Një përshkrim i pavarësisë së mediave
Ditët e fundit, kryetari i Unionit të Gazetarëve z. Çipa, ka ngritur shqetësimin mbi disa probleme që lidhen me mënyrën se si po funksionon tregu mediatik në Shqipëri dhe influencat negative që shkaktohen në adresë të fjalës së lirë dhe konsolidimit të institucioneve. Në fakt, roli teorik i tregut si një institucion demokratik në media është studiuar nga autor me peshë në këtë fushë. Vlen të përmendet puna serioz e McChesney (2004) i cili mbron mendimin se principet bazë të tregut shërbejnë si mekanizma voluntaristë, ku njerëzit mund të ndërveprojnë të lirë. Ai duke aplikuar të njëjtat principe edhe në media thekson se nëse njerëzit dëshirojnë përmbajtje specifike të medias, konkurrenca është mekanizmi i vetëm që mund të nxisë kompanitë mediatike për të ofruar këtë përmbajtje. Këto agjenci në kushtet e funksionimit normal të tregut, janë të detyruara të zhvillohen dhe të tentojnë për t’i ofruar publikut çfarë ato kanë nevojë ose përndryshe firma të reja do të shfaqen për ta përmbushur këtë kërkesë. Në këtë kontekst, tregu konsiderohet si i vetmi instrument rregullues në media që mund të garantojë përmbajtje dhe cilësi të përshtatshme për publikun.
Nisur nga vlera që i atribuohen funksionimit normal të tregut, specialistë të komunikimit i kanë kushtuar rëndësi efekteve negative që mund të rrjedhin në rastet e mosfunksionimit normal të tij. McManus (2005) në analizën e tij konstaton se në vendet ku tregu është i deformuar mediat janë përmbytur nga gazetaria “servile” dhe nga ajo që i intereson pronarëve, ku interesat e tyre kanë përparësi mbi interesat e lexuesve. Në këtë rast censura është shumë më efikase, sepse interesat e pronarit mrekullisht janë të njëjtat me ato të informacionit. Tregu mediatik u ofron njerëzve përmbajtjen që orientohet drejtpërdrejt brenda sferës së prodhimit të përfitimit nga ana e pronarit.
Sigurisht, vendet më të prekura nga ky fenomen, po t’i referohemi një studimi të ndërmarrë nga Rrjeti i Evropës Juglindore për Profesionalizimin e Medias (SEENPM gjatë vitit 2003–2004), rezultojnë të jenë vende si Shqipëria, të cilat kanë probleme të theksuara me mirëfunksionimin e tregut. Aspekti ligjor-administrativ, por edhe mundësia e kufizuar që ofron vetë tregu për të tilla shërbime, ka vënë në vështirësi rentabilitetin e medias në përgjithësi, por sidomos të medias së shkruar, duke e ndërtuar mbijetesën e tyre në “kurriz“ të pavarësisë.
Disa nga problemet lidhen kryesisht me mungesën e dokumentacioneve, të një regjistri qendror të kompanive, mungesën e verifikimit të të dhënave të kompanive, shifrat e tirazheve, të cilat nuk janë të disponueshme pavarësisht nga detyrimi ligjor për t’i botuar. Këto probleme kanë përbërë fokusin e kritikave të institucioneve ndërkombëtare dhe lokale ndaj rolit që po luajnë institucionet shtetërore si instrumenti i vetëm që duhet të garantojë mbarëvajtjen normale të tregut, pasi zbatimi i ligjit dhe reformimi i tij ka një rol të padiskutueshëm në drejtim të formalizimit të tregut dhe stabilizimin e konkurrencës ndërmjet operatorëve mediatikë. Njëkohësisht, një faktor po kaq i rëndësishëm është edhe potencialiteti që ofron tregu për të tilla shërbime. Kjo gjë ka rëndësi, pasi, nëse nuk arrihet të harmonizohen reformat në drejtim të formalizimit të tregut me vitalizimin e vetë tregut, situata financiare do të mbetet problematike dhe pavarësia e medias njëkohësisht.
Për sa i përket aspektit ligjor-administrativ, vërejmë se mangësitë e grumbulluara në vite kanë krijuar një shkallë të lartë informaliteti që reflektohet në komponentë të tillë si: transparenca e financimeve, tirazhi i shitjeve të gazetave, deklarimi i të ardhurave, kontratat pronar–punonjës etj. Qeveria e ndodhur përballë këtij fakti, ka synuar që nëpërmjet disa reformave ligjore-administrative të minimizojë shkallën e lartë të informalitetit. Kemi parasysh miratimin e ligjeve të viteve të fundit si: ligji për shpërndarjen e reklamës nga ana e shtetit, ligji që kufizon sasinë e shpenzimeve të zbritshme nga tatimet që mund të bëjnë kompanitë private në marketing ose sponsorizim.
Këto ligje, pavarësisht se në teori kanë synuar të minimizojnë shkallën e lartë të informalitetit dhe të kontribuojnë në rregullimin e tregut, në realitet kanë prekur drejtpërdrejt burimin e të ardhurave të këtyre bizneseve dhe nuk kanë mundur të eliminojnë fenomenet korruptive. Le ta shpjegojmë.
