Një punë për profesionistëtNga Alexis Papachelas, “Kathimerini”Njerëzit e thjeshtë të këtij vendi të trazuar po kërkojnë heronj. Të dielën pasdite u preka nga reagimi i njerëzve të tmerruar, kur shikonin helikopterët zjarrfikës që hidhnin ujë mbi fla
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një punë për profesionistëtNga Alexis Papachelas, “Kathimerini”Njerëzit e thjeshtë të këtij vendi të trazuar po kërkojnë heronj. Të dielën pasdite u preka nga reagimi i njerëzve të tmerruar, kur shikonin helikopterët zjarrfikës që hidhnin ujë mbi flakët. Dëgjoheshin tek bërtisnin: “Të lumtë, bir!” ose “Këta djem janë heronj.”
Çfarë kërkojnë njerëzit në rast krize? Ata kërkojnë profesionistë me plan, të mirë-trajnuar dhe të përkushtuar. Përveç kurajës dhe shpirtit të sakrificës, njerëzit i admirojnë përgatitjet sistematike dhe vëmendjen ndaj detajeve që u paraprijnë manovrave mahnitëse ajrore.
Mahnitja e tyre është e justifikuar, sepse as qytetarët dhe as politikanët nuk i zbatojnë këto rregulla në jetën e tyre të përditshme. Në një intervistë radiofonike, një kryetar bashkie dëgjohej të thoshte: “Si prisni që unë të hap puse pa pará?”
Ministrat nuk mësuan asgjë nga ngjarja e vitit 2007 dhe dështuan në krijimin e qendrave koordinuese. Qytetarët që kanë ndërtuar shtëpi në pyje presin që shteti t’u mbrojë pasurinë, por nuk bëjnë asgjë për të pastruar barishtet e thata. Të gjithë - që nga administratorët e papërgjegjshëm lokalë e deri te ministrat që s’i ke për gjë - krijuan kushtet që rezultuan në katastrofë. Dhe kur godet fatkeqësia, profesionistët që përpiqen të bëjnë detyrën i gjejnë rezervuarët bosh, strategjitë e zjarrfikjeve lokale mungojnë, urdhrat për evakuim ngatërrohen, ndërsa politikanët i ngatërrojnë qendrat e operacionit me premtime të tipit: “Mos u shqetësoni, po ju nis tre helikopterë.”
Në këto kushte, profesionistët janë më shumë se heronj. Por kjo nuk mund të vazhdojë. Ky vend përballet me zjarre masive që janë të vështirë për t’u kontrolluar. Është koha të koordinojmë veprimet. Si? Së pari, duhet të ndryshojmë mënyrën si të mbrojmë mjedisin në nivel individual dhe kolektiv. Brezat e rinj janë më të mirë se të vjetrit në këtë drejtim. Së dyti, duhet të përjashtojmë politikanët dhe kryetarët e bashkive që kanë vetëm llafe, përderisa ata përpiqen të shmangin fatkeqësinë me metoda të viteve ‘50. Kjo është arsyeja pse njerëzit lavdërojnë pilotët e ndëshkojnë llafazanët.