E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një nga folësit kryesor në sesionin e paradites së Forumit Global të Liderëve (Global Leaders Forum) që po zhvillohet në Edinburg të Skocisë, ishte edhe Kryeministri Sali Berisha. Në fjalë

Një nga folësit kryesor në sesionin e paradites së Forumit Global të Liderëve (Global Leaders Forum) që po zhvillohet në Edinburg të Skocisë, ishte edhe Kryeministri Sali Berisha. Në fjalën e tij ndër të tjera, ai u shpreh:

"Më lejoni t'ju falënderoj për ftesën dhe mundësinë që më dhatë për t'iu drejtuar një auditori kaq të nderuar dhe të ndaj me ju perspektivën e Shqipërisë – një ekonomi në zhvillim dhe demokraci e re. Gjatë rrugës së saj drejt zhvillimit, Shqipëria ka hasur shumë sfida, më të shumtat e të cilave ndryshojnë nga ato të vendeve të Bashkimit Evropian.

Por në të njëjtën kohë, kombi im është komb rinor, me popullsine me te re në Evropë, gati gjysmën e popullsisë nën moshën 25 vjeç. Kjo rini është një nga pasuritë më të mëdha të vendit dhe shpresa më e madhe për të ardhmen e tij.

Sa herë që takohem me të rinj, i bëj vetes të njëjtat pyetje: Si ta sjellim Shqipërinë në moshën e tyre? Si ta bëjmë vendin energjik, të gjallë plot imagjinatë dhe plot shpresë, sikundër ta? Në mendje më vjen gjithnjë e njëjta përgjigje: Investim në edukimin e tyre, futja e Shqipërisë në epokën e teknologjisë, promovimi i "jetës dixhitale" dhe krijimi i një shoqërie të fortë informacioni.

Për këtë arsye qeveria shqiptare ka ndërmarrë iniciativën Shqipëria në e Moshën e Teknologjisë, si një nga prioritet më të rëndësishme të axhendës së saj.

Kjo nismë, krahas forcimit të shtetit ligjor dhe liberalizimit të ekonomisë, është një kusht thelbësor për suksesin e reformave të tjera. Ajo është gjithashtu e vetmja mënyrë për të fituar kohën që kombi im ka humbur gjatë regjimit komunist.

Në kuadër të kësaj nisme, qeveria që unë drejtoj synon të arrijë:

• Shtrirjen e përdorimit të Internetit dhe lidhjeve me bandë të gjerë kabllore në çdo banesë dhe në çdo shkollë të vendit. Në këtë drejtim, ne po bashkëpunojmë ngushtë me shoqëri të mëdha teknologjike për të rritur numrin e kompjuterëve që përdoren në Shqipëri duke ofruar mbi 250 000 porta ADSL falas, duke hedhur në treg shërbimet WiMax, ndërkohë që përpiqemi të përballojmë sfida teknologjike si ajo e "kilometrit të fundit" për lidhjet kabllore. Përveç kësaj, ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që të mundësojmë pajisjen e çdo fëmije dhe të riu shqiptar me një kompjuter të përballueshëm financiarisht.
• Investime të rëndësishme në shërbimet e Qeverisjes Elektronike, që nga Prokurimet Elektronike deri tek Taksat Elektronike. Ne po shtojmë numrin e programeve bashkëpunues për kompjuterë, po përshpejtojmë ritmin e dixitalizimit të sistemit të arkivave dhe të përdorimit të sistemeve të avancuara të bazave të të dhënave.
• Vendosjen e një klime taksash dhe rregullash favorizuese për investimet e huaja të drejtpërdrejta, duke u përqendruar veçanërisht në tërheqjen e korporatave të mëdha teknologjike. Qeveria e Shqipërisë është përgatitur t'u japë koncesione dhe asete fizike, siç janë pronat e patundshme, korporatave që do të jenë të gatshme për të marrë pjesë në zhvillimin e sektorit teknologjik vendor. Në këtë kontekst, Partneriteti Strategjik që qeveria shqiptare do të nënshkruajë sot me Microsoft Corporation është një hap shumë i rëndësishëm dhe një sinjal inkurajues për investimet në këtë fushë.

Futja e Shqipërisë në erën e teknologjisë është një kusht kyç për arritjen e transparencës në të gjitha proceset qeverisëse, që në të njëjtën kohë rrit përgjegjshmërinë e qeverisjes dhe mundëson pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e hartimit të politikave. Ajo është gjithashtu një mekanizëm efikas për fuqizimin e përpjekjeve tona në luftën kundër korrupsionit, modernizon arsimin dhe përmirëson administrimin e taksave dhe doganave. Përmbushja e këtyre objektivave jo vetëm që do të forcojë demokracinë në vend, por është rruga e sigurt për të shkurtuar procesin e Integrimit tonë Evropian.

Evoluimi i shoqërisë shqiptare në një shoqëri dixhitale përbën bazën për çuarjen përpara të reformave sociale, politike dhe ekonomike. Potenciali i efekteve te "jetës dixhitale" më ngjan në shumë aspekte me rolin transformues që Reformacioni pati në shoqërinë evropiane duke e bërë Biblën të prekshme për këdo. Në mënyrë të ngjashme, teknologjia do ta bëjë informimin dhe dijen të prekshme për të gjithë në Shqipëri.

Më lejoni të përfundoj me një histori personale. Përpara 28 vitesh unë isha një mjek i ri që kthehej në Shqipëri nga Franca, ku sapo kisha përfunduar një specializim, i mbushur me ide për kërkime në fushën time. Teksa punoja në një laborator modest, takova një zotëri britanik (nuk jam i sigurt nëse ishte skocez), i cili kish sjellë me vete një kompjuter Apple II. (I kërkoj ndjesë Mikrosoftit, por siç e dini ky kompjuter nuk punonte me sistemin DOS.) Kolegu më i ri i ekipit tonë të vogël kërkimor arriti të krijonte në Fortran një program kompjuterik për analizimin e të dhënave kërkimore. Me ndihmën e kompjuterit dhe programit ne mundëm të përfundonim një studim kërkimor origjinal mbi hemodinamikën, i cili u publikua së pari në Londër dhe më pas në shumë gazeta shkencore të botës. Ai kompjuter e ndryshoi thellësisht jetën time.

Si e tillë, kjo eksperiencë gdhendi tek unë bindjen se teknologjia është rruga më e mirë për ndryshimin e kombit dhe përparimin e vendit tim, për të fituar kohën e humbur dhe arritur horizonte të reja.

Faleminderit!"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›