Një muze për thesarin e Montekristos
Thesari i Kontit të Montekristos do të ekspozohet në një muze në Itali, që do të ngrihet posaçërisht për të. E kërkuan për shekuj thesarin e San Mamilianos. Alexandre Dumas, duke shfletuar dokumente të kohës dhe duke mbledhur legjenda e përralla, e transformoi në thesarin e famshëm të Kontit që fshihej në ishullin e Montekristos. Në fakt, ai thesar ekzistonte me të vërtetë, por kërkohej në vendin e gabuar. Nuk bëhej fjalë për një ishull misterioz, por një altar kishe, që historianë e arkeologë e zbuluan në vitin 2004. Sipas specialistëve italianë, mundet që ai të jetë pikërisht thesari që përshkruan Dumas në romanin e tij “Konti i Montekristos”. Janë 498 monedha ari, ku është stampuar koka e perandorit Leone I, i cili ka qenë në fron në vitet 457- 474 pas Krishtit dhe të perandorit Antemio (467-472) Thesari, i konsideruar si një nga zbulimet më të rëndësishme numizmatike të dekadave të fundit, do të jetë protagonist i një muzeu, që do të hapet vetëm për të dhe që do të hapet në Sovana më 30 korrik. Për herë të parë, monedhat e ruajtura me shumë kujdes do të mund të shihen për një publik të gjerë.