Sherri për një vajzë, qëllohet shtatë herë me pistoletë
Sipas mediave italiane, shkak i plagosjes së 28-vjeçarit S. Hoxha është një konflikt i lindur për një vajzë
Kishte shkuar në lokal për të kaluar një mbrëmje të këndshme, por ka rrezikuar seriozisht të humbë jetën. Një emigrant shqiptar është qëlluar shtatë herë me pistoletë, por pas ndërhyrjes së mjekëve, ka shpëtuar. Sipas mediave italiane, shkak i plagosjes së 28 vjeçarit S. Hoxha është një konflikt i lindur për një vajzë. Disa fjalë që i riu i kishte thënë një vajze në tavolinë duket se nuk i kanë pëlqyer shoqëruesit të saj, i cili ka nxjerrë pistoletën dhe ka qëlluar ndaj tij. Emigranti shqiptar është dërguar menjëherë në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që karabinierët po punojnë për të arrestuar autorin e krimit. Në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshmen një grup prej disa emigrantësh shqiptarë, ku ishte edhe S. Hoxhan kishte shkuar në një prej lokaleve të natës në Foggia për t’u dëfryer në fundjavë. Ata janë ulur në një lokal, i cili ndodhet në rrugën Lanz të qytetit, dhe kanë nisur që të konsumojnë pije. Ndërkohë që pas disa kohësh, dëshmitarët kanë parë një person i cili ka lëvizur me shpejtësi duke u çuar nga tavolina, ka nxjerrë një pistoletë dhe me të ka qëlluar ndaj 28-vjeçarit shqiptar.
Personi i armatosur ka qëlluar shtatë herë ndaj bashkatdhetarit të tij, por duket se ky i fundit ka qenë më fat, pasi ka arritur të mbijetojë. Ai ka arritur që t’i shmanget sulmit, duke u goditur nga disa plumba. Ndërsa, agresori është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Krismat kanë shkaktuar rrëmujë dhe pasiguri në lokal. Ndërkohë që 28-vjeçarit i është dhënë ndihma e parë, duke e dërguar atë në spitalin e qytetit, nga një shok i tij. Sipas mjekëve, plumbat e kishin prekur atë në kofshë, por pa i shkaktuar atij dëmtime serioze. Ai iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ku tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje ka shkuar edhe policia, e cila ka marrë në pyetje të plagosurin dhe dëshmitarë të tjerë në vendngjarje. Është kryer këqyrja e vendit të ngjarjes, ndërkohë që janë sekuestruar shtatë gëzhoja të një arme tip pistoletë si edhe shenja të tjera të lëna nga agresori. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i këtij sulmi me armë ka qenë një konflikt i lindur për një femër. 28-vjeçari i kishte bërë komplimente një vajze në tavolinë, por një gjë e tillë ka acaruar shoqëruesin e saj, i cili e ka qëlluar atë me armë. Karabinierët kanë identifikuar autorin e plagosjes dhe po punojnë për arrestimin e tij.