhe të gjithë anëtarët e tjerë. Kanë ardhë kojshit, na kanë ndihmuar për të larguar anëtarët e familjes për shkak të flakës së madhe”, thotë ai.

Nga ky zjarr, që jozyrtarisht besohet se është shkaktuar nga rryma, për shkak të instalimit jo të mirë, kanë mbetur pa kulm mbi kokë gjashtë familje rome.

Përveç policisë që ka dalë në vendin e ngjarjes, zjarrfikësve dhe KEK-ut, këto familje rome nuk i ka vizituar askush.

“Pos drejtori i emergjencave të Komunës së Obiliqit u konë edhe ai s`na ka thënë kurrgjë ”, thotë Enveri i dëshpëruar.

“Kanë ardhë tash edhe UNHCR-ja, OSBE-ja UNMIK-u për me pa se çka ka ndodh”, thotë një rom tjetër aty.

Tash edhe romët e tjerë që jetojnë në këtë banesë thonë se janë të rrezikuar nga shembja e katit të gjashtë i përfshirë nga zjarri.

“Muret janë ça, ujë nuk kemi, rryma është e instaluar keq, jemi të rrezikuar çdoherë”, thotë Bajrush Berisha (44).

Sipas tij, kjo është hera e tretë që kjo banesë kolektive është djegur.

“Herën e parë është djegur si e kanë bërë inaugurimin e kësaj ndërtese. Herën e dytë, për pak sa nuk është djegur një fëmijë i vogël. Dhe tash sërish është djegur nga rryma”, thotë ai.

Ai jeton në katin e katërt të kësaj banese dhe ka gjashtë fëmijë.

Berisha, i cili është edhe përgjegjës i romëve në këtë ndërtesë, thotë se tashmë ka bërë një peticion të nënshkruar nga 35 familje, për largimin e tyre nga kjo ndërtesë për shkak të kushteve të rënda për jetesë dhe rreziqeve të ndryshme.

“Ne e kemi bërë këtë peticion, do t`ia dërgojmë Komunës së Obiliqit, MKK-së, MPMS-së, UNMIK-ut, EULEX-it, SHBA-së, Zyrës së Kryeministrit e të tjerëve që sa më shpejt të na largojnë nga këtu. Si në fillim, edhe tash kërkojmë që ta na ndërtohen shtëpi individuale. Komuna e Obiliqit ka thënë se ka tokë që mund ta ndajë për ndërtimin e shtëpive”, thotë Bajrush Berisha.

Sipas tij, edhe në kohën kur janë zhvendosur nga kampi i Plemetinit, të gjithë kryefamiljarët e 35 familjeve, kanë qenë kundër vendosjes së tyre në këtë banesë kolektive.

Ai thotë se në atë kohë nuk janë pyetur nga askush.

“Qysh në fillim iu kemi thënë se këtu nuk mund të jetojmë për shkak të kushteve të rënda. Kërkojmë të na ndërtohen shtëpi individuale, e jo siç jemi këtu, në këto banesa. E treta herë që po digjemi”, thotë ai.

E në rast se këto kërkesa nuk u plotësohen, ata thonë se do të marrin familjet e tyre dhe do të vendosen në stadiumin e shkollës, afër banesës.

“Do të dalim në stadium, nën qiell të hapur dhe do të rrimë nën tenda najloni”, thotë ai.

Për shkak të festës, askush nuk zyrtarët e Komunës së Obiliqit nuk ka folur për këtë rast.

Në vitin 2003, ishin vendosur 35 familje rome në ndërtesën kolektive, e cila ka kushtuar rreth 3 milionë euro. Jashtë saj, pa u vendosur kanë mbetur edhe 14 familje rome, të cilat vazhdojnë të jetojnë në kampin e Plemetinit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›