E Diel, 1 Nëntor 2026

Një përrallë, ku mëkatarët kthehen në engjëj

Nga Xheladin ÇELMETA
Pas vitit 1990, të gjithë shpresuam se më në fund përfundoi edhe përralla e gjatë dhe ankthshme, e cila fliste për historinë e një vendi, në të cilën protagonistët e tij i ngjanin personazheve të një drame. Të një drame me shumë akte, ku ngriheshin e binin heronj dramatikë; ku në njërin akt për ta thureshin këngë e legjenda dhe në tjetrin sharje e mallkime. Ku në njërin akt buçitnin duartrokitjet, dhe në tjetrin tringëllinin zinxhirët e burgut. Ku në njërin akt ballin ua stolisnin dafinat dhe në tjetrin, plumbat e pushkatimit Kjo, pra ishte koha e sistemit të djeshëm totalitar, e krahasueshme për nga dramaticiteti e egërsia, me vetë periudhën e Neronit dhe e gjithë diktatorëve të tjerë që ka njohur historia njerëzore më pas. Që nga ai moment i dhjetorit nëntëdhjetë, e deri tani në Shqipëri kanë kaluar jo pak, por plot nëntëmbëdhjetë vjet. Në një periudhë kaq të konsiderueshme kohe, normalisht që nuk është e vështirë të përshkruash apo të konstatosh atë se çfarë ka ngjarë në këtë vend. Si parantezë dua të theksoj, se askujt nga ne atëherë, pra në vitin nëntëdhjetë, teksa po ndërrohej sistemi, nuk i ka vajtur ndërmend që përrallëza e sipërpërmendur do të mund të anatemohej kaq keqaz, në të kundërtën e vet, për të na dhënë kështu mes të tjerave edhe një tjetër aspekt përçudnues: Aspektin, se si në Shqipëri, mëkatarët kthehen nëengjëj. Rastet, mjerisht janë kaq të shumtë, sa do të na vinte turp nga vetja po të mos ua thonim troç këtë gjë engjëjve të vërtetë në këtë vend: Fëmijëve tanë. Shprehem kështu, pasi janë pikërisht ata që, ashtu, të sapodiplomuar në shkollat shqiptare tashmë të niveleve vërtetë europiane, shumë shpejt do të piqen dhe do të arrijnë të marrin nesër frenat e drejtimit të vendit. Kjo është realisht plejada e Shqipërisë euroatlantike me të cilën kemi të drejtë të krenohemi pa asnjë rezervë. Po le të shpjegohemi me aq sa mundemi për të komentuar shkurt disa nga pasojat e aksidenteve të mëdha politike që kanë ndodhur në kohë të ndryshme në këtë vend dhe më pas përshtatjen, riciklimin e jo pak politikanëve apo shtetarëve, të cilët, në një farë mënyre a në një tjetër, kanë qenë përgjegjës për këto ngjarje. Për shembull; Ligji i Lustracionit, i kapërcyer tashmë me sukses në të gjitha vendet e Europës (shembulli më domethënës natyrisht është Gjermania), tek ne, sikurse dihet, po has në një debat pa kuptim, ku preteksti duket se është këshilla e partnerëve europianë, për të mos u ngutur në këtë çështje. Për rrjedhojë, diku në një post të rëndësishëm shtetëror, ndonjë zyrtar i burokracisë së shtetit të djeshëm totalitar, vijon punën e tij (me pretendimin amoral se ky është profesioni që kam), i klimatizuar pa kurrfarë droje me performancën e re në x institucion a drejtori. Madje, as që i shkon ndonjëherë në mendje rrugëzgjidhja qytetare dhe njëkohësisht normale; dorëheqja. Ndodh kështu, edhe pse e di që dikur ka formuluar shkresa që, në kohën e tyre, kanë cënuar jetët e të tjerëve. Sështë e thënë që ti ketë çuar domosdoshmërish në plumb. Më tej: U krijuan piramidat e tmerrshme në 96-tën, që groposën kursimet e miliona shqiptarëve. Por veç presidentëve të tyre, të cilët, ligji normalisht i ndëshkoi, nuk pamë të merrej ndonjë masë për nëpunës e administratorë të tjerë, që punuan me pasion në zyrat e këtyre piramidave. Dhe sikurse është bërë e ditur nga mediat, ka jo pak prej tyre që sot, janë konvertuar në zyrtarë të zellshëm nëpër drejtori të ndryshme të institucioneve të këtij shteti. Më tej akoma: Ndodhi 97-ta. Natyrisht, më mbrapa, shumë nga grupet kriminale që la pas anarkia kombëtare, u