Rama i shkruan Berishës për kartat, PD: Do të marrësh përgjigje më 28 qershor
Kryetari i Partisë Socialiste, pas thirrjeve për t’u ulur me qeverinë për të zgjidhur krizën parazgjedhore, i ka nisur dje një letër kryeministrit, Sali Berisha, ku i kërkon që të japë kartat e identitetit falas.
Rama ka theksuar në letër se në asnjë vend të Evropës nuk ka taksë për votën.
“Taksa e votës që qeveria juaj ka vendosur është jo vetëm arbitrare, por shkon kundër parimeve të shenjta të lirisë dhe cenon të drejtën themelore të njerëzve për të zgjedhur.
Të vendosësh një taksë për votën, do të thotë të njollosësh vendin tonë në sytë e komunitetit ndërkombëtar. Asnjë qeveri e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nuk i detyron shtetasit e saj të paguajnë për të pasur mundësinë për të ushtruar të drejtën e tyre të votës. Asnjë qytetar i vendeve anëtare të NATO-s nuk paguan për të votuar.
Taksa a votës, përcjell jo vetëm një frymë antidemokratike në Shqipëri, por edhe një mesazh të gabuar te partnerët tanë ndërkombëtar në këtë moment kaq të rëndësishëm, kur Shqipëria duhet të provojë me zgjedhje absolutisht të lira e të ndershme, se e meriton besimin dhe mbështetjen e tyre të jashtëzakonshme”, - shkruan Rama.
Sipas kryetarit të PS, taksa e votës nuk është një çështje politike, por një çështje parimore.
“Sot, më shumë se kurrë, është e nevojshme që qeveria shqiptare të marrë një vendim të drejtë për të bërë të mundur zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Shtetasit e Republikës tonë nuk duhet të paguajnë për të qenë të lirë. Dëgjojeni, Zoti kryeministër, sa s’është vonë zërin e arsyes së popullit sovran dhe adresojeni sa s’është kapërcyer kufiri i fundit kohor këtë problem, duke hequr taksën e votës e duke çliruar zgjedhjet nga zgjedha e pamundësisë ekonomike të qindra-mijëra njerëzve për ta paguar këtë taksë absurde”, - thuhet në letrën e Ramës.
PD: Shkruaj sa të duash, përgjigjen e merr më 28 qershor
Kryeministri, Sali Berisha, ka zgjedhur zëdhënësen e Partisë Demokratike për t’iu përgjigjur letrës së Edi Ramës. Në reagimin e PD thuhet se Rama mund të shkruajë nga tri letra në ditë, por përgjigjen do e marrë më 28 qershor.
Zëdhënësja e PD tha se çmimet e kartave janë subvencionuar në mënyrë shumë të ndjeshme nga qeveria.
“Çmimi i dokumentit të identitetit që përmban koston e prodhimit të tij, jo vetëm që nuk është taksuar në mënyrë absolute, siç trillon në mënyrë ordinere z. Rama, por përkundrazi është subvencionuar nga shteti në masë 80% deri 100% për rreth 700.000 qytetarë në nevojë dhe 25% deri 35% për të tjerët. Z. Rama, për të mbuluar megaskandalin e tij të djeshëm në mbledhjen e KRT së Tiranës, në të cilën mori për vete dhe Eftimin e tij 19 leje nga 28 lejet e ndërtimit që ishin gjithsej, duke u ngjitur kështu i zhveshur në majën e piramidës së vjedhjes dhe korrupsionit, lëshon çdo ditë përçartje i tmerruar nga akti i tij prej megakorruptori. Kështu, ai dje dhe sot duke parë se procesi i pajisjes së qytetarëve me karta po ecën shumë mirë, duke parë se nga vendimi i fundit i qeverisë përfitojnë me çmime simbolike nga 2 mijë lekë të vjetra e deri falas rreth 700.000 votues, tani flet se po cenohet liria e tyre për të votuar.
Me këtë rast duam të pyesim z.Rama: Po ata 1.2 milionë qytetarë që dokumentin e identitetit, pasaportën, e kanë blerë me 50 mijë lekë? Çfarë janë? Apo janë qytetarë të gjobitur me 30 mijë lekë për dokumentet e tyre?
Z. Rama, siç u merr 500 lekë qytetarëve për një certifikatë dhe nuk ua jep ato pa paguar taksat e gjelbërimit dhe pastrimit, për të cilat keqpërdor 1 dhe 7 për të vjedhur, nuk ke koncept tjetër lirie përveç mashtrimit trillimit dhe plaçkitjes në bashki”, - tha zëdhënësja e Partisë Demokratike.
