E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një rend i ri që po troket

Me vite të tëra udhëheqësve në Evropën kontinentale u është thënë nga ana e amerikanëve, britanikëve dhe madje edhe nga kjo gazetë, se ekonomitë e tyre janë sklerotike, me tepër shumë rregullore dhe tejet të dominuara nga shteti, dhe për të lulëzuar në një stil të vërtetë anglosakson, ato kanë nevojë për një dozë të reformave të tregut të lirë. Por shkrirja globale ekonomike ua ka dhënë kënaqësinë e ekspozimit të rreziqeve të derregullacionit, duke i dhënë shtetit një rol më të rëndësishëm dhe (më e mira nga të gjitha) ka shukatur më pak anglosaksonë. Gjatë samitit G-20 në prill, në Londër, Nicolas Sarkozy i Francës dhe Angela Merkel e Gjermanisë qëndruan krah për krah për të insistuar se nuk kishin gisht në këtë recesion. Znj. Merkel kurrë nuk ka qenë posaçërisht adhuruese e Wall Street-it. Por udhëheqja retorike është grabitur nga z. Sarkozy. Njeriu i cili dikur deshi ta bënte Parisin më shumë si Londra, tani e deklaron laissez-faire një sistem të thyer. Jean Baptiste Colbert sërish sundon në Paris. Në vend se të sfidojnë dirigjimin, britanikët dhe amerikanët janë të zënë duke e pasuar atë: Gordon Brown po drejton rregulla të reja financiare dhe taksa më të larta dhe Barack Obama po thotë se Amerika mund të kopjojë disa gjëra nga Franca, për tmerrin e shtetasve të saj më konservativë. Në fakt, një rend i ri çukitës evropian ka dalë, me Francën statiste në majë, Gjermaninë korporatiste në mes dhe Britaninë të mjerë e të vjetër liberale në tokë. Shesh ku ndeshen kapitalizmat garues. Është lehtë të quhet oportunizëm politik. Por prapa saj qëndron një debat i madh jo vetëm për drejtimin e Bashkimit Evropian, njësinë më të madhe ekonomike në botë, por gjithashtu për pyetjen se çfarë lloj ekonomie punon më së miri në botën moderne. 30 vjet pasi që magjia e pamëshirshme e thatcherizmit nisi të funksionojë në Britani, Evropa kontinentale ende ka prirje që të favorizojë një shtet më të madh, taksa më të larta, rregullore më të rënda të tregjeve të produkteve dhe të punës dhe një rrjet më bujar të sigurisë sociale sesa që do ta toleronin tipat e tregut të lirë si Zonja e Hekurt. Andaj, cila është dëshmia se modeli kontinental është më i mirë? Shtetet kontinentale definitivisht nuk i kanë ikur recesionit: Franca mund të jetë pak më mirë sesa ekonomitë e tjera të pasura të botës këtë vit, por Gjermania, e zvarritur nga industritë e saj eksportuese, po kalon shumë më keq. Sidoqoftë, z. Obama ka të drejtë të pranojë se në disa mënyra Evropa kontinentale e ka përballuar mirë krizën. Ligjet e ashpra për mbrojtjen e vendeve të punës i kanë mbrojtur ata të cilët gjithmonë janë të parët që vuajnë nga rënia e mprehtë e pagave të tyre dhe ka vepruar si pjesë e "stabilizuesve automatikë", të cilët i zgjerojnë deficitet e buxheteve kur shpenzimet e konsumatorëve zvogëlohen. Në Britani, dhe në një shkallë shumë më të madhe në Amerikë, njerëzit janë ndier më të rrezikuar. Recesioni gjithashtu ka konfirmuar se modeli kontinental ka disa fuqi të vetat. Franca e ka një sektor publik efikas, duke iu falënderuar pjesërisht viteve të tëra të investimit në rrugë më të mira, trena të shpejtë, energji nukleare dhe madje restaurimin e katedraleve të vjetra. E, as nuk është vetëm çështje e pompimit të edhe më shumë parave të taksapaguesve. Me cilëndo masë, sistemi shëndetësor i Francës jep shërbime më të mira sesa ai i Amerikës, që kushton më shumë. Gjermania jo vetëm që është kujdesur për financat e saj publike më shumë se të tjerët: modeli i saj që udhëhiqet nga eksporti, ka bërë që kompanitë e saj t‘i mbajë çmimet e ulëta, duke i bërë konkurrentë të fortë jo vetëm në Evropë, por gjithashtu globalisht. Shumica e Evropës kontinentale i shmangu flluskat e pronave të mbushura me borxhe, të cilat shpërthyen në mënyrë spektakolare në Britani dhe Amerikë (edhe pse ky nuk është rasti në Spanjë). Por a do të zgjasë kjo? Fuqitë të cilat kanë bërë që disa pjesë të Evropës kontinentale të jenë relativisht të mira në ripërtëritje, së shpejti mund të dalin si dobësi gjatë shërimit. Sepse duhet paguar një çmim për siguri dhe mbrojtje më të mirë të punëve: ngadalësimi në përshtatje dhe përtëritje në afat më të gjatë, do të thotë më pak rritje. Rregullat kundër përjashtimit nga puna, të cilat mbrojtën nga rritja e madhe e papunësisë, do të thotë se më pak vende pune krijohen në industritë e reja. Këto shtete bujare që kanë mirëqenie sociale dhe të cilat i ruajnë pagat e njerëzve, kanë prirje që të mjegullojnë nismat e bizneseve të reja. Ky shtet i madh, i cili ndihmon në ruajtjen e kërkesës në kohëra të vështira, bëhet barrë për firma të reja dinamike kur rritja merr hov sërish. Parashikimet e fundit thonë se SHBA-ja dhe Britania mund të dalin nga recesioni më shpejtë sesa shumica e Evropës kontinentale. Shtetet individuale i kanë dështimet e tyre specifike. Edhe nëse e bën secilën gjë tjetër ashtu si duhet, mbështetja e tepërt e Gjermanisë në eksporte në shpinë të shpenzimeve të konsumatorit, është vërtetuar të jetë një dobësi e madhe gjatë një recesioni; bankat e saj gjithashtu duken të dobëta. Shkalla e papunësisë së të rinjve në Francë është përmbi 20% dhe mund të jetë dyfish më e lartë në lagjet famëkëqija ku jeton popullata myslimane. Italia dhe Spanja kanë parë rritje të mprehta në çmimet e njësive të punëve dhe rritja e produktivitetit të punës së tyre ka ngecur apo ka shkuar prapa. Nuk do të kalojë kohë e gjatë para se z. Sarkozy t‘i nevojitet që ta rilexojë Adam Smithin e tij.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›