Kuçi: EULEX duhet të jetë funksional
Qeveria e Kosovës kërkon nga misioni EULEX të jetë funksional në terren dhe të mos trashëgojë metodat e menaxhimit të UNMIK-ut. Zv/kryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha se EULEX e ka nisur punën mbarë dhe se nuk ka nevojë për shqetësime e do të funksionojë sipas Kushtetutës së Kosovës dhe jo sipas Rezolutës 1244. Në mbledhjen e fundit të qeverisë u miratuan 10 projektligje dhe disa projektvendime të ministrive, si dhe u miratuan emërimet e dy zëvendësministrave. "EULEX të jetë funksional, jo vetëm prezent, dhe të mos e ketë një zhvendosje të status-kuosë nga UNMIK-u në një status-kuo tjetër, por të kemi një mentalitet dhe një menaxhim krejt ndryshe, që do të jetë shumë më aktiv dhe gjithmonë në konsultim e bashkëpunim të plotë me institucionet e Kosovës dhe me një pëlqim paraprak për vendimet që marrin", ka thënë zv/kryeministri Kuçi. Qeveria vazhdon të thotë se EULEX-i do të funksionojë në bazë të Kushtetutës së Republikës dhe zëvendëskryeministri hodhi poshtë përsëri mundësinë që ky mision të zbatojë edhe Rezolutën 1244. "EULEX-i funksion në bazë të ftesës që kemi bërë ne. Ne i kemi dhënë mandat dhe në një farë mënyre i kemi dhënë një pjesë të sovranitetit që na takon neve. Funksioni në bazë të akteve juridike kushtetuese do ta ketë mbështetjen e plotë në këtë drejtim. Çdokush që bën veprime kundër kushtetueses, nuk do të ketë mbështetjen tonë", ka theksuar Kuçi. Duke folur për konfuzionet që janë krijuar rreth zhvillimeve të fundit në Policinë e Kosovës, Kuçi tha se qeveria nuk ndërhyn në sistemet e tjera, por ai theksoi se askush nuk duhet t‘i ikë llogaridhënies. Ai kritikoi edhe mediat për, siç tha, menaxhim spektakolar në rastin e arrestimit të tri shtetasve gjermanë, si dhe arrestimit të mjekëve të përfshirë në transplantimin ilegal të veshkave. "Fotografimi i tri personave të shërbimit gjerman nuk mendoj që ka qenë hap bash i mirë... Por ne nuk i përziejmë punët në menaxhimin e përditshëm. Ne nuk ngatërrohemi asnjëherë. Policia mund ta kryejë këtë veprim edhe ndaj anëtarëve të qeverisë dhe kjo është pavarësi e institucionit. Nga ana tjetër, në mbledhjen e djeshme qeveria miratoi 10 projektligje. Kryeministri miratoi emërimet e dy zëvendësministrave nga LDK-ja, Behxhet Bjarshorit, zëvendësministër i FSK-së dhe Jonuz Kastartit, zëvendës i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.