Fier, banorët e Levanit protestojnë për komensimin në autostradë
Janë shoqëruar me protestë të gjitha përpjekjet e deritanishme të banorëve të zonës së Levanit në rrethin e Fierit për marrjen në kohë të kompensimit financiar për tokat që i zë autostrada. Banorët e komunës së Levanit kanë bllokuar në këtë mënyrë punimet që po bëhen aktualisht në aksin rrugor Levan-Tepelenë. Vetë ata kanë deklaruar për mediat se gjithmonë nuk kanë pranuar të bëhen punime në këtë aks, pasi deri tani nuk është realizuar premtimi për kompensimin e pronave të tyre, të cilat janë zaptuar në kuadër të ndërtimit të autostradës Levan-Tepelenë.
"E kemi vendosur që nuk do të lejojmë të vazhdojnë punimet. Shteti të shohë se si po e përballojmë jetën, jo të na lërë në mëshirë të fatit.E kemi tokë arë dhe gjatë këtyre kohëve që ne nuk i kemi shfrytëzuar do të kishim mundësi të mbillnim dhe të prodhonim si gjithë të tjerët, këtë fakt na e privoi shteti, atëherë le të na përgjigjet. Ne jemi të varfër dhe nuk kemi asnjë mundësi të mbijetojmë. Jetën e kishim të lidhur me tokën bujqësore", është shprehur Donika Preja, një banore e Levanit. Ndërkohë, protesta e djeshme duket se do të sjellë probleme serioze për vijimësinë e punimeve në këtë segment rrugor, pasi të gjithë banorët njëzëri kanë deklaruar se për asnjë arsye tjetër nuk do të lejohet vazhdimi i qetë i punimeve nëse ata nuk shpronësohen sipas ligjeve në fuqi, duke u paguar nga shteti në bazë të vendimit më të fundit për shpronësimet. "Kërkojmë një zgjidhje urgjente pasi në të kundërt jo vetëm që do ta përshkallëzojmë protestën por do të hyjmë në grevë urie dhe masa jonë e fundit do të jetë bojkot total i votimeve në zgjedhjet e qershorit. Nuk mund të përtypim më gënjeshtra, të formave të ndryshme, pasi në fshat ka familje që me të vërtetë vuajnë për bukën e gojës dhe nuk mund të presin që kompensimin financiar ta marrin kur të duan pushtetarët. Janë premtime që tashmë nuk na ngjallim në interes, pasi jemi velur me to." Kanë qenë këto fjalët e Tahir Hazizajt, një intelektual i zonës. Protesta e djeshme nuk është e para që banorët e kësaj zone organizojnë.