Një pjesë e kompanive që janë korrekte me detyrimet ndaj institucioneve shtetërore dhe mund të përfitonin qoftë nga përqindja e reklamës së shtetit apo të kompanive private me anë të ligjeve të nxjerra nga qeveria, janë penalizuar njëlloj si pjesa tjetër që nuk i kanë përmbushur detyrimet ndaj shtetit. Qeveria në këtë rast ka zgjedhur formën me të thjeshtë për të parandaluar format abuzive, duke eliminuar burimin financiar dhe jo duke reformuar institucionet e kontrollit për të identifikuar më mirë rastet abuzive dhe vendosjen e penaliteteve ndaj kompanive abuzuese.
Kjo nismë, po t’u referohemi edhe shqetësimeve që ka ngritur Unioni i Gazetarëve, nuk e ka eliminuar problemin, pasi, siç dihet, institucionet e kontrollit vazhdojnë të jenë abuzuese në zbatim të ligjit. Kjo nismë thjesht ka kufizuar mundësinë e rritjes së të ardhurave për ato media që janë korrekte në marrëdhëniet që krijojnë me biznesin dhe organet shtetërore, duke vështirësuar edhe më shumë mbijetesën e tyre.
Një çështje tjetër e rëndësishme që ka të bëjë me aspektin financiar, lidhet me nivelin e formalizimit të raporteve pronar–gazetar. Edhe në këtë rast, qeveria për të eliminuar problemet e këtij karakteri ndërmori një sërë nismash dhe veprime konkrete. Pjesë e këtyre nismave ishte VKM-ja e vitit 2007, e cila synonte vendosjen e pagave referuese në sektorin jopublik. Edhe në këtë rast, pavarësisht prirjes pozitive nga ana e qeverisë për të minimizuar shkallën e informalitetit në këtë sektor, përsëri vërehet një analizë “e cekët” për të kuptuar dimensionet e problemit. Qeveria, edhe me këtë ligj, u mjaftua me përcaktimin e një liste pagash detyruese për operatorët mediatikë si e vetmja mënyrë për të eliminuar fenomenin e evazionit fiskal dhe jo nevojën për të reformuar organet tatimore.
Me këtë logjikë, u perceptuan të gjitha kompanitë si abuzuese pavarësisht raporteve korrekte që kishin disa kompani me organet tatimore. Kjo nismë nuk eliminoi problemin e informalitetit, pasi disa kompani vazhdojnë të punojnë në informalitet, si pasojë e mungesës së kontrollit nga ana e organeve tatimore, por thjesht rriti barrën fiskale për ato kompani që vazhdojnë të jenë korrekte me ligjin; si dhe minimizoi për këto kompani mundësinë për të mbijetuar në treg dhe nxiti njëkohësisht nevojën për të siguruar burime të tjera financiare.
Një aspekt tjetër lidhet më strukturën e tregut të këtij sektori. Kjo për faktin se numri i tirazheve të shitura, shkalla e interesit të lexuesit, publikimi online, reklama dhe territori që mbulon shpërndarja e medias së shkruar, vështirëson mbijetesën e tyre. Financimi i jashtëm bëhet i vetmi mjet për një media që të mbijetojë në këtë treg të vogël. Në këto kushte, po të mos ishte përqendrimi i kapitaleve në duart e bizneseve të rëndësishme sot nuk do të kishim këtë treg mediatik.
Mirëpo, po të nisemi nga kjo logjikë, atëherë duhet të pranojmë që media e shkruar apo e folur të jetë vetëm në duart e qendrave themelore të akumulimit të parasë dhe të fuqisë ekonomike. Sigurisht që kjo gjë konsiderohet si diçka jo fort e pëlqyeshme, pasi specialistët e komunikimit argumentojnë se çështja në fjalë nuk është thjesht një problem teknik komunikimi, por është edhe një mjet i fuqishëm për ndërtimin e demokracive politike. Marrëdhënia nuk është për shembull media–tregti, por media–lexues (elektorat) –vendim, politikë–tregti.
Pikërisht, kjo situatë e pamjaftueshmërisë së fondeve ka nxitur investitorët që ta shikojnë median si një instrument të rëndësishëm për të gjeneruar të ardhura për biznese të tjera. Në këtë aspekt burimi i të ardhurave nuk është publiku, por politika. Kjo marrëdhënie prodhon dukurinë e vetëcensurës. Ndikimet dhe udhëzimet nga brenda medias, presionet e jashtme dhe nderet nga institucionet politike apo individë, së bashku me varësinë financiare në një treg pune të pasigurt, shpjegojnë se pse dhe si lind vetëcensura.
Nisur nga kjo panoramë, mund të themi se qeveria jo vetëm duhet të mendojë për të rregulluar, por duhet të shqetësohet edhe për ta monitoruar dhe vitalizuar atë. Qeveria ka një rol vendimtar në këtë proces, duke e konsideruar median, nisur nga kushtet ku ndodhet, jo thjesht si një biznes, por një instrument i rëndësishëm për demokratizimin e shoqërisë. Në logjikë, reformat fiskale që ndërmerren në këtë sektor, duhet të analizohen më me seriozitet, pasi eliminimi i një dukurie shkakton lindjen e një dukurie tjetër.