Një pyetje që nuk mori përgjigje nga dhjetorianët
Sa herë në dhjetor, nga media, dëgjohen politikanë të flasin për bëmat e tyre dhjetoriane, aq herë gënjeshtrat trashen e trashen për t‘i vënë rroba legjendare asaj kohe, pra për ta bërë të largët e të largët dhe pa fakte deri në infinit. Por ja, në një bisedë televizive, pyetjes së një studenteje të Gazetarisë në lidhje me ndikimin e faktorëve të jashtëm në lëvizjen e dhjetorit, politikanëve dhjetorianë të transformuar si thanë vetë në pesha të mëdha trupore dhe në ekstazë kujtimesh mitike, iu mor goja e mezi po përgjigjeshin, derisa erdhi shpëtimi nga moderatori televiziv, miku i tyre edhe ai i deklaruar botërisht si i futur rastësisht në lëvizjen dhjetoriane, që mbylli emisionin pa i dhënë përgjigje pyetjes së studentes së Gazetarisë.
Po i përgjigjem unë. Dëshmitar okular dhe uditiv i atyre ngjarjeve si shumë qytetarë të Tiranës. Në dosjen time personale keni të shkruar edhe : ish-ushtarak, punonjës shkencor në ISP Nr 6, pedagog i jashtëm në Shkollën e Bashkuar, i paparti, cilësuar me lakra në kokë në karakteristikën e tij personale që pionier e deri në ditën e mbarimit të Fakultetit të Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e Tiranës. Njeri i lirë në diktaturën e proletariatit brenda atyre mundësive që të krijonte burgu i madh Shqipëri. I paafruar edhe tani në partitë politike shqiptare dhe në qeverisje, sepse mendon që qeverisja është lëm i njerëzve të rinj, në botëkuptim dhe në moshë, dhe jo i drurëve të shtrembër dhe të kalbur të gardhit të diktaturës së proletariatit, të cilët e kanë bërë Shqipërinë Republikën e Tjetërsimit të Pronës Private dhe Shtetërore në Favor të Atij që është në Pushtet. Nga viti 1992 e deri në protestat e fundit të Athinës reporter direkt në ngjarje si në Shqipëri, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni, Afganistan, Athinë.
Dhe ja përgjigjja e zhvilluar.
Mbas largimit në korrik të njerëzve të hyrë në ambasada, mbërritja e studentëve në shtator në Tiranë parashikonte një dyndje tjetër në ato ambasada. Por shtatori erdhi dhe studentët nuk lëvizën. U desh të kalonte shtatori, tetori, nëntori që revolta e studentëve të fillonte, të merrte formë dhe të mahisej. Tek unë në atë kohë si edhe te disa të tjera të njohur edhe ata si dele të zeza të prapa, u afruan njerëz të shërbimeve të fshehta të ambasadave perëndimore në Tiranë, të cilët nxisnin rifutjen në ambasada të qytetarëve dhe veçanërisht të studentëve. Tek pinim si rastësisht ndonjë birrë me ta në tavernat e Tiranës dhe të plazhit të Durrësit, sigurisht larg syve vigjilentë të spiunëve, merrnim vesh se shteti komunist ia kishte dalë të përballonte largimin e njerëzve nga Shqipëria ndryshe sa prisnin dhe deklaronin perëndimorët. Ambasadat i kishin kërkuar OKB-së ndërtimin e një kampi për refugjatë në Shqipëri, nga se shteti shqiptar nuk lejonte largimin e qytetarëve të vet. Shteti shqiptar i quante ata tradhtarë, ashtu si prej vitesh mbante të izoluar vëllezërit Popa në Ambasadën Italiane. Por shteti shqiptar kishte siguruar OKB-në se ai i linte qytetarët e vet me kusht që ata të pajiseshin me pasaporta dhe të largoheshin nga Shqipëria nën kujdesin e OKB-së. Gjë që edhe u realizua. (Ku janë vëllezërit Popo? Kush shkroi për guximin dhe vuajtjet e tyre? Kush u mor me kamionin e parë ngarkuar me zhavorr e njerëz që theu portën e ambasadës italiane?) U deshën dy muaj e gjysmë nga ardhja në shtator e studentëve që të fillonin sabotimet në qytetin e studentëve me ndërhyrje në energjinë elektrike, mensë, procesin mësimor, derisa lëvizja të shpërthente në radhë të parë për kërkesa ekonomike e pak nga pak drejt kërkesës politike. Kërkesa politike u bë për formimin e një organizate rinie ndryshe nga ajo ekzistuese e rinisë socialiste. Kjo ishte edhe kërkesa që studentët në protestë i bënë Presidentit të atëhershëm të Republikës gjatë një takimi të drejtpërdrejtë e të regjistruar. Presidenti i Republikës nga ana e vet i këshilloi ata të ndërtonin një parti politike dhe i informoi se Komiteti Qendror i Partisë së Punës kishte lejuar në Shqipëri Pluralizmin politik.
