Një qytet në Meksikë pushtohet nga banorët

Me qindra persona kanë vendosur pika të kontrollit në qytetin Olinala, në jugperëndim të Meksikës, me qëllim që të kujdesen vetë për sigurinë e tyre, pas vrasjes së një taksisti.
Autoritetet meksikane theksuan se janë afër arritjes së marrëveshjes për shtimin e masave të sigurisë në Olinala, pasi që qyteti u pushtua nga banorët, të brengosur për shkak të rrëmbimit dhe vrasjes së taksistit.
Fillimisht, rreth 100 banorë sulmuan shtëpinë, në të cilën strehoheshin katër rrëmbyesit e dyshuar për rrëmbimin dhe vrasjen e taksistit dhe ja vunë asaj flakën. Të dyshuarit vdiqën në zjarr, ndërsa banorët më pas pushtuan qytetin.
Prefekti i Olinalos, Euzebio Gonzales, theksoi se rreth 700 banorë po kryejnë me ndërrime kontrollin në pikat e kontrollit dhe barrikadat që kanë vendosur në hyrjet e qytetit.
Sipas Gonzalesit, banorët e qytetit po kërkojnë më shumë mbrojtje nga bandat kriminale.