E Diel, 1 Nëntor 2026

Çfarë mund t‘i dhurojë arti njeriut?

Edison Çeraj, pedagog i Artit Konceptual në Akademinë e Arteve në Tiranë, i është qasur kauzës së tij si njeri që "noton" në ujërat e artit (e jo vetëm atij pamor), të cilit i takon si profil e specialitet, me një seri shkrimesh eseistike, disa prej të cilave të botuara dhe në faqet e "Shqip"-it, e së fundmi dhe me një libër të titulluar "Arti si Mundësi" (Shkëndija qëmtimesh mbi artin). Në prapathënie libri është quajtur "i mrekullueshëm deri në detaje, kjo përmbledhje e quajtur modestish eseistikë, që arrin te lexuesi me një metodologji të re të zbërthimit tematik. Autori, shkruhet në prapathënie, nuk është i gjithëdituri që të merr përdore për të të drejtuar diku; ai shpalos të gjithë idetë alternative të deritanishme, sado kundërthënëse, të cilat prijnë natyrshëm te konkluzioni që ti vetë e nxjerr... përmes tekstit të shkruar. Kjo përqasje stilistike e ndarjes së pronësisë mbi idetë me lexuesin, e bën këtë tekst një tjetër arritje të kritikës artistike shqiptare". Pra, libri i Çerajt mund të konsiderohet si një kontribut për kritikën, në këto kohë kur kjo lëmë është më e kontestuara... për shkak se mungon e jo vetëm kaq. Më poshtë, në një intervistë ai sqaron përsenë e librit si kumt për lexuesin.

Udha deri te ky libër (jo si udhë fizike) cila ka qenë?

Së pari ju falënderoj për intervistën. Në fakt, kjo është pyetje/çështje tek e cila mund të qëndrojmë goxha gjatë duke e tjerrur. Por, nëse do e thjeshtoja me pak fjalë, mund të them se ky libër është përvijuar po aq natyrshëm për mua sa ç‘është e natyrshme marrëdhënia e fundit me ngjyrat në një pikturë apo me sendet në një instailacion. Përgjatë këtij procesi, përjetimet natyrisht kanë qenë të ndryshme, ndonëse orvatja ime ishte - dhe është - një: çfarë mund të bëjë arti për njeriun, sikundërse e kam shprehur dhe në libër.

Duke u ndalur te titulli "Arti si Mundësi", si mundësi për çfarë?

Në këtë pikë kemi të bëjmë me shtyllën kurrizore të librit, sepse duke qenë se arti është një veprimtari e lidhur ngushtë me aktin e krijimit, pashmangshmërisht është i lidhur me thelbin ontologjik të njeriut, pra me përgjigjen fatfundësore të rrugëtimit njerëzor. Pikërisht, duke e vështruar kësisoj, arti është një mundësi e qenësishme dhe nga njëra anë mjaft e prekshme për ta kuptuar këtë rrugëtim. Dua të theksoj se qëllimi i artit nuk është arti, dhe as stërmundimi për të shprazur ndjesitë kalimtare e mjaft të luhatshme të artistit. Sikundërse, qëllimi i artit nuk është as loja dhe as shkapërderdhja e nepseve të ndrydhura gjatë periudhave të qeverive totalitariste. Pra, gjykoj (për aq sa mund të jetë e përshtatshme kjo folje) se arti është një mundësi, ngaqë, një gjë është katërçipërisht e sigurt; arti nuk është veprimtari absurde.

Cilin lexues keni parasysh kur i keni hedhur "shkëndijat tuaja të qëmtimeve" mbi artin?

Nëse do pohoja që ky libër i drejtohet çdo lexuesi, nuk do ndjehesha i sigurt. Dhe, kjo jo për ndonjë arsye të stërholluar, por thjesht për terminologjinë, e cila nuk është e çfarëdoshme që të jetë e kapshme për çdo lexues, por kryesisht është një terminologji e studiuesve të artit. Fjala vjen terminologjia e veçantë dhe tejet e latuar e Kandinsky-t, që për mua ka qenë pikë e rëndësishme referimi gjatë punës me këtë libër. Ndërsa, sa i përket mesazhit që synon të përçojë libri, mund të shprehem krejt lirshëm që i drejtohet çdo lexuesi. Sidoqoftë, mbetet lexuesi ai që do vendosë.

