Matura Shtetërore, 1 qershor provimi i parë
Ndërsa viti shkollor ka përfunduar për të gjithë maturantët në vend, njoftohet që provimi i parë me detyrim është në datën 1 qershor. Dita e premte ka shënuar fundin e orëve mësimore dhe mendohet që për secilën lëndë, maturantët kanë konsumuar në tërësi programet, kapitujt, orët suplementare dhe gjithçka në lidhje me përvetësimin e lëndës. Konspektet, programet e orientimit dhe pikat ku nxënësit duhet të fokusohen tashmë janë sqaruar muajt e fundit dhe ajo që mbetet është vetëm dora e fundit, konsultimet. Sipas urdhrave dhe udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit, në gjimnazet e vendit do të zhvillohen për tetë ditë me radhë konsultimet për lëndën e parë me detyrim, konkretisht bëhet fjalë për provimin e letërsisë. Oraret, grafiku dhe ndarjet e klasave janë bërë sipas një programi, i cili afishohet në vend të dukshëm në çdo shkollë. Ndërkohë që konsultimet për provimin janë fakultative dhe jo me detyrim. Ata që kanë dëshirë të qëndrojnë për të kapur gjërat që kanë mbetur pa u sqaruar apo të paqarta mund të drejtohen për konsultime për tetë ditë me radhë në shkollë. Ndërsa të tjerët që nuk kanë interes apo mund të përvetësojnë lëndën pa praninë e mësueses, atëherë ato mund të ndiqen në mënyrë fakultative.
Sakaq, të gjithë maturantët që kanë mbetur prapa me mësimet apo janë të paqartë, u sugjerohet që të printojnë nga faqja e Ministrisë së Arsimit programet orientuese dhe kapitujt ku duhet të fokusohen. Përmbledhjet dhe materialet sqaruese janë të vlefshme për t’u lexuar e rilexuar dhe më pas për t’u pasqyruar në formë konspektesh në blloqe. Por ata që kanë mbetur mbrapa mund të përfitojnë edhe nga shokët, nxënësit më të mirë, të cilët kanë qenë sistematikë me detyrat, programet dhe punën para përgatitore. Por më shumë se gjithçka ata që vlejnë dhe të orientojnë duke të të futur në “shina” mbeten mësuesit dhe konsultimet e tyre që do të zgjasin për tetë ditë me radhë.
#