futën nëpër burgje. Kjo smund të mohohet, kurrsesi. Po, gjithsesi, në atë kohë u përfol se pati edhe plot të tjerë, që nuk u ndëshkuan. Erdhën më pas vite të tjerë, kur dy forcat e mëdha politike PS e PD, sipas rotacionit që dihet, morën në dorë drejtimin e vendit. Pikërisht në atë kohë Shqipëria u përfshi në hartën e korrupsionit botëror. Jo më pak se pesë muaj më parë, ambasadori i ShBA-ve në Tiranë, Xhon Withers, rrëfeu në një kopsht fëmijësh përrallën se si një krimb hëngri aq shumë fruta, sa më në fund, u shndërrua në njëflutur të bukur. Shigjetat humoristike të diplomatit të supershtetit të Botës në adresë të politikanëve tanë, nuk mund të ishin më thumbuese se kaq. Trafiku i armëve, Gërdeci, aferat korruptive me municionet, mungesa e transparencës për fondet e rrugës Durrës-Kukës, e deri tek seks-skandali më i fundit i ish-ministrit të MTKS, nuk dëshmojnë për gjë tjetër, veçse për një problematikë të mbarsur me plot aksidente të natyrës social-politike në këtë vend, i cili më 4 prill 2009 do të futet në NATO, dhe në të pastajmen do të synojë me ngut të futet edhe në Bashkimin Europian. Gjithsesi, kjo sndryshon ndonjë gjë në këtë realitet që jetojmë. Përsëri, përralla e Withers, fatkeqësisht vazhdon të mbetet edhe sot e gjithë ditën simbolika therëse e situatës në të cilën ndodhet sot shteti  shqiptar, institucionet e tij, si dhe shoqëria jonë, e cila duket se ndjehet e paaftë për të ndikuar disi me reagimin e saj që kjo gjendje të ndryshohet. Pyllnaja politike shqiptare vazhdon të habisë analistët në Shqipëri e jashtë saj me çudirat e reja që ngjasin këtu. Sërish po duken mëkatarë që shndërrohen në engjëj, sërish po duken krimba që shndërrohen në flutura të bukura. Po shohim se si një ish-ministër i dorëhequr i Gërdecit, po synon të riciklohet politikisht duke lektuar nëpër mediume e konferenca, si të mos kish ngjarë asgjë një vit më parë. Një tjetër ish-ministër, tashmë i Kulturës, i shkarkuar nga Kryeministri për skandalin seksual që pushtoi kanalet televizive, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Botës,  po bën plane për tu ricikluar si deputet. Morali i fabulës  me engjëj e djaj, tejzgjatet akoma më tej, duke përfshirë brenda saj edhe një tjetër hibrid të ri: Sekserët politikë. Përditë po shohim se si kriza politike e shoqëruar edhe me atë ekonomike, po turbullon ujrat e pellgut paraelektoral. Nga njëra anë po rikonsolidohen aleancat e vjetra, ndërsa nga ana tjetër shohim se si po shpallen ndarjet e reja të forcave politike. Politikanë bredhacakë, që pasi kanë ngrënë e janë majmur mirë e mirë për vite të tëra në një parti politike, tani na janë revoltuar me frymën e imponimit që iu paska diktuar Berisha dikur, deri para pak kohësh kur  ishin me të dhe tani po na krijokan parti të re!?!. Kush i ha këto lloj gështenjash, që në fakt kanë vetëm lëvozhgën dhe asgjë tjetër brenda? Aspekti tjetër duket edhe më hileqar, edhe më i sofistikuar: Një tjetër specie e sekserëve politikë, po venë në balancë sondazhet e Zogby- t, për të parë se kujt do ti buzëqeshë fitorja në zgjedhjet e qershorit 2009, për të bërë kështu të mundur deklarimin si kandidat për deputet në forcën politike më me fat. Një thashethem na bën me dije se ka jo pak nga ata që po shkojnë deri dhe tek fallxhoret apo astrologët e famshme të tipit Sharlotë(!!). Arsyeja dihet: Ata po bëhen gati që sipas rastit, të bëjnë kështu divorcin e ri politik, apo për të filluar flirtin e ri. Natyrisht, kjo bëhet për të përfituar ata vetë, e jo populli, paçka se thonë pa pushim se këtë e bëjmë për të mirën e elektoratit.

Last Updated on Friday, 13 March 2009 23:05

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›