Partia Socialiste mes Rilindjes dhe Makiavelit
Rilindja Shqiptare dhe teoritë makiaveliste nuk mund të bashkëjetojnë. Madje, përdorimi i të parës si formë dhe i të dytës si përmbajtje rrezikon t’i japë shkelmin e fundit drejt humnerës së mos-përfshirjes e pesimizmit pjesës idealiste së partisë më të madhe të vendit.
Unë, modestisht, mendoj që Partia Socialiste ka vetëm një rrugë për të fituar zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013. Ajo është rruga e bashkimit me idealet dhe interesat e njerëzve të thjeshtë, që duan drejtësi për të gjithë e jo për disa; që duan punësim meritokratik e transparent, përkundër lidhjeve nepotike; që duan arsimim cilësor e jo diploma të pavlera; që duan një shtet social, e jo një treg monopolesh ku një dorë klientësh të pushtetit plaçkit gjithçka gjen.
Përballë këtyre, e shumë sfidave të tjera të vendit, Partia Socialiste, duhet të krijojë qartësisht profilin e saj. Programi, tashmë i publikuar për një rilindje shqiptare, nuk mund të jetë vetëm një dokument i këndshëm për tu lexuar, por duhet të jetësohet në një plan konkret veprimi, që në çdo hap zgjedh moralin dhe të vërtetën e pakompromis, siç është pra, në fakt, thelbi i rilindjes. Partia Socialiste nuk mundet, që në të njëjtën kohë, edhe të jetë me njerëzit, edhe të bëjë llogari jo fisnike më gishta nën tavolinë. Sepse, ose do të rilindë brenda saj dhe gjithë shoqërisë vlera e parime (tashmë të zbehura) morale, ose do të rizhytet në llumin e politikës që njohim të gjithë. Rilindja dhe teoritë makiaveliste janë diametralisht të kundërta, e për rrjedhim të papajtueshme.
Për të ilustruar këtë ide, mjafton të sjellim në vëmendje disa shembuj jo fort të largët. Gjatë procesit të zgjedhjes së anëtarit të KLD-së, Partia Socialiste e rilindjes duhej që, pavarësisht cilësive profesionale të z. Visha, të zgjidhte anën e viktimave të Gërdecit dhe jo anën e avokatit të tyre, siç zgjodhi Partia Socialiste makiaveliste. Partia Socialiste, nëse vërtetë beson tek rilindja shqiptare, nuk duhet të kërkojë bashkim votash me LSI-në e z. Meta, vetëm për hir të numrave, në kurriz të moralit. Sepse këtë gjë e bën Partia Socialiste makiaveliste.
Z. Rama dhe lidershipi i PS-së duhet ta bëjnë të qartë pozicionin e tyre, me fjalë dhe me vepra. Ose të dalin e tu kërkojnë njerëzve që ti zgjedhin ata si të keqen më të vogël (që në fakt janë) ose të bëhen përçues të frymës se re, të rilindjes. Qëndrimi në mes të të dyjave, është një kolovatje e rrezikshme, që në fakt nuk i ruan ekuilibrat, por që e rrëzon Partinë Socialiste në një farsë, prej nga ku humbet besimin e njerëzve. Dhe z. Rama, për shkak të njohjes së mirë të ngjyrave, duhet ta dijë më mirë se të gjithë ne, se gri-ja (e kompromiseve me idealet) është ngjyra më e mërzitshme. Dhe më e rrezikshme.
Një gjë është fare e qartë: nuk mund të ketë rilindje në një agim të ri vlerash e parimesh të shëndetshme, nëse më parë nuk vdesin, qoftë edhe në mënyrë të dhimbshme, anti-vlerat që hera-herës, praktikisht, PS-ja përqafon. Largimi nga qëllimet e larta e parimore, nëpërmjet kompromiseve të padenja, në dëm të interesit të vërtetë publik, vetëm sa e bën PS-në më të ngjashme, më kundërshtarët që aq shumë, e shpesh me të drejtë, anatemon. Në ndryshim nga filozofia makiaveliste, PS-ja duhet të kuptojë se mjetet për të arritur një qëllim duhet të jenë po aq të pastra, sa edhe vetë qëllimi. Vetëm kështu nis rruga e gjatë dhe e mundimshme e rilindjes. Ndryshe, për të përdorur një krahasim të vjetër, do të duket si një varr, që është i bardhë e i pastër nga jashtë, por që brenda ruan plot kalbësira e erë të keqe.
Fitorja në 2013-ën, arrihet vetëm duke bërë një luftë politike të ndershme e parimore. Që do të jetë e dhimbshme, sepse nuk mund të këtë rilindje nëse më parë nuk vdes pjesa e kalbur. Një kirurg i mirë e di që një pjesë e vdekur nuk mund të mbahet në jetë pafundësisht në jetë me frymëmarrje artificiale. Ajo duhet këputur e flakur larg. Pavarësisht kostos, kjo është e vetmja rrugë që pjesët e shëndetshme të jetojnë e të rriten.
Dhe pas shumë përpjekjesh, kur njerëzit të shohin që Partia Socialiste e ka me gjithë mend këtë gjë, që nuk i vendosi çmim integritetit, e që është gati të sakrifikojë për këtë kauzë, atëherë, patjetër që shumëkush do tu bashkohet atyre. Vetëm kështu, PS-ja, do të jetë më të fortë se sa kundërshtari, e madje edhe më e fortë se sa padrejtësitë.
Në mbyllje, dua ta mbyll me dy-tre fjali të një rilindasi të vërtetë, që përmes sakrificave të panumërta, e ngriti kombin e vet mbi gërmadhat e padrejtësive sociale. Pastori i ri nga Xhorxhia, Martin Luter King, na tregon se: Ndryshimi nuk vjen as vetëvetiu e as në mënyrë të natyrshme. Çdo hap drejt drejtësisë që ëndërrojmë kërkon sakrificë e vuajtje; kërkon përpjekjet e palodhura e të vazhdueshme të individëve të përkushtuar.
