E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të parët nuk janë qytetarët!

Share

Nga Mero Baze

Qindra veprimtarë të shoqërisë civile shkuan dje për të nisur një valë protestash ndaj shkatërrimit të Parkut të Tiranës përballë Fakultetit Histori- Filologji. E përshkruar shkurt, në qendër të sulmit është heqja e vijës së paprekshme të Parkut, që ishte në formën e një muri betoni, ndërtuar prej Edi Ramës në vitin 2000. Ai mur ka qenë një vijë e kuqe për të ndalur ndërtimet brenda Parkut dhe për ta mbrojtur në mënyrë ligjore, por dhe fizike një copëz mushkërie të gjelbër që i ka ngelur këtij qyteti, që po kthehet pak nga pak thjesht në një fjetore. Brenda gardhit kanë dalë pronarë të vjetur, kanë bërë pazare me pushtetarë të rinj dhe klientë të Familjes dhe duan të ndërtojnë. Sipas ligjit aktual në fuqi, në Tiranë nuk mund të ndërtohet pa u miratuar Plani Urbanistik dhe zona e mbrojtur po prishet pa asnjë vendim qeverie apo KKRTSH, që është institucioni më i lartë që merr vendime për të ndryshuar destinacionin urbanistik të zonave të mbrojtura. Rruga më e shkurtër që kanë gjetur njerëzit e Familjes për të shkatërruar Parkun e Tiranës është të përdorin arsyetimin e një rrugë publike, që të prishin rrethimin dhe pastaj ta relativizojnë kufirin dhe lejet e ndërtimit që do të jepen. Pas këtij projekti kemi dy skandale. E para është që shteti vihet i gjithi në dispozicion të një biznesmeni dhe një qendre tregtare në dalje të Saukut. Për atë qendër është devijuar projekti i rrugës Tiranë- Elbasan, biles duke dëmtuar dhe Kopshtin Botanik, dhe sikur të mos mjaftonte ajo rrugë, po prishet dhe Parku i Tiranës për një rrugë të dytë që të çon aty. Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, duket se po përdoret si lolo nga ky grup biznesi, nuk di kundrejt çfarë përfitimi politik apo financiar, por di që ata që po përfitojnë realisht nga kamikazllëku i Olldashit janë klientët e Familjes, që kanë nën kontroll kukullën e Bashkisë së Tiranës, Lulëzim Basha. Nëse Olldashi po përdoret thjesht për të prishur gardhin dhe për ti bërë një nder biznesmenit që premton vila në makete për çdo ministër dhe politikan që mendon se i duhet, Lulëzim Basha dhe grupi i sekserëve të tij, po ashtu njerëz të Familjes, po bëjnë gati projektet për pallate dhe ndërtime që do të fillojnë nga Fakulteti Histori- Filologji e deri në Sauk. Ata janë përfituesit kryesorë të kësaj masakre mbi një pasuri të fundit ndoshta që i kish mbetur Tiranës nga tranzicioni barbar i saj.

Akti i Lulëzim Bashës dhe njerëzve që e komandojnë atë është aq brutal, aq arrogant dhe korruptiv, sa të ikën dëshira të flasësh më për këtë çështje publikisht me Lulëzim Bashën dhe klientët e Familjes. Realisht tani presioni duhet drejtuar ndaj atyre në emër të të cilëve u bë ky mashtrim, ndaj qytetarëve. Slogani i Lulëzim Bashës I pari është qytetari dhe lista e intelektualëve të Tiranës që shoqëronin atë në seancat e gënjeshtrave publike si shoqërues dhëndri, sot është koha të ballafaqohen me këtë realitet. I pari për pushtetin siç po shihet është sekseri i Ridvan Bodes dhe Sali Berishës, i cili ka kapur shtetin dhe e ka vënë në dispozicion të biznesit të tij. Të parët janë ndërtuesit që financuan në hije fushatën manipulative të Lulëzim Bashës dhe blenë mandatin e tij. I kam dëgjuar qytetarët autoktonë të Tiranës edhe gjatë komunizmit kur ankoheshin për labët në pushtet, dhe pas komunizmit kur ankoheshin për tropojanët në pushtet, por nuk po i shoh ti dalin zot qytetit të tyre që po kthehet në një fjetore gjigante. E kam parë shoqërinë civile të Lulëzim Bashës të ankohej një vit më parë për lejet e ndërtimit të Edi Ramës dhe po heshtin për shkatërrimin pa leje, pa ligj dhe pa transparencë të pasurisë së fundit që i ka mbetur Tiranës. Kam parë rreth 30 burra e gra me shkollë të lartë, se nuk u them dot intelektualë, që shoqëruan Lulëzim Bashën në gënjeshtrat e tij gjatë fushatës që tani po fshihen si minj.

