Një portret i Xhezair Zaganjorit: Ju tregoj jetën time
Një portret i kandidatit presidencial të maxhorancës i ndërtuar nga njerëzit që e njohin më mirë dhe nga ai vetë. Që nga vitet studentore, pedagogët që e kanë përkrahur, anëtarësimi në PPSH, dorëzimi i teserës, Gjermania, dashuria e tij e deri tek aktiviteti si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Cili ka qenë rrugëtimi i djalit nga Shkodra, që ka punuar dhe si punëtor ndërtimi dhe që sot i premtohet si destinacion final karrigia e kreut të shtetit? Gjithë vendimet e tij në vite dhe pse ka votuar pothuaj gjithmonë kundër opozitës socialiste
Nga Lorenc Vangjeli, Java
E martë në mbrëmje, datë 29 maj. Koalicioni qeveritar, Berisha-Meta-Idrizi-Mediu, kishte përmendur emrin e tij si kandidat presidencial.
E mërkurë paradite, ora 08:30. Xhezair Zaganjori, anëtar i Gjykatës Kushtetuese, si rrallë herë, qëndroi vetëm pak minuta në zyrë. I ftuar nga kolegët e tij, zbriti sërish shkallët në pjesën anësore të ish-godinës së Komitetit Qendror dhe hyri në barin e katit përdhes për të pirë kafe. Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës, Vladimir Kristo, Admir Thanxa e Fatmir Hoxha u ulën në bar duke pasur kësaj here në qendër Zaganjorin. Urime, urime, zoti President!, Faleminderit, faleminderit, por të shohim. Unë vetë nuk e prisja!, ishin dialogjet e përsëritura në ato pak minuta të qëndrimit në bar mes kolegëve juristë, që befas shohin se njëri prej tyre ka përpara shansin e artë të katapultimit në karrigen kreut të shtetit. Në dy muajt e fundit, ndokush nga ta, me siguri kishte dëgjuar, edhe pse me mosbesim, se me Xhezairin pritej të ndodhte diçka e madhe. Emri i tij dhe i dy-tre juristëve të tjerë të njohur ishin përmendur në tavolina të rezervuara politike në Tiranë, si një mundësi e fundit në rast të dështimit të kandidaturave nga politika për postin e Presidentit të Republikës. Kur ndodhi realisht, thjesht e uruan. Mbase-mbase edhe me pak xhelozi të kuptueshme njerëzore mes të barabartës, që në një moment të caktuar shohin shkëputjen e njërit prej tyre për lart, shumë lart.
E mërkura, më pas, vazhdoi rrjedhën e saj normale. Të pazakonta ishin telefonatat e shumta në numrin e tij celular, 06..20417…, kryesisht miq, të afërm, por dhe politikanë. Këta të fundit, kur i kishin komunikuar vendimin e tyre për ta kandiduar, edhe e kishin këshilluar që, mbi të gjitha, të mos fliste me gazetarë. Në fakt foli pak. Me modesti, duke kujtuar se vendi ka dhe shumë personalitete të tjerë që e meritojnë një nder të tillë, me mprehtësi kur pohonte se shpresonte që të mund të votohej në mënyrë konsensuale. Kaq! Pastaj heshtje dhe rutinë e prishur nga e panjohura që do të zgjidhet të paktën pas dy javësh.
Po të mërkurën, pak mbas mesditës, Zaganjori bëri ritualin e tij të kthimit në shtëpi, diku mbas restorant Piazza-s. Kësaj here, me ndryshimin se brenda harkut të një 24 orëshi, 55 vjeçari Zaganjori, ishte bërë i famshëm. Deri të martën në mbrëmje, në emrin e tij dilnin rreth 10 mijë rezultate nga kërkimi në Google. Një ditë më pas, ato kapërcyen në rreth 15 mijë. Të enjten fluturuan në 41 mijë. Natyrisht, këto rezultate, jo të gjitha të lidhura me të. Gjykatësi Zaganjori ishte bërë i famshëm sipas asaj teknologjisë që afron vetëm politika.
