E Diel, 1 Nëntor 2026

Një në tre shqiptarë, me hipertension



“Rreth 30 për qind e popullatës shqiptare, ose rreth 1 milion persona, vuajnë nga hipertensioni arterial”, - bëri të ditur dje presidenti i Shoqatës Shqiptare të Hipertensionit, Mihal Tase.

Sipas tij, problemi i presionit arterial nuk është vetëm njohja, por problemi më i madh është mjekimi i tij. "Duke qenë një sëmundje që në veten e vet nuk ka asnjë lloj shenje, është shumë e vështirë që t’i thuash një qytetari që do mjekohesh kur ai vetë nuk ndien asnjë shqetësim", - tha prof. Tase. "Për këtë arsye, ne ngremë dhe problemin e mjekimit të rregullt efikas dhe të vazhdueshëm të hipertensionit arterial", - shtoi ai.

Ndërkohë, për sa i përket përgatitjes së mjekut të familjes, si kontakti i parë me pacientin për hipertensionin arterial, prof. Tase tha: "Shoqata Shqiptare e Hipertensionit ka ndërmarrë një sërë trajnimesh në të gjithë vendin me mjekët e familjes dhe ata të përgjithshëm". "Kjo iniciativë e madhe, e mbështetur nga Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë e shëndetit publik në rrethe, po ecën shumë mirë", - vlerësoi prof. Tase.

Ai sqaroi se "për të zbuluar hipertensionin është shumë e thjeshtë, në kuptimin që mjafton të masësh tensionin, por problemi është që jo gjithmonë kjo bëhet". Duke vënë në dukje se në shumë raste mjekët nuk e bëjnë këtë gjë, ai u shpreh se "nëse i sëmuri vjen dhe ankohet për shenja gripale, ne nuk ia masim tensionin arterial, ndërkohë që është detyrim profesional që në çdo rast të matet presioni arterial".

Por nuk është thjesht zbulimi i hipertensionit. Pjesa tjetër, sipas prof. Tases, është njohja më e mirë e problematikës që ka hipertensioni arterial, njohja e mënyrave të mjekimit, si dhe të mënyrave të reja të diagnozës. "Çdo individ ka karakteristikat e veta të sëmundjes dhe në çdo individ duhet të adaptojmë rrugët dhe mënyrat e mjekimit të përshtatshëm", - theksoi ai. "Këtë ne përpiqemi tua bëjmë të njohur mjekëve të familjes", - tha prof. Tase, duke shtuar se "në diferencë nga mjekët e spitaleve, mjeku i familjes ka nevojë të bëjë këtë dhe kjo është ajo që ne e quajmë Edukimi i Vazhdueshëm Profesional, që është një nga handikapet më të mëdha, por dhe nga detyrat më të mëdha".

Për parandalimin e hipertensionit, prof. Tase këshillon mospërdorimin e kripës, alkoolit, bërjen e një jete aktive, kontrollin e vazhdueshëm të peshës dhe në rastet e nevojshme mjekimi i rregullt. Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon përdorimin e jo më shumë se një lugë çaji kripë në ditë (5-6 gram). Reduktimi kombëtar i përdorimit të kripës është mënyra më pak e kushtueshme për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare.

Çfarë është hipertensioni

Tensioni i lartë ose sistolik është presioni që krijohet në arterie nga forca e pompës së zemrës, ndërsa tensioni i vogël ose diastolik (që gabimisht nga njerëzit emërtohet si tension i zemrës), është rezistenca e arteries gjatë furnizimit të zemrës me gjak. Presioni i gjakut ndryshon çdo minutë nga pozicioni i trupit, aktiviteti fizik, gjatë kohës kur flemë ose kur jemi zgjuar.

Hipertension quhen vlerat e tensionit që krijohen kur presioni i gjakut në arterie (enë me gjak të pastër) është mbi normën e lejuar. Në 95% të rasteve nuk dihen shkaqet dhe flitet vetëm për rreziqet e hipertensionit. Të sëmurët në përgjithësi janë të grupmoshës së mesme, me trashëgimi gjenetike, me mbipeshë, diabet, që kanë stres fizik ose psikik të përditshëm, që janë përdorues të duhanit, konsumues të tepërt të kripës dhe alkoolit, që bëjnë një jetë sedentare (pa ushtrime fizike).

Në shumicën e rasteve nuk ka shenja shqetësuese për vite me radhë të hipertensionit ose ato janë mjaft të pakta dhe të paqarta. Rritja e tensionit bëhet gradualisht dhe i lë kohë trupit të njeriut të adaptohet me këtë gjendje. Shenjat dhe shqetësimet mund të jenë dhimbje koke apo qafe, ndjenjë djegieje, skuqjeje dhe temperaturë në fytyrë, shtypje apo dhimbje gjoksi, nevojë dhe pamundësi për t’u mbushur më frymë etj.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›