Shpërthim në një autosallon në Vushtrri
Një shpërthim ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22, në sallonin e automjeteve “Morina” në Vushtrri. Me këtë rast janë dëmtuar një numër automjetesh, ka njoftuar policia.
Në bazë të raporteve të para nga hetuesit policorë, mjeti eksplodues ka shpërthyer në brendi të sallonit të automjeteve, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në shtatë automjete. Ndërsa nuk raportohet për të lënduar.
“Vlera e dëmeve të shkaktuara mbetet ende e papërcaktuar ndërsa konsiderohet se dëmet fizike në automjete janë kryesisht thyerjet e xhamave si rezultat i detonimit”, njofton policia, nëpërmes një komunikate shtypi.
Ekzaminimi i vendit të ngjarjes është proceduar nga njësitë përkatëse hetimore të drejtorisë rajonale në Mitrovicë dhe njësisë së specializuar për identifikim të mjeteve eksploduese nga radhët e Policisë së Kosovës.
“Ekspertët e njësisë për trajtim të mjeteve të improvizuara eksploduese të Policisë së Kosovës, të cilët kanë bërë ekzaminimin e vendit të ngjarjes, në bazë të vlerësimeve preliminare kanë konstatuar se shpërthimi kishte ndodhur nga një granatë dore e llojit “M-75” ndërsa është konstatuar se në vend ngjarje nuk kishte pikë goditëse (krater)të shkaktuar pasi që besohet se granata kishte shpërthyer derisa ishte në ajër ende pa rënë në tokë”.
Policia është duke zhvilluar hetimet intensive për të zbuluar shkaqet, motivet dhe të dyshuarit e mundshëm të këtij akti kriminal.
Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ndërsa prokurori publik i prokurorisë së qarkut në Mitrovicë, është informuar lidhur me detajet e rastit të regjistruar.