Ju jeni as/pedagog në degën e Multimedia-s ose, siç njihet ndryshe, të Artit Bashkëkohor në Akademinë e Arteve. Nisur nga "qëmtimet" tuaja, a ka një debat të kësisojshëm e me këtë nivel mes jush (jo juve personalisht, por mes pedagogëve) dhe studentëve?

Sigurisht, përpjekjet dhe arritjet në këtë hulli janë evidente. Marrëdhënia jonë me studentët është vërtet e frytshme, sepse vazhdimisht kemi qenë të hapur me ta në lidhje me propozimet dhe përzgjedhjet e tyre. Për ta pikasur këtë është krejt e lehtë, mjafton një vizitë në ambientet tona të punës. Sa i përket nivelit, nuk është dhe aq kompetenca ime që ta përcaktoj, ama nga ana tjetër shumë gjëra kanë ndryshuar krahasuar me dhjetë vite më parë, sepse bashkëpunimet me akademitë e tjera të shteteve të ndryshme dhe me artistë të huaj janë shpeshtuar përmes vizitave të ndryshme dhe normalisht që kjo është një përvojë plus.

Në këtë kontekst, duhet përmendur se shtimi i përvojës nuk do të thotë zhvillim, sepse zhvillimi dhe evoluimi i përkasin shkencës. Shqetësimi ontologjik i Rembrandt-it, fjala vjen, në marrëdhënie me artin e tij, ka qenë i njëjtë me atë të Picasso-s, dhe po ashtu me çdo cilin artist ngjan i njëjti fenomen, pavarësisht formave të ndryshme të manifestimit. Ndërsa, për analogji, shqetësimi i Newton-it nuk është aspak i njëjtë me atë të Einstein-it. Dihet që tjetër gjë e preokuponte Newton-in dhe tjetër gjë Einstein-in, ngaqë njohuritë mbi materien në shekullin XX ishin shtuar ndjeshëm në krahasim me shekullin XVII.

Pra, sipas jush, krijimtaria në vetvete nuk njeh progres?

Gjithnjë në kuptimin shkencor dhe terminologjik që përmban ky term. Në një farë kuptimi - që sipas meje është më i rëndësishmi - arti nuk bën pjesë në histori. Për shembull, askush nuk mund të thotë se një pikturë e Da Vinci-t i përket një kohe të kaluar dhe si e tillë është vjetruar, kurse një pikturë e Bacon-it është e re sepse i përket shekullit që sapo lamë pas, sepse do ishte krejtësisht e cekët dhe sipërfaqësore si mënyrë arsyetimi, ose më mirë të themi totalisht e paqëndrueshme.

Në këtë kuptim, çdo artist sado shekuj më parë të ketë jetuar, vepra e tij është njëlloj koherente dhe si pasojë po aq subjekt diskutimesh dhe studimesh siç mund të jetë vepra e një artisti të kohës sonë.

Keni menduar sadopak për atë se si do të pritet libri?

Të them të drejtën më karakterizon një lloj qetësie në këtë drejtim. Edhe me ekspozimin e librit nuk jam marrë shumë. Kjo për disa arsye, që më e qenësishmja është zhurma, e cila s‘ka të bëjë asfare me artin e njëmendët, që në greqishten klasike njihet si fama (të bësh zhurmë, zhurmnajë), siç e njohim më në fund edhe ne shqiptarët.

Megjithatë, nga ana tjetër jam shumë kureshtar dhe mirëpres çdo sugjerim, vërejtje apo këshillë. Madje, kjo është e vetmja marrëdhënie që më bën edhe më të ndërgjegjshëm për atë çfarë kam shkruar. Ndërgjegjja mbi pasojat e veprave tona është ilaçi më i dobishëm për të fisnikëruar në të nesërmen qëllimet.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›