Topi: Situata nuk është pesimiste, por duhet angazhim
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, bëri dje sërish thirrje për qytetarët që të aplikojnë për kartat e identitetit, ndërsa tha se situata nuk është pesimiste, por kërkon më shumë angazhim.
“Unë besoj që ka vend për angazhim, për preokupim, por nuk besoj që ka vend për pesimizëm. Unë, jo vetëm me cilësinë e pozicionit që kam, por edhe në të kaluarën, kur kam qenë në një pozicion që më duhej të dialogoja, asnjëherë nuk hiqja dorë nga angazhimi i të gjithëve për të përmbyllur me sukses atë që konsiderohet më e rëndësishme për demokracinë shqiptare, zgjedhjet politike të 28 qershorit. Kështu që unë i bëj thirrje edhe njëherë dhe nuk do ta teproj duke bërë këtë thirrje. Të dashur bashkatdhetarë! Shkoni aplikoni! Aplikoni, sepse nuk është thjesht në funksion të zgjedhjeve, por për shumë, për shumë aksese që ju keni në administratë e mbi të gjitha për të respektuar vetveten. Secili duhet të identifikohet. E dyta, një thirrje për partitë politike. Të gjithë duhet të sintonizohen në shqetësimin, të gjithë të kenë një zë, të gjithë t’u bëjnë thirrje përkrahësve të tyre, asaj pjese të popullsisë, që mund të jetë indiferente ndaj partive politike, t’u bëjnë thirrje që të shkojnë të aplikojnë dhe të gjithë së bashku të kontribuojmë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë një ditë feste për Shqipërinë për demokracinë.
I pyetur lidhur me mundësinë për thirrjen nga President i Republikës të një tryeze të partive politike, Presidenti Topi u përgjigj:
“Unë mendoj që ende partitë politike, administrata duhet të gjejnë angazhimin dhe unë besoj që është angazhimi, për të ardhur pastaj pa diskutim në një kohezion të të gjithë forcave politike. Besoj që të gjithë kanë mundësinë, shansin që të angazhohen dhe të prononcohen.”
Meta: Rama ta kishte parashikuar këtë situatë, që kur bëri Kodin me Berishën
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, tha dje se Edi Rama duhej ta kishte marrë parasysh dhënien e kartave të identitetit falas, që kur bëri Kodin Zgjedhor me Sali Berishën.
“Megjithatë, ne na vjen mirë që ai iu bashkua qëndrimit tonë që kartat duhet të jepeshin falas. Tani, e rëndësishme është që të bashkëpunohet, sidomos me faktorin ndërkombëtar dhe OSBE/ODIHR, dhe duhet të kemi parasysh që OSBE/ODIHR nuk duhet t’i shmanget krizës së tanishme zgjedhore që po afron në Shqipëri, sepse dhe ajo ka qenë pjesë e bërjes dhe e miratimit të atij Kodi, sepse ne nuk mendojmë që bashkëpunimet Berisha-Rama mund të sjellin standarde më të mira për zgjedhjet në Shqipëri. Sepse, po të ishte për të sjellë standarde më të mira në Shqipëri, do të kishin sjellë edhe për gjyqësorin, edhe për reformat në drejtësi, do të kishin sjellë për çështjen e zgjedhjeve. Ndaj, është e rëndësishme që të ketë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, ku faktori ndërkombëtar duhet të luajë një rol të rëndësishëm, sepse ne, për fat të keq, dështuam. Ne kishim disa vjet kohë që na u la për të realizuar vetë standardet që kërkoheshin. Dhe, faktori ndërkombëtar duhet të angazhohet dhe për një arsye tjetër, sepse Shqipëria tani është dhe anëtare e NATO-s. Dhe, një dështim i zgjedhjeve në Shqipëri nuk është vetëm një dështim i Shqipërisë, është dhe një dështim për imazhin e NATO-s, është një problem më shumë për politikën e zgjerimit të NATO-s në të ardhmen dhe për suksesin dhe kredibilitetin e kësaj politike, por të mos harrojmë se është fatale edhe për ne, sepse Bashkimi Evropian e ka bërë të qartë: do të vlerësojë aplikimin e Shqipërisë si vend kandidat në varësi të suksesit ose të dështimit të zgjedhjeve të ardhshme”, - tha Meta.