E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kalimi klandestin, përfundon hetimi për 11 të pandehur



Pazari, 3900 euro për person transporti drejt destinacionit përfundimtar, 44 klandestinët u hodhën në det nga të pandehurit

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka mbyllur hetimet ndaj 11 të pandehurve të akuzuar për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit” në formën e grupit të strukturuar kriminal. Të pandehurit e kësaj dosjeje janë Pjetër Tusha, Paulin Markaj, Ndrekë Preçi, Altin Gjeloshaj, Ardian Marku, Lekë Frroku, Dilaver Hajdini, Aleksandër Malaj, Rexhep Cuku, Gëzim Tafaj dhe Ardian Corri. Prokuroria e Krimeve të Rënda më datën 7 gusht të vitit të kaluar ka regjistruar procedim penal numër 50, bazuar në materialet e sjella nga Karabinieria e Rajonit Friuli-Veniezia-Gurilia, Itali në të cilën i kërkohej ndihmë autoriteteve shqiptare për zbulimin e një veprimtarie kriminale në vendin tonë. Një ditë më pas me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda është vënë në përgjim i pandehuri Ardian Corri. Në kërkesën për gjykim dërguar gjykatës së krimeve të rënda bëhet me dije se nga përgjimet telefonike të pandehurit Ardian Corri ka rezultuar se ai në bashkëpunim me të pandehurin Gëzim Tafaj dhe me shtetas të tjerë të huaj, organizonin dhe realizonin dhënien ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror me qëllim fitimi. Sipas prokurorit, kalimi realizohej nga vendi ynë për në Itali. “Nga bisedimet telefonike të kryera mes dy të pandehurve, rezulton se ata kanë biseduar dhe realizuar transportimin e shtetasve të ndryshëm shqiptarë, nëpërmjet kufijve shtetërore të Malit të Zi drejt Kroacisë dhe më pas në Slloveni me destinacion Italinë”, - sqaron prokuroria. Gjithashtu bëhet me dije se këta dy të pandehur gjatë kohës që kanë qenë në përgjim sipas prokurorisë kanë nisur dy ose tri herë disa shtetas për të kaluar për në Mal të Zi me destinacion Italinë. Mësohet se personat grumbulloheshin nga të pandehurit Tafaj dhe Corri në vendin e quajtur “Zogu i Zi” në kryeqytet. Më pas ata transportoheshin nga i pandehuri Rexhep Cuku për në fshatin Bajzë të Malësisë së Madhe dhe preja ndej kalonin kufirin me mjete nga më të ndryshmet. Transportimi i klandestinëve për në Mal të Zi kryhej nga i pandehuri Aleksandër Malaj. Më pas ata priteshin në Slloveni nga shtetasi Azem Munishi, i cili i transportonte deri në Udine të Italisë. Nga hetimet ka rezultuar se Tafaj dhe Corri kanë ndryshuar mënyrën e transportimit të klandestinëve, nga kalimi tokësor, por nëpërmjet atij detarit, pikërisht me gomone. Sipas prokurorisë, një veprim i tillë është ndërmarrë më datën 10 janar të këtij viti, rreth orës 20:00 në grykëderdhjen e lumit Mat. “Për të siguruar dhe organizuar këtë udhëtim për dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit me skaf nga plazhi i Patokut në drejtim të Italisë, ata kanë bashkëpunuar me të pandehurit Dilaver Hajdini, Lekë Frroku, Ardian Marku, Altin Gjeloshi, Ndrekë Preçi, Paulin Marku, Pjetër Tusha. Prej tyre u siguruan dhe u nisën 44 persona kundrejt shumës prej 3900 euro për çdo shtetas sipas një marrëveshjeje të mëparshme”, - thuhet më tej në kërkesën për gjykim. Largimi i këtyre personave nuk u realizua, pasi u pengua nga Guardia di Finanza, e për rrjedhojë të pandehurit i hodhën klandestinët në det, 35 prej të cilëve janë edhe dëshmitarë në këtë dosje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›