Pollo: Me Zaganjorin do shkojmë deri në fund, PS të propozojë Nanon
Genc Pollo, deputet i PD-së, njëherësh ministër i MITIK, tha për Ora News se do t’i shkohet deri në fund kandidaturës së Xhevair Zaganjorit , pasi sipas tij ai e ka të gjithë integritetin e duhur që nuk mund të hidhet poshtë nga asnjëra palë politike, por që në mungesën e gjetjes së konsensusit, do të kalojë me mazhorancë të thjeshtë.
Nuk mendoj që ky është apo duhet të jetë rasti. Mazhoranca nuk bën dot lojëra taktike me cështje teknike. Nuk ka arsye për të bërë ndryshime në raundin e 4 e 5. Mendoj që do t’i shkohet deri në fund kandidaturës Zaganjorit, është rruga më e mirë për të gjithë. Edi Rama ka një inkoherencë në qëndrimet dhe deklarat e tij. Në rast të një mosarritje të konsensusit me PS do ta zgjedhim me votat e mazhorancës. Mazhoranca bëri një hap me kandidaturën e ofruar përtej politikës, opozita e komplikoi me çështje të tjera. Rama mund të bëhet pjesë e procesit nëse do të bëhet, por në fund duhet të marrë një vendim, tha ai.
Sa i përket takimit të dy krerëve të partive më të mëdha në vend, për të cilin Kryeministri Berisha disa herë është shprehur kundër me arsyetimin se kjo nuk do të shërbente për asgjë, ndaj takimet duheshin mbajtur në nivel ekspertësh, Pollo e gjykon normal për sa kohë diskutohet vetëm për Presidentin dhe nuk i bashkangjiten kushtet e tjera. Ndërsa shton se gara presidenciale do të bëhej më interesante nëse dhe PS do të sillte një kandidaturë, duke mos përjashtuar edhe zotin Nano.
Berisha ka thënë se është i gatshëm të presë Ramën. Nëse do diskutohet vetëm për Presidentin, po, por nëse do i shtohen dhe katër çështjet e tjera, atëherë nuk do të ishte rezultative. Janë çështje të ndara. PS ka zgjedhur të bllokojë këto ligje pa të cilat nuk merret statusi, për t’i faturuar përgjegjësinë mazhorancës. PS e ka paguar për këtë fakt edhe në zgjedhjet që lamë pas, dhe vetë Rama me humbjen e bashkisë së Tiranës. Do të ishte e mrekullueshme edhe nëse ajo vjen me një kandidaturë , edhe me të zotit Nano. Do kishim dy kandidatura përballë njëra -tjetrës, ku vota e fshehtë do të zgjidhte kreun e shtetit. Nano është një kandidaturë serioze, nëse propozohet nga partia e tij gara do të bëhej më interesante, theksoi ai.
Sa i përket krisjes së koalicionit qeverisës dhe luhatjes së marëdhënieve PD-PS, Pollo e konsideron më tepër një papajtueshmëri medimesh dhe idesh, që për të është tepër normale jo në një koalicion, por dhe vetë brenda një partie.