Një muze mes malesh
Në kohën kur pothuajse kudo nëpër Shqipëri janë zbehur përpjekjet për ruajtjen e vlerave të kulturës materiale e shpirtërore, një fshat i veçuar, apo më saktë një shkollë 9-vjeçare, na kujton të gjithëve të shkuarën tonë nëpërmjet një muzeu etnografik që ka ngritur këto ditë në ambientet e shkollës. Drejtori i shkollës, Xhafer Kovaçi, mësues i historisë, autor i një botimi për Komunën Tërthore ku bën pjesë Breglumi, prej më se dy vjetësh, siç tregon ai, është angazhuar që fshati të ketë më së fundi një muze që t‘u tregojë brezave kush jemi dhe nga vijmë. Pretendimet e muzeut për lashtësinë sigurisht që janë modeste, por ato fiksojnë të paktën disa nga shekujt e mesjetës së vonë, deri në ditët tona. Me rreth 200 objekte të paraqitura, muzeu synon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve për mënyrën e jetesës së banorëve të trevës, për veshjet, mjeshtëritë blegtorale e baritore, zejet e ndryshme, kuzhinën e vjetër, kostumet origjinale të grave dhe burrave me larmi të ngjyrave, si dhe teknologjinë e punimit etj., deri odat e dikurshme me oxhak dhe orenditë e tyre, pa harruar tërësinë e përbërësve të djepit apo armët e brezit të periudhës së kalorësisë. Fshati Breglumë, dikur Përbreg, ka pasur më herët një muze etnografik për ta pasur zili, të cilin e kishte ndërtuar një nga njerëzit më të talentuar të kësaj fushe, siç është dr.prof. Shefqet Hoxha, mësues i popullit, por me djegien e vendit në vitin 1997 u grabit nga keqbërës edhe muzeu i fshatit, i cilësuar në atë kohë si një nga humbjet më të dukshme të kulturës shqiptare, pasi ruheshin objekte tepër të vjetra dhe unikale në Ballkan që hidhnin dritë mbi periudhën e iliro-dardanëve dhe ishte nga më të pasurit në vend. Përpjekja e fundit e Kovaçit me trupën pedagogjike, me nxënësit dhe komunitetin është pothuajse e vetmuar në krejt Qarkun e Kukësit dhe më gjerë. Askund në Kukës nuk ka një muze, qoftë edhe modest, që të funksionojë. Edhe ai i rrethit të Kukësi i përqendruar në një aneks të pallatit të kulturës së qytetit të Kukësit, prej gati dy dekadash qëndron në gjendje magazine. Në Shqipëri ka një Ministri të Turizmit, të Kulturës e kështu me radhë, e cila "ndoshta" ka në detyrën e vet funksionale dhe ligjore të kujdeset për vlerat e tilla, sepse përndryshe çfarë do u tregojmë ne të huajve nëse këto vlera vazhdojmë t‘i mbajnë të "dënuara" në magazinë? Sidoqoftë, muzeu i Breglumit, në anë të autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë, përbën hë për hë oazin e vetëm kulturor, i cili është kontribut plotësisht i komunitetit.