Të vetmit që kanë dalë në rrugë janë ca djem dhe vajza të këtij qyteti, që nuk hyjnë as tek autoktonët, as tek ata të Forumit të Tiranës, që kanë një ndjeshmëri për qytetin. Disa prej tyre dhe u përleshën me fadromat që punojnë aty, që teknikisht janë njerëz të pafajshëm- rrogëtarë. Por që ky qytet të kthejë dinjitetin e tij dhe të meritojë emrin kryeqytet, duhet jo të përleshet fizikisht, por të pengojë fizikisht masakrën. Mos shpresoni se do të preket dikush nga protesta civile e 300 vetëve që u dhimbset Tirana. Mos shpresoni se mërzitet Lulëzim Basha nga ndonjë sulm lart e poshtë nëpër dhëmbë të atyre që u dhimbset Parku. Për të shpëtuar Parkun duhet aksion fizik për të penguar punimet dhe për tu përleshur me ata që kanë vendosur ta çojnë projektin deri në fund. Ata që qëndrojnë pas projektit nuk janë njerëz të PD apo të PS, por milionerë që kanë kapur pushtetin dhe duan të shtojnë milionat e tyre. Ata janë aleatë të përkohshëm të pushteteve, për interesa të tyre, ndaj kundër tyre duhet të bashkohen të majtë dhe të djathtë të këtij qyteti. Arrogancës së milionerëve që kanë kapur shtetin i duhet dhënë një leksion force qytetare, derisa ata ta kuptojnë se blerja e pushtetit dhe mospërfillja e qytetarëve ka një çmim që mund tu dhembë dhe atyre. Një vit pas uzurpimit të Bashkise nga Lulëzim Basha shikohet qartë se i pari nuk është qytetari, por njeriu që financoi blerjen e mandatit në KQZ, është portreti i panjohur i biznesmenit që ka deformuar vullnetin e qytetarëve jo se i dhimbset PD apo PS, por se e shikon kryetarin e Bashkisë si një kone të lidhur pas zinxhirit të tij. Nëse ky qytet ka ende njerëz që i dhimbset qyteti dhe vetja e tyre, duhet të hyjnë në një betejë me këtë mafie që po i jep fund Tiranës pa kompleksin se po i shërbejnë opozitës apo po dëmtojnë qeverinë. Asnjë demokrat dhe socialist nuk përfiton gjë, përkundrazi humbet pse Ministri i Transporteve prish murin e Parkut për të bërë rrugë për një qendër tregtare dhe më pas sekserët e kryetarit të bashkisë vënë njollat e pallateve të tyre në 7 hektarë brenda Parkut. Asnjë i majtë apo i djathtë i këtij qyteti nuk ka ndërmend të shkëmbejë një orë pushimi në hijen e Parkut me një orë në çimenton përvëluese të Qendrës Tregtare. Nuk është luftë mes opozitës dhe qeverisë, por mes qytetarëve dhe mafies që ka kapur pushtetin. Duhet provuar se ia vlen dhe nëse humbet një betejë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›