Pas ceremonisë së nënshkrimit të tre marrëveshjeve midis qeverisë shqiptare dhe asaj bullgare, Kryeministri Berisha dhe ai bullgar Stanishev dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp,
Pas ceremonisë së nënshkrimit të tre marrëveshjeve midis qeverisë shqiptare dhe asaj bullgare, Kryeministri Berisha dhe ai bullgar Stanishev dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, në fillim të së cilës bënë këto deklarata:
Kryeministri Berisha: Sapo mbyllëm bisedimet me Kryeministrin e Bullgarisë, në vizitën e tij zyrtare në Tiranë. Kjo vizitë shënon një zhvillim shumë të rëndësishëm në marrëdhëniet midis dy vendeve tona. Kryeministri Stanishev ka zgjedhur Shqipërinë si vendin e parë për të vizituar pas anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian. Krahas përshëndetjeve dhe urimeve më të përzemërta për anëtarësimin e Bullgarisë në BE, si një ngjarje historike për Bullgarinë dhe kombin bullgar, unë e falenderova për vizitën dhe privilegjin që i bëri Shqipërisë, duke e përzgjedhur si vendin e parë për ta vizituar pas anëtarësimit. Të dy kombet e vendet tona kanë lidhje të gjatë tradicionale miqësore. Pas rënies së perdes së hekurt vendet tona janë angazhuar në një bashkëpunim politik intensiv dhe kanë forcuar më tej miqësinë midis kombeve tona. Të dy vendet kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin e Ballkanit dhe kanë ndarë gjithnjë pikëpamje të njëjta për këto procese shumë të rëndësishme për rajonin tonë.
Me Kryeministrin Stanishev diskutuam mbi përpjekjet që duhet të bëjmë për të ngritur, në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike mes dy vendeve, marrëdhëniet edhe në fusha të tjera, në radhë të në atë ekonomike, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, në fushën kulturore, ushtarake dhe fusha të tjerat. E njoha Kryeministrin Stanishev me të gjitha mundësitë e mëdha që paraqet Shqipëria për investitorët bullgarë, pjesëmarrjen e tyre në ripërtëritjen e infrastrukturës, në fushën e energjisë, turizmit, pjesëmarrjen në privatizime. Konstatuam me kënaqësi se brenda një viti shkëmbimet midis dy vendeve janë rritur me 50 për qind, por mundësitë për rritje janë shumë më të mëdha.
Ne diskutuam gjerësisht edhe për projektet e mëdha të rajonit. Fakti që Bullgaria u bë anëtar i BE-së është një ogur i mbarë për të gjithë rajonin dhe për këto projekte. Italia së bashku me Bullgarisë, si promotorë kryesor të Korridorit 8-të, mund ta ringjallin këtë projekt e ta sjellin në përparësitë e mëdha të Komisionit Evropian. Ky projekt përfshin jo vetëm autostradën, por edhe hekurudhën, linjat e tensionit të lartë që do të lidhin Sofjen me Romën, të telekomunikacionit, naftë dhe gazsjellësin. Pra, është një Korridor shumë jetik.
Ne diskutuam gjithashtu për mundësinë e ndihmës që Bullgaria mund t'i japë Shqipërisë në procesin e integrimit në BE e NATO. Kryeministri Stanishev u tregua i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë në këtë proces.
Ne nënshkruam tre marrëveshje, të cilat plotësojnë infrastrukturën ligjore të bashkëpunimit mes dy vendeve.
Në diskutimin tonë një vend të rëndësishëm ka pasur edhe problemi i Kosovës. Ne ndajmë pikëpamje të njëjta se duhet të mbështesim Presidentin Ahtisari në projektin e tij, i cili, unë kam bindjen, se mishëron ato principe që realizoi projektin e qytetarëve të Kosovës për një Kosovë të lirë, të qytetarëve të lirë e të barabartë para ligjit, ku respektohen plotësisht të drejtat e minoriteteve, një Kosovë të pavarur dhe evropiane.
Edhe një herë dua të falënderoj Kryeministrin Stanishev për këtë vizitë të shkëlqyer në Shqipëri dhe pranova me shumë kënaqësi ftesën e tij për të vizituar Bullgarinë.
Kryeministri Stanishev: Faleminderit zoti Kryeministër. Mendoj se është simbolike dhe praktike që vizita e parë e qeverisë bullgare, pas anëtarësimit të Bullgarisë në BE, është në Shqipëri. Vërtet në të kaluarën ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira mes dy popujve tona dhe nuk kemi ndonjë problem të mbetur midis dy qeverive.