Urdhëroni, më pyesni
Telefonatës së parë të revistës Java nuk i përgjigjet, por mbas një mesazhi telefonon vetë. Është elokuent. Ndjehet i lodhur, pothuaj i bezdisur nga vëmendja maksimale që mori emri i tij, por nuk refuzon asnjë pyetje. Shpreh një lloj habie të kontrolluar kur mëson se JAVA ka kontaktuar me shumë njerëz që e njohin, duke nisur që nga koha kur ishte student, dhe mirëkupton se tashmë, çdo detaj i jetës së tij, normalisht, është më shumë se objekt kurioziteti e kërshërie për publikun dhe më shumë se material i nevojshëm për 140 gratë e burrat në Kuvend, që eventualisht do të votojnë për të. Gjithmonë, nëse emri i tij do të përfundojë në votim. Korrigjon ndonjë detaj dhe, mbi të gjitha, pabesueshmërisht, nuk ka asnjë pyetje tabu. I sjellshëm dhe jashtëzakonisht korrekt, edhe kur dëgjon diçka që nuk i pëlqen. Më vjen keq se kanë nisur të thuhen gjëra që nuk janë të vërteta, madje edhe për vendimet që kam firmosur në Gjykatën Kushtetuese, thotë, por nuk kërkon të justifikohet. Ka një lloj distance në të folur edhe ndaj vetes, që e bën vërtet interesant. Pak, fare pak nëpërmjet përgjigjeve të tij dhe shumë më shumë nëpërmjet rrëfimit të të njohurve të tij, JAVA tenton të bëjë një portret të parë të kandidatit Presidencial. Duke nisur me rininë e tij të hershme, për të përfunduar me të martën e kësaj jave e cila, i ka ndryshuar përfundimisht jetën, pavarësisht se cili do të jetë epilogu në Kuvend.
Deri në vitin ’90
I gjatë, i pashëm, pa vese. Nuk pinte dhe nuk përdorte as alkool dhe as duhan. Që student njihej si një djalosh gati-gati i përkorë. Rezultatet e larta në shkollë e diferencuan nga bashkëstudentët e tjerë. Ndryshe nga shumë shokë të tij që studionin në jurisprudencë, bij të prindërve, shkodrani Zaganjori vinte nga një familje e thjeshtë dhe dy prindërit e tij punëtorë i kishin dhënë vetëm bekim dhe asnjë përkrahje tjetër. Babai i tij kishte ardhur në Shkodër që në moshën 15 vjeçare nga fshati Ana e Malit, që ndodhet në rrugën që të çon në Murriqan, në kufi me Malin e Zi, meqënëse i ati, gjyshi i Xhezair Zaganjorit kishte vdekur shumë i ri. Ai kishte studiuar në Stamboll për hoxhë.
Zaganjorii ri ka njohur kur ishte student jetesën e shtrënguar, tipike për varfërinë e kohës. Tip sportiv, luante futboll, volejboll dhe merrej me atletikë. Shpejt bie në sy të dy pedagogëve të njohur, Arben Puto dhe Luan Omari. Bashkë me studentin tjetër të drejtësisë Maks Haxhia një mik i hershëm me të cilin nuk ka më miqësinë e vjetër – ai viziton shpesh selinë e e Akademisë së Shkencave, ku takon dy profesorët dhe studion në bibliotekën e institucionit. Mëson gjermanisht dhe më pas edhe anglisht e frëngjisht.
Bëhet asistent i Putos. Edhe sot, e konsideron profesor Puton një mik të mirë që i detyrohet shumëçka. Edhe pse jeta e tij, falë mirësisë së Putos, mori një rrjedhë më të mirë. Profesori i vjetër e njoftoi diku nga fundi i vitit 1987, në dimër, që ishte diskutuar për tu pranuar si kandidat i Partisë së Punës. 25 vjet më pas Zaganjori e pohon këtë fakt. Ka pak, fare pak dëshmitarë që mund ta kujtojnë apo ta dinë një gjë të tillë, por gjykatësi nuk e ka problem: Eshtë thjesht e vërtetë. Ka ndodhur kështu, thotë ai. Dilemën e atëhershme se çfarë do ta bënte e kishte zgjidhur shpejt, madje pa u këshilluar me askënd. Për shkak të biografisë i ishte refuzuar viza për studime në Francë; një anëtarësim në PPSH do ta çonte në ato dyer që regjimi i hapte vetëm për të besuarit e tij. I pranohet kërkesa për kandidat partie dhe i nënshtrohet regjimit të stazhit. Punon një vit si punëtor në ndërmarrjen e ndërtimit 21 Dhjetori, në Tiranë. Punëtor që përziente llaç dhe transportonte tulla në një nga ndërtesat e kompleksit spitalor në Tiranë. Kur u pranua në parti, regjimit i kishte a