E Diel, 1 Nëntor 2026

Një nga ilegalët i kërkon Berishës ta falë

Familja e Jorgo Papës pretendon se meriton të përfitojë nga ligji për legalizimin

SARANDë - Jorgo Papa, një nga banorët e hershëm, që kur është krijuar Ksamili, nuk shkoi në emigracion thjesht për të bërë ekonomi. Një hall e nevojë akoma edhe më e madhe e më e rëndë, hall jete, e detyroi të marrë rrugën e kurbetit të sotëm. Një sëmundje e rëndë i ka gjetur derën dhe ai po përballet me të në disa breza. Ka humbur vetëm një betejë me sëmundjen e rrallë të mungesës së rruazave të bardha në gjakun e fëmijës së vet. “Djalin tim Petron e humba, thotë ai, por tani luftoj që të mbaj në jetë nipat, fëmijët e dy vajzave, të cilët kanë të njëjtën diagnozë: rruaza të bardha me pakicë”. Ai tregon se dy vajzat e tij kanë lindur djem me probleme të tilla dhe se me frenimin e së keqes po eksperimenton mjekësia në Greqi, duke ardhur atje edhe mjekë anglezë e gjermanë. Ndihet se lufta dhëmbë për dhëmbë me vdekjen e nipave të tij e ka bërë të fortë edhe shpirtërisht, ashtu siç tregon nga fiziku. Ai dhe bashkëshortja e tij, Mila, tregojnë se kanë vuajtur shumë me këtë fëmijë, që kur ishin bebe e deri sot, që janë 5 e 6-vjeçarë. “Këtu në Shqipëri na thoshin se është leshmanjoze dhe e kuronin tjetër për tjetër Petron e vogël, pasi edhe atij i dhashë emrin e tim biri të vdekur”, tregon Jorgua. Ai thotë se ishte një mjek anglez në një nga spitalet e Athinës që e përcaktoi i pari se nga se vuante vërtet fëmija i vajzës së vet. Temperaturë e vazhdueshme, mungesë oreksi dhe mungesë peshe, pasi rruazat e bardha janë ku e ku me ato të kuqe. U thanë se problemi është në shtyllën kurrizore dhe atje ka nisur ushqyerja e tyre në kushte gati laboratorike. Eksperimenti mjekësor shkoi deri atje sa u konkludua që jeta e fëmijës mashkull garantohej nëse nëna e tij do të lindte një vajzë dhe kjo u arrit me “mbjellje”. Shtratit të eksperimentit mjekësor ata i nënshtrohen njëkohësisht tani dhe mjekët janë optimistë se e keqja është ndalur. Kështu ka ndodhur edhe me djalin e vajzës tjetër të Jorgos, ku sëmundja duket se është një zinxhir pa hallka të shkëputura. “Mjekët na thanë se origjina e saj është shumë thellë, në brezat e të parëve të gruas sime, thotë Jorgo, dhe nuk dihet se ku e ka fundin, në sa breza të tjerë. Nëse ndalohet ajo me anë të këtij mjekimi që kemi nisur, ky zinxhir këputet”. Ndërsa bashkëshortja e tij, Mila, ndihet fajtore pa faj në këtë histori. “Unë jam bartëse e kësaj sëmundjeje dhe ua kamë dhënë që në lindje djalit që na vdiq dhe vajzave që e kanë transmetuar te djemtë e tyre”, shprehet ajo. Por unë dhe vajzat nuk kemi problem jete, ndërsa meshkujt e kanë luftë mes jetës dhe vdekjes këtë sëmundje”. Rasti dhe historia e kësaj familjeje është bërë objekt i disa emisioneve televizive në kanalet më të shikuara të Greqisë.

Në emër të jetës së këtyre nipave që nuk duhet të vdesin, Jorgo dhe bashkëshortja kanë respektuar rekomandimin e mjekëve për të lënë Greqinë me atmosferën e ndotur dhe për të jetuar në një mjedis me vlera natyrore, siç është Ksamili. Me këtë ide vite më parë ai ka investuar, duke ngritur në një truall në Ksamil, një objekt dykatësh. Por si të mos mjaftonte halli i madh që i ka gjetur derën me shëndetin në breza, Jorgo është në gjendje alarmi, pasi plani për t’u kthyer e për t’u siguruar kushte jetese nipave të vet në Ksamil, po i plas si një minë në dorë. Arsyeja? Ai ndihet këto ditë i kërcënuar njëlloj si nga sëmundja edhe nga shembja e objektit që ka ngritur në emër të dy nipave të tij, me sëmundjen e rrallë. Ata janë ende në jetë, falë suksesit të eksperimentit mjekësor që bëhet me ta në Greqi. Ndërkohë, një eksperiment i dhimbshëm është paralajmëruar me njoftimin për prishjen e objektit të tyre në Ksamil nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit, që me sa është mësuar, nis sot. Prandaj ai lëshon një apel drejt Kryeministrit Berisha, që objekti i tij të hiqet nga lista e mbi 300 objekteve të listuara nga Inspektorati Kombëtar i Ndërtimit. Ai e kërkon këtë, edhe për arsyen se në kohën kur është bërë fotografimi satelitor i objekteve më 2006-n, objekti i tij është fotografuar dhe përfaqëson një gjurmë në hartën dixhitale.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›