Gjendja e brendshme dyzetepesëvjeçare e Shqipërisë, i kishte bërë të qartë çdo qytetari se diktatura e proletariatit me nxitjen artificiale të luftës së klasave i kishte përgatitur varrin vetes, pikërisht si atë e parashikonte Lenini. Por kushtet e jashtme dhe pikërisht shembja e Murit të Berlinit si edhe ngjarjet në Rumani, i vënë komunistët shqiptarë para dy çështjesh për të zgjidhur. E para si të dorëzojnë pushtetin dhe e dyta kujt t‘ia dorëzonin atë. Dorëzimin e pushtetit, komunistët shqiptarë e bënë kundra bindjeve të tyre që pushteti fitohet me luftë dhe mbrohet me armë. Ata organizuan zgjedhjet e para pas shpalljes së pluralizmit politik dhe i fituan. Por fitorja e tyre nuk zgjati shumë, sepse edhe një herë shërbimet e fshehta u vunë në veprim dhe ndihmuan "politikanët e rinj pa eksperiencë të vetëdeklaruar të djathtë" për largimin e komunistëve nga pushteti me zgjedhje të parakohshme. Në një bisedë të shkurtër, z. Ramiz Alia më është shprehur "se nuk na lanë". Askush nuk besonte në transformimin gradual të shoqërisë shqiptare drejt shoqërisë së hapur (si në Kinë) dhe veçanërisht ata që komunistët shqiptarë i konsideronin si më dogmatikët, më të rrezikshmit etj., etj. Në fakt, komunistët shqiptarë (110 000 në atë kohë, aq sa janë afërsisht edhe tani në të gjithë partitë politike së bashku) ishin ata të parët që "tradhtuan" partinë e tyre për formimin e partive të tjera. Komunistët shqiptarë nuk kishin kujt t‘ia dorëzonin pushtetin, sepse ata gjatë gjithë periudhës së diktaturës së proletariatit në fuqi nuk kishin lënë në këmbë alternativë qeverisëse. Ata në aparencë ua lanë pushtetin shokëve të tyre dogmatikë, akti i parë i të cilëve ishte futja në burg e shokëve.
Që nga rrëzimi i murit të Berlinit e deri më sot, historia e Shqipërisë është e lidhur me paraluftën, luftën dhe pasluftën e shpërbërjes së ish-Republikës Federative të Shqipërisë. Në këtë histori, faktori i jashtëm dhe shërbimet e fshehta kanë rolin e tyre. E vetmja gjë që aleatët i kanë kërkuar Shqipërisë është besueshmëria në aleancë dhe qeverisja e stabilizuar e Shqipërisë. Gjë të cilën politikanët shqiptarë, pra qeverisësit nuk e kanë bërë kurrë, duke çuar ujë në mullinjtë e atyre që i cilësojnë shqiptarët si të paaftë për t‘u qeverisur. Më 1997, shërbimet e fshehta kuptuan se pastabiliteti politik i Shqipërisë nuk vinte nga të bërat ose të pabërat e Presidentit Berisha, por nga ndikimi i Milosheviçit për destabilizimin e Shqipërisë. Për Millosheviçin sa më e destabilizuar të ishte Shqipëria, aq më e vogël ishte mundësia e sulmit të aleatëve mbi Serbinë dhe Kosovën. Në 1997, qeverisja e Shqipërisë ndryshoi. Në tetor 1998, me vrasjen e Azem Hajdarit, shteti shqiptar i qëndroi destabilizimit politik dhe më 1999 aleatët bombarduan Beogradin dhe marshuan drejt Kosovës nga Shqipëria. Edhe sot, aleatët i kërkojnë Shqipërisë aftësi qeverisëse demokratike e jo sherre, në të mirë të vendit dhe pavarësisë së Kosovës. Pas tetë vjetësh nga çlirimi i saj, Kosova ende do të qeveriset nga Eulex. Pse? Nga paaftësia qeverisëse e shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri?
Çdokush le t‘u japë vetë përgjigje këtyre pyetjeve edhe në dhjetor, kur legjendat metropolitane vazhdojnë e thuren vit pas viti për dhjetorianët çlirimtarë. Ata që asnjëherë nuk kuptuan se liria në Shqipëri nuk sillet, por gjendet mes shqiptarëve dhe se demokracia është një proces formimi dhe jo se e bie dikush në një çast e në një vend a me formimin e një partie politike.