Për shumë vite vendi im ka bërë përpjekje të mëdha dhe serioze për t'u bashkuar me BE-në dhe besoj se ai është një zë i rajonit dhe problemet që kalojnë vendet e Evropës Juglindore të dëgjohen më mirë në BE dhe të merren në konsideratë. E sigurova Kryeministrin Berisha se Bullgarisë është e gatshme të ndajë me Shqipërinë eksperiencën e saj në fushën e reformave dhe njohuritë në procesin e anëtarësimit euroatlantik.
Unë besoj se tre marrëveshjet që nënshkruam sot do t'i japin një nxitje më tej bashkëpunimit mes dy qeverive në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve ilegale, zhvillimit ekonomik, në fushën e arsimit dhe të kulturës. Jam i kënaqur të ndaj me Kryeministrin Berisha kënaqësinë e rritjes së volumit të shkëmbimeve ekonomike me 50 për qind vitin e kaluar, që do të thotë se kemi potenciale edhe më të mëdha në të ardhmen në këtë fushë. Tashmë në Shqipëri vepron një bankë bullgare, ka ndërmarrje të prodhimit të ushqimit e lëngjeve, ka një interes të madh nga kompanitë bullgare për të marrë pjesë në projekte në fushën e energjisë, infrastrukturës dhe turizmit. Detyra e të dy qeverive është të ndihmojmë ata të njohin njëri tjetrin e të bashkëpunojnë mirë mes tyre.
Bullgaria do të mbështesë procesin e anëtarësimit në NATO të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë dhe beson se në vitin 2008 do të hapen dyert e NATO-s për këto vende.
Ne i njohim përgjegjësinë tona pre sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të tij. Bullgaria do të mbështesë fuqimisht angazhimet evropiane të vendeve të rajonit. Përveç mbështetjes politike dhe aktivitetit të BE-së, besoj se angazhimi dhe iniciativat praktike janë thelbësore në këtë proces. Unë e informova Kryeministrin se dy javë më parë, në Sofje, me Kryeministrin Prodi ne diskutuam për zhvillimin e Korridorit 8-të dhe të dy vendet tona do të punojnë në mënyrë që ky korridor të bëhet prioritet i BE-së. Përveç kësaj, vendet e rajonit duhet të dëshmojnë një frymë të re bashkëpunimi dhe partneriteti. Nuk duhet të shohim në të kaluarën për të gjetur arsye për ndarje e konflikte, por të shohim drejt së ardhmes, drejt perspektivës evropiane.
Një nga fushat e bashkëpunimit është tregu energjetik në rajon. Ne e dimë se pjesa më e madhe e vendeve në rajon kanë mungesa në furnizimin me energji elektrike. Ne duhet të diskutojmë dhe të përpunojmë politika të përbashkëta afatgjata bashkëpunimi në fushën e energjisë në Evropën Juglindore. Ju e dini që Bullgaria është një nga furnizuesit kryesorë me energji në rajon dhe me anëtarësimin në BE na u desh të ndalonim dy blloqe të termocentralit nuklear për prodhimin e energjisë, angazhime dhe detyrime këto në përputhje me Traktatin e pranimit. Kjo shkaktoi një thellim të krizës në rajon. Ne do të vlerësonim çdo vend, që vuan nga mungesa e energjisë, të informojë Komisionin Evropian në lidhje me pasojat në rajon dhe gjithashtu të diskutojmë mbi politikat tona të përbashkëta të energjisë në të ardhmen.
Me Kryeministrin Berisha diskutuam mbi zhvillimet dhe çështjen e Kosovës, e cili është një test shumë i rëndësishëm për stabilitetin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor. Bullgaria mbështet punën e Presidentit Ahtisari dhe ekipit të tij, si përsa i përket standardeve, ashtu edhe të statusit. Sikundër çmojmë rolin konstruktiv që luan Shqipëria për të ulur padurimin në Kosovë. Është e rëndësishme që kjo çështje të zgjidhet në mënyrë të tillë që të sjellë më shumë stabilitetit jo vetëm në Kosovë, por për të gjithë rajonin. Ne gjithashtu ramë dakord që të shkëmbejmë qëndrimet dhe informacionin politik në të ardhmen. Unë besoj se, mbi bazën e marrëdhënieve tona dypalëshe në të shkuarën dhe mbi atë që diskutuam sot, kemi një të ardhme shumë të mirë në bashkëpunimin midis dy vendeve tona.
