E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delijorgji e Minxholli paralajmërojnë kërkesë për gjykim të shkurtuar



Mihal Delijorgji dhe kunati i tij, Dritan Minxholli, parapërgatitin trupin gjykues dhe organin e akuzës se do të kërkojnë të gjykohen me gjykim të shkurtuar. Deklarata surprizë në gjyq u bë dje nga Maks Haxhia, avokati i administratorit të shoqërisë “Albdemil”, i cili kërkoi kohë nga trupi gjykues për t’u konsultuar me klientin e tij, pasi kanë ndërmend që në seancën e radhës të paraqesin kërkesën për gjykim të shkurtuar. Nëse kjo kërkesë do të pranohet nga trupi gjykues, Delijorgji e Minxholli i shpëtojnë “burgimit të përjetshëm”, pasi për akuzën që rëndon mbi ta, “vrasje masive”, rrezikojnë dënimin maksimal. Por, Minxholli e Delijorgji nuk janë të vetmit që parashikojnë të kërkojnë gjykim të shkurtuar, pasi edhe dy të pandehur të tjerë u janë bashkuar për të njëjtin fakt, Agim Lala dhe Lavdi Shatro. Deklarimi është bërë dje nga avokatët mbrojtës të tyre, të cilët kërkuan kohë që në seancën e radhës të paraqesin kërkesat për aplikimin e 1/3 për gjykim të shkurtuar. Ndërsa katër të pandehurit paralajmëruan paraqitjen e kërkesave për gjykim të shkurtuar, avokatët e tjerë nxorën një tjetër pretendim, atë të pavlefshmërisë së akteve të përfshira në fashikuj. Kështu, avokati i ish-gjeneral Shpëtim Spahiut dhe ish-sekretarit të përgjithshëm të institucionit të mbrojtjes, Ardian Mullai, deklaruan se kërkesa për gjykim e depozituar nga Prokuroria e Përgjithshme është e pavlefshme, pasi është paraqitur gati një muaj pas afatit. Sipas tij, bazuar në ligj duhej dorëzuar më 20 shkurt. Një tjetër shkelje e konstatuar dhe e vënë në dukje nga avokati Vladimir Meçi ishte edhe ekspertiza e dëmeve të shkaktuara në Gërdec pas tragjedisë nga dy ekspertë që punojnë në KLSH, të cilët e kanë të ndaluar me ligj një punë tjetër përveçse në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Kundërshtimi i ekspertizave të kryera në vendngjarje, kërkesa për kohë sepse do paraqiten kërkesa për gjykim të shkurtuar dhe ajo e disa avokatëve për pavlefshmëri të akteve, bëri që trupi gjykues pas disa orësh gjyq të shtyjë gjyqin për më 12 tetor.

Vendimi, gjykata rrëzon kërkesën për veçimin e gjykimit

Trupi gjykues refuzoi dje kërkesën e ushtarakëve dhe disa zyrtarëve të pandehur në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, e cila i mori jetën 26 personave dhe u plagosën 300 të tjerë. Një seancë më parë ata kërkuan veçim të dosjes nga 4 të pandehurit e tjerë të arrestuar që akuzohen për “vrasje masive” dhe “shkatërrim prone”, konkretisht nga të akuzuarit janë Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxholli dhe Sokol Ngjeci. Kërkesa iu paraqit trupit gjykues nga avokatët mbrojtës në seancën gjyqësore të një jave më parë, me pretendimin se nuk ekziston asnjë provë që ato kanë bashkëpunuar për të kryer këto vepra penale. Sipas arsyetimit të trupit gjykues, të kryesuar nga Ridvan Hado, kërkesa “do të dëmtonte vërtetimin e fakteve” dhe për këtë arsye nuk mund të pranohet. Për tragjedinë e 15 marsit 2008 prokuroria ka dërguar në gjykatë dosjen me 28 të pandehur, si dhe akuzoi për shpërdorim detyre ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, aktualisht ministër i Mjedisit. Por Gjykata e Lartë vendosi të pushojë çështjen ndaj Mediut, pasi ai është veshur me mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 28 qershorit 2009. Të pandehurit që gjykohen në gjendje të lirë janë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Luan Hoxha; zëvendësi Agim Lala, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Ramadan Tartari, Ndue Marku, Ardian Mullahi, Adriatik Mema, Shkëlzen Madani, Dashnor Çaushaj, Zenun Fero, Hysni Coçka, Hilmi Laçaj, Fari Toska, Rezart Tërshana, Besnik Dauti, Agim Babameto, Fiqiret Mato, Lavdi Shatro, Gëzim Oshafi, Denis Hajdari, Jorgo Mino dhe Fatbardh Kuçi. Ish-drejtori i kompanisë shtetërore MEICO, Ylli Pinari, administratori i kompanisë "Albdemil", Mihal Delijorgji dhe ish-drejtori teknik i fabrikës së çmontimit të municioneve, Dritan Minxholli, si dhe ish-punonjësi i MEICO-s, Sokol Gjeci, janë në gjendje arresti.

Tragjedia, familjarët të vetëm në seancë

Në sallën e gjyqit as dje nuk munguan pjesa më e madhe e familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Ajo që binte në sy ishte mungesa e avokates që i ka përfaqësuar gjatë këtyre seancave, Blerta Kraja. Familjarët e viktimave, ndryshe nga seancat e kaluara, ndoshta edhe për shkak të ecurisë së procesit deri në kërkesat paraprake, dje nuk kanë preferuar të prononcohen për mediat. Prej tyre ishte deklaruar që këtë të hënë do të depozitonin në Prokurori 26 kallëzime penale ndaj ish-ministrit Fatmir Mediu, si një mundësi që organi qendror i akuzës të kërkojë heqjen e imunitetit për ish-ministrin e Mbrojtjes. Por, sipas burimeve, duket se përkohësisht këto kallëzime nuk do të depozitohen, por askush nuk deklaron më tepër nga pala mbrojtëse e familjarëve rreth këtij fakti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›