Një parantezë vulgare dhe homofobike në programin the Voice of Albania
Show i të premtes mbrëma në Top-channel, the Voice of Albania, apo the Voice, siç e thërrasin shkurt tanimë, është një nga programet më të mirë që mund të jenë bërë në televizionet shqiptare. Dhe një nga faktorët që e ka bërë këtë show ndjellës e të ndjekur, është dhe katërshja e jurisë, Sidrit Bejleri, Alma Bektashi, Miriam Cani dhe Elton Deda. Kanë një komunikim shumë të mirë me sho-shoqin, janë inteligjentë, janë njohës të mirë të muzikës, madje kanë demonstruar se kanë dhe dhunti pedagogjike (dinë të trajtojnë konkurentët me delikatesë, dinë të bëjnë vlerësime të kujdesshme dhe elegante, etj).
Por sonte, 20 minuta më parë, ata i lejuan vetes një parantezë vulgariteti të skajshëm. Në momentin që Lumdrini, një djalë i ri, konkurent, i dha fund interpretimit të një prej këngëve të George Michael-it, iu dha fjala Sidritit, dhe ky se pati për gjë të bënte një koment të shkujdesur me gjuhë mejhanesh: Ky [konkurenti] është burrrrrë, është maaaashkull, ky nuk është si ai këngëtari i origjinalit, për të cilin gojët e liga thonë se , tha ai, duke mos e përfunduar frazën medemek prej namuzit. As emrin nuk denjoi tia përmendte në atë moment George Michael-it (!!!!), i cili është gay i deklaruar. Tre të tjerët zunë të qeshnin me të madhe e në shenjë miratimi me këtë ndërhyrje të kolegut të tyre. Pas tyre, zunë të qeshnin dhe spektatorët. U krijua vetvetiu një harbim homofobik. Ishte një skenë që të fyente; në mos, të bezdiste.
respublica.al
