E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armiku që rizgjoi bunkerët!

• Dalina BuziNe u tallëm me bunkerët e ndërtuar gjatë peri    udhës së monizmit dhe paranojën e ish-diktatorit Hoxha për armikun imagjinar. Me to gazetarët e huaj përtacë ndërtuan dhjetëra histori, aq sa e kthyen në klishe shprehjen “vendi i bunkerëve” kur i referoheshin Shqipërisë, kompanitë turistike në vend sajuan paketa turistike për të huajt të tipit “Bunker tours” dhe disa biznesmenë kreativë i kthyen në lokale për nostalgjikët. Por askush nuk e mendonte se këta bunkerë një ditë paqësore me diell, do ta kryenin funksionin e tyre dhe do të mbronin njerëzit nga një armik edhe më të tmerrshëm se ai që krijoi fantazia jonë. Ky armik ishte vetvetja. Disa të mbijetuar të tragjedisë së Gërdecit në Spitalin Ushtarak, më rrëfyen se si kishin arritur të shpëtonin duke u fshehur nëpër bunkerët e paprekur nga shpërthimi (ashtu siç treguan edhe pamjet e filmuara nga helikopteri transmetuar në RTSH). Ata u fshehën për t’i shpëtuar një çmendurie të radhës të krijuar nga vetë ne. Një fabrikë e tejmbushur me municione, çmontonte predhat jashtë normave të sigurisë në një zonë të banuar. Dhe si të mos mjaftonte kjo, vetë banorët e zonës jetonin në paqe me këtë  rrezik, fëmijët luanin aty pranë, të tjerë pranonin të punonin në të zezë e të pasiguruar, 10-vjeçarë zbraznin armët nga baruti për ndonjë lek më shumë për familjet e tyre të varfra, të ardhura nga qytete të tjera. Kjo bashkëjetesë e çuditshme e shumë shqiptarëve me vdekjen e ka një shpjegim. Të rritur në varfëri, me një identitet të shpërfillur e të dhunuar psikologjikisht njëherë nga sistemi komunist që i imponoi mendimin dhe mënyrën e jetesës, e më pas nga ky sistem i një demokracie të çorientuar, që i injoroi krejtësisht nevojat e tyre, për shumë vetë asnjë rrezik nuk përbën rrezik, sepse në fund të fundit “Nuk kanë çfarë humbin”. E nesërmja për ta nuk ka asgjë më shumë sesa e djeshmja apo e sotmja. Ata do të gdhihen me të njëjtën sasi lekësh si dje, me të njëjtën lopë e copë toke dhe nëse një ditë fëmijët e tyre nuk do t’i nxjerrin nga ajo varfëri, askush tjetër nuk do t’i ndihmojë, aq më shumë të zgjedhurit nga votat. Por deri atëherë (në fakt, deri në vdekje) ata do të jenë besnikë të shprehjes “ec se nuk të gjen gjë!”, që nëse nuk është më e përdorura në Shqipëri, renditet aty lart në hit-paradën e shprehjeve popullore, përkrah  “varja” dhe “qeveri (shto këtu: greku, popull, malok...) e poshtër!”. Në këtë vend, ku për gdhendjen e varreve-lapidarë dhe drekën e të 40-tave shpenzohet më shumë se për dasmat, çuditërisht duket se askush nuk ka frikë nga vdekja. “Ec se nuk të gjen gjë!”, duhet të jetë thënë dhe atë natë në liqenin e Farkës, kur varka që nuk mbante më shumë se 6 veta u mbush nga 16-të. Nëse njëri atë mbrëmje ka pyetur se mos do të ishte më mirë të merreshin dy varka për të transportuar klientët e restorantit, jam e sigurt se të tjerë janë përgjigjur “Ec se s’të gjen gjë, se ja ku është bregu tjetër!”