Dje në mbrëmje, Kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti i Korporatës Microsoft Bill Gates nënshkruan, në Edinburg, marrëveshjen e partneritetit strategjik midis qeverisë së Shqipërisë dhe K
Dje në mbrëmje, Kryeministri Sali Berisha dhe Presidenti i Korporatës Microsoft Bill Gates nënshkruan, në Edinburg, marrëveshjen e partneritetit strategjik midis qeverisë së Shqipërisë dhe Korporatës Microsoft për modernizimin e sektorit publik shqiptar dhe përshpejtimin e zhvillimit teknologjik të vendit.
Marrëveshja parashikon bashkëpunimin midis qeverisë shqiptare dhe Korporatës Microsoft për zhvillimin e sektorit të teknologjisë së informacionit në Shqipëri. Në marrëveshje parashikohet hapja e një filiali të Korporatës Microsoft në Shqipëri; krijimi i një qendre inovacioni, e cila synon përmirësimin e kapaciteteve të kompanive lokale në fushën e teknologjisë së informacionit për t'i përgatitur ato për proceset e globalizimit, përmirësimin e kapaciteteve lokale për të ofruar zgjidhje, për bizneset dhe institucionet e tjera të vendit; krijimi i një inkubatori për përgatitjen dhe zhvillimin e specialistëve shqiptarë të teknologjisë së informacionit.
Marrëveshja parashikon, gjithashtu, krijimin, me ndihmën e Korporatës Microsoft, të një portali qeveritar, e cila do të ofrojë informacion nga qeveria për qytetarët me qëllim përmirësimin e informimit të qytetarëve; informacion për bizneset për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të përmirësuar dhënien e informacionit për to; lehtësi për shkëmbimin e informacioneve brenda institucioneve qeveritare dhe të tjera, përmes krijimit të një sistemi të shkëmbimit të informacionit për të gjitha fazat e politikbërjes dhe të përgatitjes së ligjeve dhe vendimeve të qeverisë.
Në marrëveshje, gjithashtu, parashikohet që Korporata Microsoft do të ofrojë asistencë për projekte të ndryshme në fushën e qeverisjes elektronike që qeveria ka ndërmarrë me partnerë të tjerë, duke përfshirë e-Procurement, e-Taxes.
Gjithashtu, marrëveshja parashikon mbështetje për projektin e qeverisë e-Schools. Në këtë drejtim, Korporata Microsoft do të ofrojë 6 mijë paketa programesh kompjuterike microsoft me një çmim simbolik, për kompjuterat, në shumë shkolla të vendit.
Pjesë e marrëveshjes është edhe bashkëpunimi midis Korporatës Microsoft dhe PNUD-it për ofrimin e internetit në çdo shkollë, si dhe ofrimi i programeve mësimore për nxënësit.
Nga ana e saj, qeveria e Shqipërisë merr përsipër të zbatojë të gjitha ligjet për mbrojtjen e pronësisë intelektuale në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Në shkëmbim, Korporata Microsoft do t'i ofrojë administratës shqiptare programe me çmime speciale, më të ulta se çmimet e tregut.
Gjithashtu, në marrëveshje përfshihet vullneti i të dy palëve për të thelluar më tej bashkëpunimin në të ardhmen.
Në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha dhe Presidenti i Microsoft Gates deklaruan:
Bill Gates: Kjo marrëveshje përfaqëson angazhimin e Microsoft-it për të hapur një zyrë në Shqipëri dhe për të punuar me partnerët e saj atje, me qeverinë, universitetet dhe për të ndihmuar teknologjinë e informacionit të modernizojë ekonominë dhe për të zgjeruar mundësitë. Ne jemi shumë të kënaqur që na jepet mundësia të punojmë me qeverinë e Shqipërisë.
Kryeministri Berisha: Jam shumë i lumtur për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, e cila shënon kurorëzimin e një përpjekjeje të madhe për të hapur një erë të re në Shqipëri – Shqipëria në moshën e teknologjisë, në moshën e internetit. Duke nënshkruar këtë marrëveshje për bashkëpunim me Korporatën e Microsoft-it dhe Presidentin e saj Bill Gates, ne po hapim mundësi të reja të mëdha të bashkëpunimit në të gjitha fushat e jetës dixhitale, në të gjitha fushat e teknologjisë, nga e-Government, e-Taxes, e-Procurement, e-School, në të gjitha aspektet dhe kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme për vendin. Është një përmbushje e qëllimeve të mia të shpallura para shqiptarëve dhe unë jam i vendosur t'i realizoj ato.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri Berisha bëri këto komente për median:
Pyetje: Zoti Kryeministër, si do ta vlerësoni marrëveshjen e nënshkruar me zotin Gates?
Kryeministri Berisha: Unë e vlerësoj këtë një nga marrëveshjet më të rëndësishme që Shqipëria ka firmosur, në përpjekjen e saj për të kapur horizontin që meriton. Marrëveshja, me Korporatën gjigante të teknologjisë elektronike dhe informatikës për të bashkëpunuar me të gjitha fushat nga qeveria elektronike në të gjitha segmentet e saj, tek shkollat, sistemi fiskal, bibliotekat virtuale, arkivat e dixhitalizuara, në të gjitha aspektet, përbën një bazë të fuqishme dhe një garanci të madhe për realizimin e asaj reforme që ne e kemi quajtur "Shqipëria në moshën e internetit", "Shqipëria në moshën e teknologjisë."
Korporata e Microsoft sipas marrëveshjes do të asistojë Shqipërisë duke hapur një qendër rinovimi në Tiranë, do të ndihmojë në kualifikimin e të rinjtë shqiptarë masivisht në teknologjinë e informacionit. Korporata angazhohet gjithashtu për të bërë të gjitha zyrat e qeverisë dhe të administratës tërësisht të arritshme nga publiku dhe nga qytetarët shqiptarë. Unë mendoj se për Shqipërinë kjo reformë, krahas vendosjes së shtetit ligjor dhe liberalizimit të ekonomisë, përbën një nga tre shtyllat më kryesore që vendi të zhvillohet. Gjithashtu shkurton kohën e integrimit të Shqipërisë në BE, bën të mundur shfrytëzimin e pasurisë më të çmuar që ka çdo komb dhe që është pasuria intelektuale e tij.
Pyetje: Zoti Berisha, Microsoft ka kërkuar edhe më parë që të vijë në Shqipëri. A mendoni se tani ka gjetur ambientin e duhur?
Kryeministri Berisha: Në vazhdën e korporatave të mëdha, natyrisht, që është bërë përzgjedhja. Natyrisht që kanë besim tek qeveria që unë kryesoj, kanë besim tek reformat e mëdha që po ndërmarrim. Ju e patë, edhe fjala në takimet e tjera, edhe fjala në konferencën që u mbajt lidhur me teknologjinë e informacionit dhe lidershipin evropian kishte një jehonë shumë pozitive.