Një nismë fisnike dhe një problem mesazhi
Ja një kauzë e drejtë për tu përkrahur. Nisma e ambasadorit amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu e quajtur Vepro tani, për të nxitur përgjegjshmërinë qytetare në Shqipëri, është një ndër ato puhiza ajri të freskët, i cili është veçanërisht i mirëpritur në këtë të nxehtë të tmerrshëm vere. Muri i pesimizmit dhe i pasivitetit e ka ndarë në këto njëzet vjet Shqipërinë nga komuniteti i vendeve ku opinioni publik zbret në rrugë sapo ndjen një padrejtësi. Tentativa fisnike për ta ndryshuar këtë sëmundje endemike të shqiptarëve, përbën një akt të spikatur emancipues. Një gjest të duhur, në momentin dhe vendin e duhur.
Është mëse e kuptueshme që komuniteti i diplomatëve në Tiranë nuk ka shkopin magjik. Sidomos, kur punët tona janë bërë kaq lesh e li, saqë nuk ka magjistar që i kthen përsëmbari. Sa herë që ftohen të jenë më aktivë, të huajt na përplasin me të drejtë në fytyrë konceptin e sovranitetit dhe të mosndërhyrjes në punët tona të brendshme. E megjithatë ne të gjithë e dimë se nuk është pikërisht kështu. Sepse, po këta miq, nuk përtojnë të përfshihen në mënyrë thelbësore në shumë nga krizat e kolapset që pëson në mënyrë ciklike demokracia e korruptuar shqiptare. Statusi i neutralitetit formal bie, dhe shpesh, prej ndërmjetësimit ndërkombëtar, vjen zgjidhja e minutës së fundit.
Zoti Arvizu nuk bën përjashtim asfare nga kjo pozitë e dyzuar. Si një mik i shqiptarëve, ai ka përveshur mëngët në mes të procesit zgjedhor dhe ka ditur të flasë disa gjëra mjaft acide, kur ka qenë vendi dhe momenti. I ka dhënë e i jep përditë provat e një njeriu që kërkon ta shohë më mirë këtë vend. Problemi është se diplomatët e huaj, përshirë vetë zotin Arvizu, ndodhen në një pozicion ekspozimi total të aktivitetit të tyre. Ata u ngjajnë yjeve të kinemasë që lëvizin me kamera e gazetarë nga pas. Në këtë kuptim, tingëllon e pazakontë dhe e habitshme që, menjëherë pas takimit të ditës së enjte, ambasadori Arvizu nuk ka përtuar të bëjë ecejaken e radhës me kreun e bashkisë së Tiranës Lulzim Basha. Një zyrtar që, për shkak të rekordeve që mban, do të meritonte një pjesë jo të vogël të protestës qytetare, që diplomati amerikan me të drejtë është investuar të nxisë në këtë vend. Nga akuzat për shkelje të rënda ligjore, siç është rasti i rrugës Durrës-Kukës, tek mënyra se si u zgjodh kryetar bashkie, pa përmendur ngjarje të tjera si ajo e 21 janarit. Një grup aktivistësh kanë kontaktuar me zotin Arvizu, po atë ditë, në lidhje me masakrën mjedisore që po shkakton bashkia e Tiranës në periferi të kryeqytetit. Mediat thanë se ata morën përkrahje nga zoti Arvizu për nismën e tyre. Në këto kushte, me të drejtë, një ndër komentuesit e shumtë që konsumon lajme nga blogjet në internet, kishte shkruar poshtë njoftimit për takimin e mësipërm, fjalët spo marr vesh më asgjë!.
Ky vend ka një problem të madh standardesh demokratike. Por ka njëkohësisht edhe një problem paralel të deficitit të koshiencës qytetare. Nuk është vetëm Arben Ristani që po pengon një referendum mëse të drejtë. Është edhe policia, që spo vendos dot nën kontroll një fshat të vetëm që mbjell drogë; është edhe parlamenti, që miraton një ligj që dëmton buxhetet familjare me çmimet e librave të fëmijëve; është edhe sistemi i drejtësisë, që përjeton politizimin dhe korruptimin më spektakolar që mbahet mend; është edhe shëndetësia, ku duhet të paguash edhe gjilpërën, edhe serumin, edhe çarçafin që të mbulon; është edhe arsimi, që të bën brenda ditës doktor shkencash fallco; është edhe administrata publike, që është ndarë në koshere partish, të cilat nuk trazohen fare nga shkeljet e hatashme ligjore që kanë prodhuar me rekrutimet selektive.
Nëse Ristani shkeli edhe një herë besimin e qytetarëve tek KQZ, kemi të drejtë të kujtojmë se shkelja e tij e parë ka pasur të bëjë edhe me karriera politike si ajo e Lulëzim Bashës, i cili është ulur në poltronin që mban, pas një kundravajtjeje ligjore që ka qenë në sytë e të gjithëve. Brenda dhe jashtë Shqipërisë. Për këtë arsye, duke e njohur dhe pranuar faktin që diplomatët e huaj po përpiqen prej muajsh që të përkrahin figura alternative brenda partive të mëdha, na duhet gjithashtu të pranojmë se ky vullnet i mirë për gjetjen e pasardhësve të krerëve politikë tradicionalë, përplaset shpesh me realitetet komplekse në të cilat vegjetojnë forcat e mëdha politike. I tillë është edhe rasti i zotit Basha, i cili, shtatë vjet pas hyrjes në politikën aktive, zor se mund të përllogaritet tek lista e politikanëve të rinj, nëse i sheh kostot që ka krijuar në rrugën e tij të shkurtër drejt afirmimit. Ekspozimi në krah të tij, nga ana e zotit Arvizu, mund të kishte qenë diçka që mund të ishte konsumuar një tjetër ditë. Jo në ditën e nxitjes së protestës qytetare, objekt i të cilës është dhe duhet të jetë edhe qeverisja lokale e kryeqytetit. Sepse kjo krijon një problem jo të vogël mesazhi.
*Revista Java
