E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një pemë për Haitin

Të çarat e thella në krah të maleve rreth Gonaives, mbi brigjet veriperëndimore të Haitit, janë shenjat e mbetura nga katastrofat që godasin vendin, duke shkaktuar kështu edhe vdekjen e tmerrshme të qindra personave. Këto janë edhe shenjat e plagëve të ishullit, të shkaktuara nga shpyllëzimi pothuajse total i një toke që dikur ishte një mjedis i pasur tropikal.

Uraganet që kanë goditur Haitin nga mesi i gushtit të vitit të kaluar e deri në shtator, kanë provokuar rrëshqitje toke dhe përmbytje, duke shkaktuar vdekjen e qindra personave dhe zhdukjen e mijëra të tjerëve. Deri më tani, vendet e pasura nuk ia kanë vënë veshin ndihmës që u ka kërkuar ky komb i dëshpëruar, i konsideruar shpesh pa shpresë. Kombet e Bashkuara kanë kërkuar 108 milionë dollarë ndihma urgjente për Gonaives dhe një qytet tjetër, Cabaret, që kanë të zhytur nën miliona tonë baltë, gurë dhe ujëra të zeza.

Periudha e fundit ka qenë relativisht e qetë: kanë kaluar më shumë se tri javë, që kur një shkollë e ndërtuar keq në periferi të kryeqytetit, Port-au-Prince, u shemb duke vrarë 94 studentë dhe vizitues, dhe më shumë se gjashtë muaj që kur protestat për ngritjen e çmimeve të produkteve ushqimore çuan në shkarkimin e Kryeministrit Jacques-Edouard Alexis. Por nga zonat rurale vijnë lajme për shumë raste pa ushqyerje. Rreth 25 fëmijë kanë vdekur urie në zonën e Baie d‘Orange, në brigjet juglindore. Për të lehtësuar varfërinë e Haitit, është vendosur që t‘i bëhet ballë një prej problemeve të tij më të mëdha: shpyllëzimit. Pa pemë, edhe një shi i lehtë mund të shkaktojë rrëshqitje toke dhe përmbytje në qytet. Rrëshqitjet e tokës që ndodhën këtë vit kanë shkaktuar vdekjen e 300 personave. Këto nuk janë një fenomen i ri: në vitin 2004, Gonaives, që ndodhet në një pozicion jo të favorshëm, u godit nga uragani tropikal Jeanne, që shkaktoi tremijë viktima. Edhe liqeni Azuei, që ndodhet në zonën jugperëndimore të Haitit, në kufi me Republikën Domenikane, rrezikon të dalë nga shtrati për shkak të shpyllëzimit dhe grumbullimit të mbeturinave.

"Këtu shihet qartë raporti i ngushtë mes degradimit ambiental dhe varfërisë ekstreme", pohon koordinatori i programit të Kombeve të Bashkuara për ambientin në Port-au-Prince. Shpyllëzimi, problemet e vërshimit të ujërave mbi sipërfaqen e tokës, sjellja e mbeturinave dhe ujërave të zeza janë bërë të natyrshme... Pra, nuk nevojitet një ngjarje e jashtëzakonshme për të provokuar një katastrofë.

Sipas Agjencisë amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar, vetëm 1,5 për qind e Haitit është ende e mbuluar me pyje, në krahasim me 60 për qind që ka qenë në vitin 1923. 28 për qind e Republikës Domenikane (në gjysmën tjetër të ishullit) është ende e pyllëzuar. Haiti rrezikon të humbasë edhe ato pak pemë që i kanë mbetur. Zhdukja e pyjeve, së bashku me prishjen e bujqësisë dhe terreneve të kultivueshme, e bëjnë vendin edhe më të prekshëm ndaj forcave të jashtme. Edhe situata politike vazhdon të jetë e paqëndrueshme: pas ngritjes dramatike të çmimeve të ushqimeve, protestat e vitit të kaluar e kanë bindur Presidentin Rene Preval të shkarkojë Kryeministrin Jacques-Edouard Alexis.

Gabimet e bëra ndër vite

Për momentin, agjencitë humanitare dhe të zhvillimit po bëjnë eksperimente duke rimbjellë pemë dhe shkurre. Qëllimi është frenimi i dëmeve të katastrofave natyrore, që çdo vit dobësojnë gjendjen ekonomike të Haitit. Misionet e krishtera preferojnë eukaliptet, ndërsa iniciativa të tjera si ajo e OKB-së për zhvillimin e ambientit bazohen mbi aloet dhe barishtet e elefantëve, të përshtatshme për zonat më të thata përreth Gonaives.

Fondacioni "Seguin", një organizatë për ambientin, e mbështetur nga Yele Haiti, financon programin "Ecole verte". "Lambi fund of Haiti", një grup nga Uashingtoni, që bashkëpunon me lëvizjen "Green Belt" e çmimit "Nobel", ka deklaruar se dëshiron të mbjellë më shumë se një milion pemë. "Pyllëzimi është çelësi i përballimit", ka deklaruar drejtoresha e "Lambi fund of Haiti". "Nuk bëhet fjalë për të ndaluar ndryshimet klimatike, por për të kthyer në gjendjen e mëparshme sistemin ekologjik natyror. Po përpiqemi të riparojmë gabimet e bëra ndër vite. Pa pemë vazhdojmë të bëjmë hapa pas dhe rrëshqitjet e tokës tregojnë se deri në ç‘pikë është çekuilibruar sistemi".

Në nëntor të vitit të kaluar, Haiti festoi revoltën e skllevërve zezakë, që në 1804-ën solli pavarësinë nga Franca, por sot, graviteti i problemeve qëndron para syve të të gjithëve. Dy muaj pas përmbytjes që goditi Gonaives-in, duke sjellë tre milionë mbeturina, vendi nuk është pastruar ende nga mbeturinat dhe ujërat e zeza. Veç të tjerash, ato që e keqësojnë edhe më shumë situatën janë shishet e pafundme plastike, që e pengojnë ujin të qarkullojë. "Sa herë që bie shi, rikthehet kaosi", thotë një ushtar i forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara. "Balta e bën gjithçka të pamundur. Të notosh në llucë është e pamundur, sepse mbytesh. E keqja është se për të mbjellë pemë dhe barishte paratë vijnë me shumë vonesë, ndërkohë që dhitë dhe bagëtitë e tjera vazhdojnë të ushqehen, duke pakësuar edhe ato pak barishte të mbetura. Vendi është i kërcënuar nga një katastrofë ekologjike: nëse vazhdojmë kështu, do të zhdukemi, dhe atëherë të vdekurit nuk do të jenë më 400, 700 apo 1000, por do të jenë një milion".

Por në një vend ku varfëria dhe paqëndrueshmëria politike konsiderohen si "vudu" (sot njihet si feja e vendit), përpjekjet për të luftuar dëmet janë pothuajse të pamundura. "Situata kërkon sforco dhe investime të mëdha, përndryshe nuk do të jemi në gjendje të konsolidojmë arritjet që kemi bërë", ka theksuar zëdhënësja e OKB-së.

Sot, edhe qeveria që prej kohësh e kishte humbur vullnetin politik për të përballuar problemin, është në favor të kësaj iniciative. Perre-Louis ka deklaruar se do të aprovojë ligje të reja për të rindërtuar shtetin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›