Kërkohet shkarkimi i Rusmalit dhe Islamit
• Mandati i komisionit të Reformës Zgjedhore do t'i shtyhet për një muaj afati.Për të katërtën herë komisionit do t'i shtyhet mandati për të realizuar reformën e shumëpritur zgjedhore. Një gjë të tillë e ka vendosur konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, e mbledhur dje rreth orës 16.00. Përfaqësuesit e partive të vogla parlamentare në këtë konferencë kanë kërkuar me insistim që të realizojnë shtyrjen e afatit të komisionit, duke e lënë për më shumë se një muaj, ose deri në tre muaj. Dy përfaqësuesit e partive të mëdha në këtë komision, të PS-së dhe të PD-së, Valentina Leskaj dhe Ilir Bano nuk kanë kontestuar shtyrjen e mandatit të komisionit të Reformës Zgjedhore. Por ata kanë qenë të mendimit në fillim që nisma e socialistëve për ndryshimet kushtetuese të realizoheshin vetëm nga ana e komisionit parlamentar të Ligjeve. Nga insistimi i të vegjëlve është vendosur që të shtyhet për një muaj mandati i komisionit të Reformës Zgjedhore, nisur dhe nga fakti se brenda muajit prill pritet të mbahet dhe samiti i NATO-s në Bukuresht. Ndërsa një tjetër debat që është hapur në konferencë ka qenë kërkesa e drejtuesve të partive të vogla që këtë komision të mos ta drejtojnë dy bashkëkryetarët Rusmali dhe Islami. Sipas burimeve në qëndrimet e tyre, puna e dy bashkëkryetarëve është cilësuar si e dështuar, e cila prej mëse tre mandatesh nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret. Në këtë konferencë është hedhur ideja që komisionit të mos ketë dy bashkëkryetarë, por vetëm një të tillë, sipas skemës klasike që është përdorur në ngritjen e kësaj strukture të posaçme. Ndërsa është lënë që një gjë të tillë ta vendosë seanca parlamentare, nëse do të ketë dy bashkëkryetarë, apo do ketë vetëm një drejtues të komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore. Afati i komisionit të posaçëm të reformës Zgjedhore mbaroi të hënën më datën 17 mars të këtij viti. Deri tani nuk është realizuar asnjë ndryshim konkret i ligjit zgjedhor, por është hedhur ideja e vendosjes së sistemit proporcional.