E Shtunë, 31 Tetor 2026

Operacioni; I dënuar për vrasje të dyfishtë, arrestohet 50-vjeçari



Një 50-vjeçar, i kërkuar për vrasje të dyfishtë, u arrestua nga policia ditën e djeshme në Tiranë. Në prangat e uniformave blu ra Osman Krasniqi nga Elbasani, i dënuar nga drejtësia shqiptare me 25 vjet heqje lirie. Ai u kap në periferi të kryeqytetit, ndërsa po lëvizte i maskuar si shitës fruta-perimesh në një makinë. Nën një identitet të rremë, ai u përpoq t’i shmangej arrestimit, por u vu në pranga. I ndaluari akuzohet për vrasjen e shtetasve Dashamir Kanellari e Tahir Mysliaga në vitin 2001, në lagjen “Skënderbej” në qytetin e Elbasanit. Ai u shoqërua në qelitë e burgut, për të nisur vuajtjen e dënimit të dhënë nga drejtësia shqiptare. Operacioni u zhvillua në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në rrugë operative u morën informacione nga policia e Elbasanit për lëvizjen e të kërkuarit Osman Krasniqi. Menjëherë, forcat e policisë u angazhuan për ndalimin e tij. I kërkuari lëvizte në drejtim të Tiranës dhe pas kontakteve me uniformat blu të kryeqytetit, u organizua operacioni “Farka”, për vënien e tij në pranga. Pas informacioneve të marra se 50-vjeçari po qarkullonte me një automjet tip “Audi” në drejtim të Tiranës, menjëherë u ngrit një pikë kontrolli në kthesën e Senatoriumit Tiranë. Në momentin e ndalimit, sipas burimeve nga policia, Krasniqi u përpoq që të mashtronte punonjësit e policisë, duke iu paraqitur atyre me një identitet të rremë. Ai u tha se ishte një shitës ambulant i frutave-perimeve. Në pjesën e pasme të automjetit ishin të vendosura një sasi hurmash, të cilat i arrestuari dyshohet se i përdorte për të fshehur identitetin e tij, si shitës ambulant. Ndaj 50-vjeçarit u vunë prangat dhe ai iu dorëzua policisë së Elbasanit, për të nisur vuajtjen e dënimit. Ngjarja për të cilën akuzohet Krasniqi ka ndodhur në vitin 2001. Prej nëntë vitesh, i kërkuari arriti t’i shmangej arrestimit, për t’u vënë në pranga ditën e djeshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›