Pyetje: Zoti Stanishev, ju po përcillni shqetësimet e vendeve të rajonit në BE dhe Shqipëria po vuan nga kriza energjetike. Si mund ta ndihmoni Shqipërinë tashmë edhe si vend i BE-së?
Kryeministri Stanishev: Ky është problemi, që ne nuk mund ta ndihmojmë Shqipërinë në këtë moment. Bullgaria mund të eksportojë energji, vetën nëse do të vazhdonin të ishin në punë dy blloqet e termocentralit nuklear. Dhe pasojat e kësaj mbylljeje do të ndikojnë jo vetëm tek Shqipëria, por edhe tek vendet e tjera fqinje, në të cilat Bullgaria eksporton energji, përfshirë edhe Greqinë gjatë verës. Por, megjithatë, ka një Traktat të pranimit të Bullgarisë në BE. Ajo ishte e detyruar t'i përmbahej angazhimeve dhe e detyruar t'i mbyllte dy këto blloqe. Mendoj se vendet e rajonit duhet të informojnë Komisionin Evropian mbi pasojat praktike në zhvillimin ekonomik dhe furnizimin me energji në rajon, në mënyrë që të merren masa. Por, në një perspektivë afatgjatë, në Bullgari janë në rikonstruksion ose janë duke u ndërtuar disa termocentrale. Por problemi është si të kalojmë këtë hapësirë boshe që është krijuar në këtë periudhë, kur ka mungesa të energjisë, deri në hapjen e centraleve të reja. Ky duhet të jenë një shqetësim i përbashkët për të gjithë vendet e rajonit.
Kryeministri Berisha: Do të doja të bëja një koment për këtë çështje të rëndësishme. Para anëtarësimit të Bullgarisë në BE ne jemi përpjekur të përcjellim mesazhin në BE të pasojave që do të ketë mbyllja e dy blloqeve të termocentralit nuklear në Bullgari. Ne përsëri i bëjmë thirrje Komisionit Evropian dhe BE-së të rishqyrtojë këtë detyrim të Bullgarisë, i cili, në fakt, dëmton në tërësi tregun rajonal të energjisë më shumë sesa direkt vetë Bullgarinë, pasi i hoqi këtij tregu një sasi shumë të madhe energjie. Rajoni ynë është një rajon me rritje të shpejtë ekonomike dhe me një nevojë në rritje shumë të madhe për energji. Mbyllja e dy blloqeve të centralit nuklear në Bullgari ka imponuar qëndrime politike në vende të tjera, deri në vendime për të mos lejuar eksportin e energjisë në mënyrë që të parandalojnë krizë energjetike. Shpresoj që zëri ynë të dëgjohet dhe nuk është vetëm zëri ynë, por i të gjitha qeverive të rajonit, pasi mendoj se ka një problem serioz, derisa burime të reja energjetike të tejkalojnë problemin e krijuar me mbylljen e këtyre dy blloqeve të mëdha në centralin nuklear të Bullgarisë. Nuk mund të mos theksoj se teknologji të tilla janë ende operative në hapësirën e BE-së.
Pyetje: A është diskutuar në takim projekti i naftësjellësit AMBO dhe sa shpresë ka për realizimin në një kohë të afërt të tij?
Kryeministri Stanishev: Natyrisht që e diskutuam, pasi ne e shohim atë si pjesë të Korridorit 8-të. Siç e përmenda më lart, ashtu dhe zoti Berisha, ne e shohim këtë projekt si strategjik për të gjithë rajonin. Ai nuk është vetëm një projekt rrugor, por ka disa elemente, atë rrugor, hekurudhor, të energjisë, gazit dhe naftës gjithashtu. Bullgaria e mbështet projektin AMBO. Në mënyrë që ky projekt të jetë i suksesshëm duhen të sigurohen dy elementë, përveç mbështetjes nga qeveritë e Bullgarisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë: e para, furnizimi me naftë dhe e dyta, konsumatorët. Konsumatorët janë, por projekti mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse do të ketë naftë të mjaftueshme që të kalojë përmes tij. Ne besojmë se, me rritjen e kërkesës dhe të një prej prioriteteve të BE-së për të diversifikuar furnizimin me energji, mund të jetë e lehtë si politikisht ashtu dhe ekonomisht. Dy qeveritë po punojnë në këtë drejtim.
Kryeministri Berisha: Shqipëria është e gatshme dhe garanton të gjitha lehtësirat dhe procedurat që projekti të zbatohet që në momentin kur konsorciumi të vendosë për zbatimin e tij. Ai është një projekt shumë i mirëpritur.