E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një protestë më shumë sesa një fitore

Dr. Gëzim Alpion

-Pas përmbysjes së komunizmit, zgjedhjet e 23 qershorit 2013 janë pa dyshim ngjarja më e rëndësishme në historinë e pluralizmit politik në Shqipëri. Megjithatë, këto zgjedhje nuk duhen shikuar si ‘Mbërritje’; ky është thjesht një fillim premtues. Demokracia jonë nuk u poq këtë verë; ajo sapo ka filluar të japë shenja se po hedh rrënjë të shëndosha. Tani për tani, e majta shqiptare duket sikur ka fituar. Kushdo që të jenë fituesit, shpresoj që festimet të jenë sa më modeste dhe të mos zgjasin shumë, pasi puna që i pret është marramendëse. E djathta duket e shpartalluar aktualisht, por kjo nuk duhet të na çudisë pasi, në shumë pika, Partia Demokratike ka vite që ishte shndërruar në një shëmbëlltyrë të frikshme të Partisë së Punës ku, me sa dukej, për gjithçka mendonte dhe vendoste Sali Berisha.

Veçanërisht kohët e fundit, Berisha u rrethua nga një tufë servilësh (siç ndodh pothuajse me të gjithë drejtuesit e enteve politike në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët i konsiderojnë partitë që kanë trashëguar apo themeluar si pronë personale) të cilët, për hir të interesave personale, e mbulonin me lavde deri në çmenduri këtë udhëheqës ‘të lavdishëm’, ashtu siç bënin dukur sejmenët me Zogun dhe militantët me Enverin. Gabimi më i madh i së djathtës shqiptare, dhe në këtë drejtim ata nuk janë të vetmit më ka tarë, është se kujtuan se populli është një tufë delesh, që mund ta drejtonin për nga lumi kurdo që donin të mos u lageshin këmbët. Populli ynë është gënjyer dhe zhgënjyer shpesh nga të ashtuquajturit prijës largpamës në këta 100 vite të shtetit shqiptar. Megjithëse tani nuk jemi të pushtuar, dhe deri diku të pavarur nga të huajt, ne shqiptarët akoma nuk jemi çliruar nga prangat e vetvetes.

Është fatkeqësi që të tre figurat dominuese në shekullin e parë të shtetit shqiptar – Zogu, Hoxha dhe Berisha – nuk patën sensin e frenimit të vetvetes në çastet e duhura në mënyrë që kontributi që dhanë në momente të caktuara të karrierës së tyre politike, në dobi të atdheut të mos ventitej nga veprimet e tyre të dënueshme dhe me pasoja për politikën shqiptare dhe kohezionin shtetëror dhe kombëtar. Rezultatet e 23 qershorit nuk janë meritë thjesht e së majtës; e majta do të ketë kohë të dëshmojë nëse e justifikon mandatin i popullit. Tani për tani, më tepër se një votëbesim për të majtën, 23 qershori është një protestë ndaj një klike që e bëri markë të sajën ligjërimin hipokrit dhe konjuktural për një numër çështjesh, sa sensitive po aq edhe të parelizueshme, si në planin shtetëror ashtu dhe atë kombëtar. Kjo me të vetmin qëllim që të përjetësonte qëndrimin e saj në pushtet.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›