E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një pyetje pa përgjigje

Ato që kam thënë për problemet e shumta dhe serioze të futbollit tonë, tashmë dihen, se i kam shprehur herë pas here nëpër komentet e kësaj gazete, por edhe nëpër ekrane të ndryshëm televizivë. Por, a ka të tjera, të “pathëna” deri tani? Sa të duash. Të marrim vetëm këto javë të fillimit të këtij sezoni për të parë se si elementët primitivë të dhunës ende nuk po i ndahen futbollit tonë, për të mos përmendur të tjera probleme që vazhdojnë të qëndrojnë pezull dhe pa asnjë shpresë zgjidhjeje. Ajo që kërkoj të trajtoj këtë herë ka të bëjë me tjetër gjë, gjithsesi, e lidhur ngushtë me futbollin, gjë për të cilën gjithkush do të donte të merrte një përgjigje bindëse. Fjala është për prishjen ose jo të stadiumit më të mirë e më të madh të vendit tonë. Ndryshe nga zhurma e madhe që po bëhet për të ashtuquajturën “piramidë”, e kundërta po ndodh me një “simotër” të saj, me risk të njëjtë shembjeje apo shfarosjeje, siç është stadiumi kombëtar i futbollit, një ngrehinë gjithashtu pranë selisë së qeverisë, për të cilin indiferenca dhe mos angazhimi ndaj së ardhmes së tij ka rrokur kufijtë e absurdit!
Me një stil krejtësisht klasik, i ndërtuar që në “kohën e Italisë”, siç themi shpesh ne shqiptarët për ato ndërtime të bukura që na kanë mbetur si relike nga vitet 30-të të shekullit të kaluar, stadiumi ynë kombëtar mbetet ende si më i miri, më i nevojshmi dhe mbi të gjitha, i vetmi i licencuar nga FIFA dhe UEFA, për zhvillimin në parametra bashkëkohore të një ndeshjeje ndërkombëtare futbolli, siç ndodhi edhe disa ditë më parë kur në te luajti Franca e yjeve të futbollit botëror. Por, ky fakt kaq madhor për futbollin tonë me infrastrukturë krejtësisht të varfër, nuk i ka ndaluar aspak disa njerëz, që të përpiqen ta mënjanojnë atë, deri në asgjësim, për të ngritur pastaj mbi rrënojat e tij një stadium tjetër!? Nuk arrij ta kuptoj përse duhet prishur stadiumi ekzistues dhe përse stadiumi i ri nuk projektohet për t’u ndërtuar në një vend tjetër më të përshtatshëm, me hapësira urbanistike më të mëdha dhe perspektivë shfrytëzimi gjithashtu më të qartë për të ardhmen? Në këtë rast, argumentet që paraqiten përpara kujtdo janë të thjeshta dhe tepër të qarta. Ruajtja e stadiumit ekzistues dhe ngritja e të riut në një vend tjetër me kushte shumë më të përshtatshme, jo vetëm që do të shtonte objektet tona sportive në hartën e varfër të infrastrukturës shqiptare të futbollit, por ndërkohë do të bënte të mundur mënjanimin e një tjetër kaosi “shkatërrim-ndërtimi”, siç po ngjet në fakt prej muajsh e vitesh me sheshin “Skënderbej”, po në mes të Tiranës. Por, me sa duket, rrënimi i stadiumit, që më kot ka pritur të merrte emrin e njërit prej figurave më të shquara të futbollit të këtij vendi, Panajot Panos, gjë e cila u premtua me bujë në ditën e asaj zie kombëtare në nderim të lamtumirës të tij nga jeta, tashmë po duket si një punë e mbaruar. Maketi i stadiumit të ri, të pa tenderuar, valëvitet si flamur fitoreje orë e çast prej disa njerëzve me interesa tepër të sofistikuara, ndërkohë që ai nuk është veçse një mjet shfarosës për stadiumin ekzistues, mjaft i domosdoshëm dhe gjithnjë me vlerë për futbollin tonë. Qyteti italian i Torinos na dha këto ditë një shembull të shkëlqyer se si edhe një klub futbolli mund të bëhet me stadiumin e tij të ri. “Juventusi” tani nuk ka pse të paguajë për të luajtur, siç kishte bërë gjithë këto vite, sepse ka një stadium të vetin, të fjalës së fundit, i ndërtuar mbi themele të reja dhe në një sipërfaqe që ja shtoi edhe më shumë frymëmarrjen qytetit. Ndërsa Tirana jonë, çuditërisht, kërkon të zhytet në një kaos tjetër urban m’u në zemër të saj, duke prishur më të mirin stadium të Shqipërisë, për të ndërtuar mbi të një ngrehinë tjetër!? Kjo katrahurë prishjeje do t’ia bënte edhe më të vështirë jetën klubeve të kryeqytetit, që të shumtë siç janë, edhe kështu nuk dinë se ku t’i zhvillojnë ndeshjet e tyre, për shkak të infrastrukturës sportive tejet të varfër.
Ndryshe nga “piramida”, stadiumi ynë kombëtar nuk ka asnjë lidhje me politikën absurde dhe të mbrapsht të së kaluarës, përveçse krenarisë që i ka dhënë herë pas here këtij populli nëpërmjet ndeshjeve të zhvilluara në te. Përvjetori shekullor i pavarësisë së vendit, që do të festohet vitin e ardhshëm, nuk duhet të na nxitojë për të prishur një simbol të vërtetë të sportit tonë, kur ende ka zgjidhje shumë më praktike dhe aspak konfliktuale, për ndërtimin e një stadiumi të ri në një vend tjetër, që mund të merrte pastaj edhe emrin “Kuq e Zi’, sipas asaj që do t’i pëlqente edhe kryeministrit tonë, gjë për të cilën ai vetë është shprehur. Pra, a ja vlen të prishet stadiumi ynë më i madh dhe më i mirë aktualisht? Kjo është pyetja që ende ka mbetur pa një përgjigje të mençur!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›