. Kështu madje është thënë edhe në vitin 1997, kur njerëzit vriteshin nga plumbat që vetë i hidhnin si të babëzitur në ajër. Kështu thuhej edhe kur të varfrit e të pashpresët mbushnin gomonet e udhëtonin në mes të dimrit e dallgëve, pa ditur as not e pa pyetur për kohën e keqe, drejt Italisë. “Ec se s’të gjen gjë” thuhet edhe kur punëtorë në kërkim të një racioni buke më shumë për fëmijët e tyre, pranojnë të punësohen të pasiguruar nëpër firma ndërtimi, t’iu ngjiten skelave të paqëndrueshme, apo të punojnë jashtë normave të sigurisë nëpër miniera. Çdo ditë ndeshemi me këtë indiferencë patologjike të shqiptarëve ndaj vdekjes, njerëz që i shkojnë rrezikut deri në fund edhe atëherë kur nuk është e nevojshme. “Nuk të gjen gjë” të kapërcesh bordurën që ndan autostradën Tiranë-Durrës; “nuk të gjen gjë” as t’i japësh makinës me 80 km/orë në një zonë të banuar, ku padashje mund të shkelësh një fëmijë që rend pas topit. Derisa nuk ka ndodhur gjë “nuk të gjen gjë”! Dhe kjo marrëdhënie anormale me vdekjen, përcillet tek ata që kemi votuar për t’u kujdesur për ne, por që fatkeqësisht ndajnë të njëjtin mendim “Ata s’i gjen gjë!”. Sepse edhe liderët në fakt nuk kanë çfarë humbin. Kanë fituar sërish edhe kur kanë bërë gabime, refuzojnë të japin dorëheqjen edhe kur tolerojnë premisat për tragjedi, i pranojmë të na udhëheqin pasi i kemi rrëzuar me protesta. Edhe ata janë pa të nesërme, të paktën pa të nesërmen e përbashkët se personalen e kanë të zgjidhur që kur egoja iu përcaktoi drejtimin e karrierës.Prandaj duhet të ndodhë diçka që të kujtohemi se çfarë dëmi i shkaktojmë vetes sonë. Duhet të ndodhte kjo tragjedi në Gërdec që të gjithë të mësonim se për vite me radhë atje bashkëjetonte jeta me vdekjen, se ajo kompani kishte punësuar numra, njerëz pa emra, fëmijë pa moshë, të cilët në mendjet e pronarëve, por edhe të zyrtarëve që aprovuan kontratat, konsideroheshin si “Bashkësia N” dhe jo si njerëz që duheshin mbrojtur e siguruar nga rreziqet e mundshme.Kur kujton të gjitha tragjeditë me emra fshatrash e muajsh, të ndodhura në këto 18 vitet e fundit, arrin në përfundimin se ato janë pasojat e asaj që kemi krijuar vetë ne, një përpjekje e përbashkët për të tërhequr deri në tendosje kufijtë tanë. Kur nuk të bën përshtypje e nesërmja, atëherë priti gjithë pemët derisa natyra të të kthehet kundër, bëj sikur s’sheh fëmijët që çmontojnë predhat derisa një ditë të përfshihen nga flakët, ndërto pallate pa themele e shihi të rrëzohen si në filmin e “Godzillës”. Ngado në këtë vend ka premisa për një tragjedi të radhës, prandaj nuk është çudi që vetë ish-ministri i Mbrojtjes ta pranojë se Shqipëria është një minë që mund të shpërthejë nga momenti në moment. Le t’i shkojmë deri në fund rrezikut e pastaj ta filmojmë shpërthimin e ardhshëm me kamera amatore apo t’i bëjmë foto si turistë japonezë nga makinat tona luksoze. Armiku imagjinar nuk erdhi kurrë, asgjë nuk na erdhi nga qielli, askush nuk na pushtoi, por vetë me pakujdesinë tonë, me indiferencën apo mungesën e një organizimi për të kërkuar kushte më të mira sigurie dhe natyrisht me moskokëçarjen e liderëve tanë, ne nisëm të vrisnim njëri-tjetrin. Armiku më i keq i vetes jemi bërë vetë ne. Prandaj falënderojmë ata bunkerë që këtë radhë i erdhën në ndihmë të mbijetuarve të Gërdecit. Dikur u ndërtuan për të mbrojtur “ne” nga “ata”. Dhe për vite me radhë nuk kryen asnjë funksion, derisa një ditë e kuptuam se askush nuk po na mbronte më dhe u fshehëm aty për t’u mbrojtur nga tragjeditë që i krijuam dhe i toleruam vetë. P.S. Teksa po mbaroj këtë shkrim, në autostradë kanë dalë banorët e Gërdecit, të cilët protestojnë kundër ushtrisë që, sipas tyre, “po i pengon të futen nëpër shtëpi”, edhe pse ende rrezikohen nga minat dhe predhat e përhapura nëpër fshat. Ne vërtet nuk duam t’ia dimë për vdekjen...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›