E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ishuj që imponojnë heshtje

Një roman i mirë është vërtet një ngjarje për kulturën e çdo vendi, e aq më shumë për një vend të varfër, mbi të gjitha kulturalisht si Shqipëria. Por ajo është e tillë kur romani është vërtet i mirë. Në të kundërtën, nëse një vepër arti merr përmasa artificiale, mediatike, si dhe kur ajo krijon efekte në mënyrë të drejtpërdrejtë në formimin e bindjeve ideo-kulturore të lexuesit, kthehet në një kronikë të zezë për kulturën e këtij vendi dhe është e destinuar të prodhojë më tepër probleme sesa vlera. Për këtë arsye, në çdo realitet shoqëror normal, kritika dhe debati janë shoqëruese të pandashme të çdo vepre që i ofrohet publikut, duke bërë të mundur të filtrohen vlerat e vërteta që ndërtojnë mendimin e shoqërisë. Në Shqipëri ndodh e kundërta. Një autor i ri shkruan për herë të parë një roman dhe ai gjendet papritur në qendrën e vëmendjes së publikut, duke sfiduar këdo nga më të mëdhenjtë e kësaj gjinie. Në të vërtetë, kjo nuk është dhe aq e panatyrshme për një shoqëri që shikon vetëm televizor dhe nuk lexon thuajse aspak. E gjithë kjo nuk përbën aspak një çudi, në një shoqëri të tillë, që ka kohë që endet somnambulisht në një kaos vlerash pa pasur asnjë orientim të qartë lidhur me modelet që synon të adaptojë. Por problemi qëndron më tepër tek elitat. Në një kohë kur ato duhet të ishin rezistenca e fundit për të mbajtur gjallë vetëdijen shoqërore përballë vlerave që po zvetënohen dita-ditës, sot shohim se ato shërbejnë më tepër si narkozë për të ruajtur anestezinë kolektive, në mënyrë që ndërhyrjet kirurgjikale për të shkulur nga rrënjët memorien historike dhe kulturore si një apandesit i plasur, të mund të realizohen me sukses. Vetëm në këtë mënyrë, kjo kategori e inteligjencës shqiptare, duke prodhuar modele të klonuara të shqiptarit të së ardhmes, beson se do të mund të realizojë transplantin e duhur kulturor dhe ideor, duke fshirë çdo lidhje të identitetit shqiptar me të kaluarën e vet. Mbi të gjitha, ajo që karakterizon këtë kategori shoqërore është mungesa e vullnetit për të prodhuar dhe propozuar vetëdijen reale, por në një masë të madhe, veprimet e tyre motivohen drejt qëllimeve dhe interesave personale, klanore apo edhe ideologjike. Në këtë kuptim, vetëdija bëhet armiku kryesor i elitave të mbrapshta, të cilat më tepër se ta orientojnë synojnë ta sundojnë këtë shoqëri.

Konkretisht, romani i politikanit Ben Blushi, me një sukses prestigjatorik, arriti të mposhtë çdo shkrimtar në këtë vend me numrin rekord të shitjeve. Dukshëm kjo nuk përbën ndonjë risi në Shqipëri. Thuajse në të njëjtat përmasa, kjo dukuri ka qenë prezente edhe më parë, me debutues që janë shfaqur të paarritshëm në hit parade-in e turbo-letërsisë së sotme shqiptare. Gjithsesi, rasti i Blushit, për vetë faktin se romani i tij duket i tejngopur me teza dhe orientime të qarta social-politike, duke bërë që autori të mos lakmojë thjesht epiqendrën e botës letrare, por më tepër atë të mendimit dhe orientimit kulturor e politik në këtë vend. Realisht, me romanin e tij Blushi nuk synon thjesht sukses letrar, por qartazi synon të na përcjellë mesazhe dhe orientime politike e kulturore. Më tepër sesa të paraqesë artistikisht realitete të caktuara historike, shoqërore apo kulturore, ai synon të prodhojë realitete të tilla, duke përcjellë orientime të qarta politike prej fanta-realiteteve historike që ai krijon.

Pikërisht kritika dhe debati do të ishin të pashmangshme në një rast të tillë. Mirëpo, mënyra se si po zhvillohet ky debat të bën të vëresh me keqardhje një mungesë të plotë vullneti për qasje objektive ndaj veprës. Në shumë prononcime, "shtabi elektoral" i autorit, i ngarkuar për t‘i dhënë romanit peshën e nevojshme mediatike, si dhe për të mbrojtur idetë e paraqitura në të, është shndërruar gjithashtu në një gardë ideologjike për të goditur çdo embrion kritike dhe reagimi, apo edhe çdo lexim alternativ të saj.

Aktualisht, gjatë gjithë këtyre ditëve, në shtypin e përditshëm nuk mund të mos vëresh rëndom një frymë penalizimi mbi reagimet e pakta të deritanishme ndaj veprës. Gjithashtu, një agresivitet i tillë publik shprehet edhe ndaj reagimeve që vijnë nga njerëz apo organizata të ndryshme me karakter fetar, të cilat e kanë konsideruar romanin e Blushit, një vepër fyese. Në çdo realitet normal, i gjithë ky agresion ndaj një reagimi të tillë krejtësisht normal dhe qytetar, i cili shpreh thjesht mospajtim ndaj pikëpamjeve që parashtron një vepër letrare, do të dukej absurd. Jetojmë në një shoqëri të lirë dhe kushdo ka të drejtë të reagojë e të mos pranojë gjithçka që e mendon të padrejtë. Por në realitetin shqiptar absurde është të kërkosh normalitet. Sipas logjikës së opinionbërësve kulturorë dhe politikë në këtë vend, këta njerëz nuk kanë të drejtë të ndihen të fyer dhe nuk kanë të drejtë as të kërkojnë që të mos fyhen. Në këtë mënyrë, penalizmi publik nuk ngurron aspak të damkosë si qytetarë të padenjë të gjithë ata që kanë ndjeshmëri të tjera nga sunduesit e sotëm të kulturës dhe mendimit në këtë vend.

Do të ishte ndoshta e tepërt të bënim krahasime me modelet e botës së qytetëruar, ku frymëzohen aspiratat tona integruese, por thuajse të gjitha demokracitë e zhvilluara njohin e konsiderojnë të shenjtë të drejtën dhe lirinë për të reaguar, protestuar, për të shprehur mospajtim ndaj gjithçkaje që duket e padrejtë. Nga ana tjetër, të njëjtat modele politike dhe shoqërore na ofrojnë shembuj pa fund të një vëmendjeje maksimale për t‘u treguar absolutisht intolerantë në rastet kur liria e shprehjes cenon parimet dhe vlerat bazë të shoqërisë apo fyen ndjenjat e pjesëve të caktuara të saj. Pikërisht mbi këtë logjikë, demokracitë e zhvilluara kanë prodhuar ligje që dënojnë dhe nuk lejojnë, p.sh. racizmin, antisemitizmin, fashizmin etj. E kundërta ndodh në Shqipëri. Liria letrare bëhet absolute pa përcaktuar asnjë normë kufizuese apo përgjegjësie, ndërsa liria për të reaguar dhe mos u pajtuar ndaj një vepre letrare është krejtësisht e palegjitimuar, madje e dënueshme moralisht.

Mungesa e vullnetit për një qasje objektive ndaj veprës bën që ajo të mbesë e së paku e patestuar. Në këtë mënyrë, në një klimë të tillë dhune dhe angazhimi kolektiv për të penguar çdo lloj kritike, nuk mund të thuash aspak se vepra ka apo nuk ka vlera, për sa kohë gjuha e mbrojtësve të veprës është e tillë që pengon debatin, si dhe kushtëzon mënyrën e leximit të saj. Në këtë mënyrë, çdo diskutim për veprën do të ishte i tepërt, për sa kohë shoqëria shqiptare duket se nuk e ka fituar emancipimin e duhur për të vënë në diskutim vlerat e veta. Në një kohë, kur thyerja e tabuve, e udhëhequr pikërisht nga kjo kategori, është kthyer në një sport popullor në këtë vend, shohim se rrënjët e tabuve, të ngulura thellë në truallin doktrinar, kulturor që kemi trashëguar, çel ngado sythat e tabuve të reja, të cilat kushtëzojnë skemat e reja të të menduarit. E gjithë kjo duket tepër larg realiteteve që synojmë të brendësojmë në shoqërinë tonë. Krejt ndryshe, tërë ngrehinën që ka mundur të ngrejë kultura perëndimore, të paktën që prej startit të epokës moderne, e ka bazuar mbi themelet e dyshimit dhe testimit: "Mendoj, pra jam", - është emblema e portalit kryesor të ngrehinës moderne të shoqërisë perëndimore, ku mendimi kartezian vjen e buron vetëm prej dyshimit serioz, i cili fillon që prej vetvetes për të vënë në provë gjithçka. Por në epokën e re moderne me ambalazh perëndimor të këtij vendi, dyshimi është shpallur armik kombëtar dhe është i destinuar të izolohet prapa hekurave të hapësirave publike që ndajnë qendrën me periferinë. Pas këtij ambalazhi dukshëm shfaqet i njëjti trup i ndryshkur i një mentaliteti hermetik të gatuar nën kornizat e ngurta të një ideologjie totalitariste të dështuar, si ajo që menduam se flakëm tej në fillim të viteve ‘90. Natyrisht, nuk mund të mos vërejmë që shumica e gardianëve të tillë të angazhuar për të izoluar dyshimin dhe testimin, për ta mbajtur atë larg ndikimit publik, janë individë që vijojnë të vegjetojnë në qarqet e imunizuara elitare të këtij vendi, si pasojë e testamentit që kanë përfituar nga politika dhe ideologjia moniste që i kultivoi shqiptarët me fobinë ndaj diversitetit. Sot, megjithëse duket se kahu i orientimit të elitave shqiptare ka ndryshuar, duket se "perdja e hekurt" ende nuk ka rënë. Ka ndryshuar thjesht kahu i orientimit, por ajo ka mbetur aty për të na dëshmuar se mendësia orientuese është po ajo. Diktatura kulturore në këtë vend ka arritur të mbijetojë, duke gjetur forma të reja për të ruajtur pushtetin. Ja përse sot garda e vjetër kulturore bëhet kaq agresive për të mbrojtur ishujt e Blushit, duke pushtuar hapësirën publike dhe duke shpallur jabanxhi çdo vendali që nuk denjon të "mësojë notin", duke mospranuar të konvertohet në utopitë totalitariste të radhës, që erërat e politikave aventureske përplasin pas bregut në këtë vend.

Në këtë mënyrë, çdokush tashmë e ka të qartë përse është kaq e mundshme në këtë vend të gdhihesh befas shkrimtar, filozof, analist, e po kështu edhe deputet, ministër, e pse jo edhe Kryeministër apo President!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›